E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen 3 persona dhe një mësues i shkollës së mesme

20/05/2010 Operacioni “Diploma”, hetim në gjendje të lirë drejtoresha

FIER- Sektori Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Policisë Fier ka finalizuar me sukses mbrëmjen e kaluar operacionin e koduar “Diploma”. Pas një pune të gjatë hetimore, 4 persona janë ndaluar nga efektivat e policisë, ndërkohë që drejtoresha e shkollës së mesme Levan të rrethit Fier do të hetohet në gjendje të lirë”, tha zëdhënësja e policisë, Valbona Meçaj.

Kjo e fundit tha dje për gazetën se: “Asllan Hetemi 44 vjeç nga qyteti i Fierit me detyrë mësues në shkollën e mesme Levan, 20-vjeçari Renaldo Gashi po nga qyteti i Fierit, 20 –vjeçari Eduart Kasaj nga qyteti i Patosit dhe 26 –vjeçari Kreshnik Maloku student nga qyteti i Fierit janë ndaluar mbrëmjen e ditës së martë nën akuzën e “falsifikimit të dokumenteve shkollore”, “korrupsionit pasiv”, “korrupsionit aktiv” dhe “shpërdorimit të detyrës” .

“Konkretisht Asllan Hetemi (mësues në shkollën e mesme Levan Fier) në bashkëpunim me shtetasin Kreshnik Maloku, u kanë marrë shtetasve Renaldo Gashi, Eduart Kasaj, Petrit Gashi dhe Alban Kajolli, një shumë lekësh nga 100.000 lekë të reja deri në 120.000 lekë të reja për secilin, e më pas nëpërmjet dokumenteve të falsifikuar kanë bërë të mundur regjistrimin e tyre në vitin e katërt të shkollës së mesme Levan, pa përfunduar në vitet e tjera të shkollës së mesme”,-tha znj. Meçaj. Ajo ka pohuar se ka nisur procedimi në gjendje të lirë edhe ndaj drejtoreshës së shkollës, Sanie Dulla, banuese në fshatin Levan të rrethit Fier. Dulla do të përballet me akuzën “shpërdorim detyre”, për arsye se ka bërë regjistrimin në shkollën e mesme Levan Fier, të nxënësve të mësipërm, pa marrë konfirmimet nga shkollat përkatëse sipas dispozitave normative për arsimin parauniversitar”,-tha znj. Meçaj. Policia ka sekuestruar në cilësinë e provës 4 praktika të falsifikuara të regjistrimit të nxënësve në shkollën e mesme Levan Fier, si dhe një palë dokumente automjeti të falsifikuara të gjetura gjatë kontrollit të banesës së shtetasit Asllan Hetemi. Nga ana e saj drejtorja e shkollës së mesme të përgjithshme në Levan Sanije Dulla e mohoi krejtësisht akuzën ndaj saj për shpërdorim detyre, duke theksuar se ajo si drejtore nuk ishte fare në dijeni të kësaj vepre penale. “Mësuesi Asllan Hetemi ka pasur një shkëputje të justifikueshme për një problem shëndetësor për rreth 1 muaj, ka thënë drejtorja e shkollës dhe deri në ditën e djeshme ka qenë pjesë e stafit mësimor. Unë nuk jam në dijeni të kësaj vepre penale”. Nga ana e saj DRA Fier dhe drejtorja e saj Suzana Numani theksoi se tashmë kjo çështje shumë e rëndësishme i takon organeve të drejtësisë dhe policisë për një zgjidhje brenda ligjit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›