Stan me lepuj apo me politikanë?
Edmond Tupja
Një fjalë e urtë baritore thotë: “S’bëhet stan me lepuj”, d.m.th. – sipas Fjalorit të gjuhës shqipe të vitit 2006 – nuk bëhet gjë me njerëz të paaftë, që nuk mblidhen e nuk ngulen në një vend për të punuar. Me siguri që kjo fjalë e urtë, si tërë të tjerat, është fryt i një përvoje të gjatë, prandaj ka pa dyshim vlera përgjithësuese. Gjithsesi, njëri prej atyre studiuesve të rrallë që e kuptojnë lepurishten, pra, gjuhën e lepujve, më tha para pak ditësh se raca lepurore pretendon që, ç’është e vërteta, në Shqipëri, është më lehtë të bësh stan me lepuj sesa stan me politikanë, sidomos këto vitet e fundit të periudhës të të ashtuquajturit “tranzicion”. Në këtë kuadër, përfaqësuesit më në zë të racës lepurore paskan protestuar përmbipardje në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë kundër fjalës së urtë të lartpërmendur, e cila përbëka një fyerje për ta. Me protestën e tyre na qenka bashkuar si Sindikata Shqiptare e Lepujrritësve ashtu edhe Shoqata Kombëtare e Gjuetarëve të Shqipërisë, anëtarët e së cilës, në shenjë solidariteti, kanë vendosur të mos vrasin më lepuj shqiptarë, por vetëm lepuj të huaj klandestinë. Nëse nuk u premtohet se kjo fjalë e urtë – që, për racën lepurore, është e marrë – nuk do të figurojë më në botimin e ardhshëm të Fjalorit të gjuhës shqipe, ata do t’i drejtohen Drejtësisë në shkallë kombëtare dhe, po ta gjykojnë të nevojshme, ndërkombëtare.
Ajo që më bën përshtypje në këtë histori, është, së pari, se e vërteta dilka jo vetëm nga goja e fëmijëve dhe e të dehurve, por edhe nga ajo e lepujve; së dyti, se lepujt në këtë rast, në kundërshtim me namin që kanë, janë treguar guximtarë duke thënë haptas një të vërtetë që fare pak analistë apo opinionistë shqiptarë e kanë thënë apo shkruar troç; së treti, se, duke pasur parasysh që “stan” rimon me “politikan”, do të ishte mirë që fjala shumë e urtë “S’bëhet stan me politikanë” të figuronte në Fjalorin e gjuhës shqipe si fryt i një përvoje të gjatë gati shtatëmbëdhjetëvjeçare, pra, me vlera përgjithësuese: për shembull, në parlamentin shqiptar ka ende njerëz të paaftë që nuk mblidhen e nuk ngulen në (ku)vend për të punuar (në kohën e diktaturës hoxhiste, deputetët ishin thuajse të gjithë të paaftë, por ama mblidheshin dhe nguleshin në Kuvendin Popullor se kishin lepurin në bark! – Ah, ja një tjetër shprehje që, me siguri, do t’i acaronte marrëdhëniet e racës lepurore me shkruesin e këtyre rreshtave!); së katërti, se po të krahasojmë racën lepurore me atë politikane shqiptare, më e zgjuara nuk është ajo që pandehim në vështrim të parë; së pesti, se politikanët tanë, blu ose rozë qofshin, jo rrallë herë luajnë lepuras me njëri-tjetrin. Si? Çfarë do të thotë “lepuras”? Hapni fjalorin e gjuhës shqipe dhe do të lexoni: “mënyrë të luajturi nga një grup fëmijësh, gjatë së cilës njëri bëhet si lepur dhe të tjerët si zagarë”. (Nuk besoj të jetë e nevojshme të shpjegoj këtu kuptimin e fjalës “zagar”, apo jo?).
Sido që të vijë puna, fjalë e urtë “S’bëhet stan me politikanë” e këtyre ditëve të fundit, por që pasqyron deri diku me besnikëri atë çka karakterizon politikën dhe administratën shtetërore shqiptare, ka me gjasë nevojë për një përcaktim më të saktë të termit “stan”; po t’i referohemi, në të njëjtin fjalor, përkufizimit të këtij termi, do të gjejmë: “vend me vathë e me kasolle për bagëtitë, për barinjtë e për bulmetin”. Në qoftë se, kësaj radhe në mënyrë të figurshme, fjalët “bagëtitë”, “barinjtë” dhe “bylmet” i zëvendësojmë përkatësisht me fjalët “njerëz”, (pu)shtetarë” dhe “rezultatet e qeverisjes”, i bie që “vendi me vathë e me kasolle” të jetë... shteti (vathët dhe kasollet janë detyrimisht institucionet e tij)! Ja tek del më i qartë – të paktën kjo është përshtypja ime – kuptimi i aktualizuar i fjalës së urtë “S’bëhet stan me politikanë”!
Po sikur – mund të më kundërshtojë ndonjëri prej lexuesve të mi të vëmendshëm e të paanshëm –, po sikur çuditërisht të ndodhë që stani-shtet të bëhet edhe me lepuj-politikanë të paaftë, çfarë do t’ju mbetet, zoti Tupja, për të thënë? Përgjigjja ime do të ishte fare e thjeshtë: Me lepuj-politikanë apo me politikanë-lepuj të vërtetë, ai stan atë bulmet do të ketë!