E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektligji: Të rishikohen kompetencat e Kryeprokurorit

“Prokurorë pa imunitet dhe prokurori të varur jo nga qeveria, por nga ligjet”. 

Fatos Mahmutaj

Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, dje gjatë analizës 7-mujore prezantoi projektligjin e ri për organin e akuzës, i cili ndodhet në fazë përgatitore. I pyetur nga mediat rreth akuzave të opozitës, lidhur me tendencën për të vënë Prokurorinë nën ndikimin e ekzekutivit, ministri i Drejtësisë e mohoi këtë duke pretenduar se bëhet fjalë në këtë rast, vetëm për keqinformim. “Akuza më e rëndë është që Prokuroria të vendoset nën ekzekutiv, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e miratuar në ‘98 ka sanksionuar qartësisht se, organi i Prokurorisë është organ i pavarur, hierarkik i centralizuar. Ligji i ri nuk ka asnjë lloj tentative për të ndërruar këtë strukturë kushtetuese të ngritjes së këtij institucioni”, tha Alibeaj. Ministri u shpreh se, janë 10 pika që priten të ndryshohen në ligjin e ri për Prokurorinë. Roland Miklau, shefi i misionit evropian EURALIUS, që ndihmon drejtësinë shqiptare, theksoi dje se, janë disa pika në projektligjin e Prokurorisë me të cilat misioni nuk është dakord. Ai nuk i bëri publike pikat e projektligjit me të cilat evropianët nuk janë dakord, ndërsa tha se, më parë projektligji po diskutohej me zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm, por së fundi diskutimet u ndërprenë dhe në projektligj janë bërë propozime, me të cilat EURALIUS nuk është plotësisht dakord. Miklau vlerësoi pika të tjera të projektligjit që sipas tij, kanë frymë evropiane.    
Ndryshimet në ligj
“Çështja e parë, e cila të paktën prej 7 vjetëve të këtij ligji për Prokurorinë nuk ka gjetur një trajtim adekuat, është ajo që ka të bëjë me hierarkinë brenda Prokurorisë”, tha ministri. Sipas tij, ligji ekzistues nuk rregullon në mënyrë të saktë marrëdhëniet hierarkike që duhet të ekzistojnë në këtë drejtim, me këtë ndërhyrje është saktësuar se cilat do të jenë të drejtat dhe tagrat që ka secili nivel i prokurorisë, mënyra e komunikimit të tyre dhe synohet të arrihet respektimi i ligjit dhe i procedurës penale në këtë rast. Më tej ai shtoi se, momenti i dytë është sistemi i karrierës. “Procesi penal, investigimi, çuarja e të dyshuarve për krim pranë gjykatave është një proces jo pa sfida për vetë prokurorët në mënyrë individuale. Ndaj atyre duhet t’u garantohet qëndrueshmëria në punë, si dhe garancia për t’u rritur në karrierë sipas vjetërsisë dhe performancës në punë”, pohoi Alibeaj.
Prokurori i Përgjithshëm
Një çështje ku të ndërhyhet në ligj, sipas ministrit Alibeaj, është riformulim i kompetencave të Prokurorit të Përgjithshëm. Ai tha se, ligji aktual nuk saktëson kufirin e saktë të kompetencave që duhet të ketë Prokurori i Përgjithshëm si një rrjedhojë logjike edhe të parashikimit kushtetues, si dhe nuk ka përcaktuar të drejtat e menaxhimit administrativ që Prokurori i Përgjithshëm duhet të ketë ndaj prokurorëve të nivelit të dytë dhe të tretë. “Duhet që Prokurorit të Përgjithshëm t’i jepen me ligj instrumentet e duhura për të menaxhuar në mënyrë korrekte dhe strikte këtë defekt. Me këtë ligj ridimensionohet figura e Prokurorit të Përgjithshëm duke i dhënë në masën ekstreme më të madhe instrumentet në dorë”, u shpreh Alibeaj. Duke shpjeguar heqjen e imunitetit të prokurorëve që ua jep ligji aktual i miratuar në vitin 2000, ministri vijoi se, sistemi që kemi zgjedhur është sistemi i një prokurorie të pavarur nga çdo lloj influence, mbi të gjitha politike dhe korruptive. “Ushtrimi i ndjekjes penale është funksion ekzekutiv, dhe sistemeve të pavarura si gjyqësorit edhe prokurorisë, u duhet dhënë ajo që quhet komponenti thelbësor dhe që është përgjegjshmëria në kryerjen e detyrave, që do të thotë pavarësia nga gjithçka dhe nga kushdo, por jo nga Kushtetuta dhe nga ligji”, tha Alibeaj.

Xhafaj: Reforma në drejtësi, jo çështje numrash
Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, u shpreh dje se për socialistët reforma në drejtësi nuk është çështje numrash aritmetikë. Sipas tij, reforma në drejtësi duhet të jetë rrjedhojë e një debati publik dhe të gjerë profesionistësh, por sot jemi në kushtet e mungesës së një transparence totale. “Ne e konceptojmë mënyrën e bashkëpunimit për të debatuar, diskutuar për një vizion të ri, për një reformë cilësore në sistemin e drejtësisë, një reformë që nuk mund të jetë produkt i numrave kushtetues, por të jetë produkt i debatit politik dhe profesional”, u shpreh Xhafaj. Sipas ish-ministrit socialist të Drejtësisë, ka një mungesë të madhe transparence në këtë proces. “Që nga dita që ka filluar ky proces, nuk ka qoftë edhe një deklarim publik se çfarë synon një deklarim i tillë, bëhet fjalë për një reformë thelbësore. Bëhet fjalë për të ndërhyrë në një institucion të rëndësishëm të pavarur, siç është Prokuroria, sistemi i Prokurorisë dhe jo thjesht Prokurorja e Përgjithshme, për ta bërë atë më efektiv në luftën ndaj krimit në përgjithësi dhe krimit të organizuar në veçanti”, tha Xhafaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›