Çështja “dosjet”
Edmond Arizaj
Nuk dihet ende mirë pse në mënyrë periodike në Shqipëri hapet e rihapet, debatohet e nervozohet çështja e dosjeve. Në çdo përsjellje para publikut kureshtar, “dosjet” nisin me bujë e zakonisht kanë përfunduar me përplasjen e zakonshme nëse duhen hapur apo jo, duke mos i shkuar asnjëherë deri në fund. Disa thonë se sa herë politika nxehet, dalin në skenë dosjet. Ca thonë se dosjet përdoren si shpata e Damokleut për persona të ndryshëm. Të tjerë se ato nuk janë veçse kërcënim për sferat e larta të politikës. Ka nga ata që thonë se dosjet janë zhdukur dhe kanë mbetur vetëm ca emra që nuk mund të quhen as dosje. Të fundit e mbyllin se dosjet nuk duhen hapur, pasi nuk mund të llogariten pasojat që do të shkaktojnë, pasi shumë prej atyre që kanë vuajtur nga “dosistët”, janë ende gjallë dhe me mllef të pazbutur.
Pavarësisht se shumë nga vendet e Evropës Lindore e kanë marrë tashmë këtë vendim, i kanë bërë publike dosjet, Shqipëria ende sorollatet në kufijtë e debatit, pa guxuar ta ndërmarrë këtë hap. Politika, si djathtas edhe majtas nuk guxon të shkojë përtej diskutimeve, ndoshta dhe për faktin e shumëpërfolur se mes të dyja palëve ka ish-të rekrutuar nga sigurimi i shtetit. Megjithatë, pavarësisht debateve të gjata e të lodhshme prej vitesh për çështjen e hapjes së dosjeve, ka ende disa pika të errëta të cilat nuk janë prekur, apo janë prekur pak, të cilat duhen zgjidhur pikërisht në mënyrë politike, përpara se të merret hapi vendimtar i hapjes së dosjeve.
Pikësëpari dhe që mund të jetë me shumë interes edhe për publikun e gjerë, janë ‘dosjet’ e atyre që nuk kanë punuar për sigurimin e shtetit, por që njiheshin mirë prej tij. Pra, ata bashkëpunëtorë të sigurimeve të huaja që vepronin në Shqipëri. UDB, apo Asfalia, pra më saktë Serbia dhe Greqia kanë pasur përherë synime territoriale në vendin tonë. Në këtë kontekst (sipas të dhënave të mediave) asnjëherë nuk kanë dashur që në Shqipëri të ketë stabilitet, madje as në kohën e izolimit total, kur ekzistonte stabiliteti i frikës. Dhe sigurisht për këtë arsye, ata kanë pasur në vendin tonë edhe bashkëpunëtorët e tyre, shumë prej tyre të skeduar në regjistrat e gjatë të sigurimit të shtetit. Me dëshirë, me pahir, apo të blerë, këta njerëz kanë bashkëpunuar me sigurimet e huaja kundër shtetit shqiptar, monist apo pluralist. Madje, herë pas here në media nga ekspertë të ndryshëm hidhet
dyshimi, se edhe në kohën që jetojmë, këto shërbime sekrete vazhdojnë punën e tyre. Do të ishte mirë që politikanët shqiptarë të bashkoheshin në mendimin se fillimisht ata duhet të bëjnë publike këto lloj dosjesh, nëse ekzistojnë, pra dosjet e shqiptarëve që kanë punuar kundër vendit të tyre.
Komisionet e “dosjeve” ndoshta duhet të kalojnë në sitë dhe “të përzgjedhin” dosjet e bashkëpunëtorëve të sigurimit që duhen hapur. Sepse bashkëpunëtorë, ka pasur shumë. Por ka pasur nga ata që kërcënoheshin me internim, apo më keq (si do të vepronin në një situatë të tillë të gjithë këta që ulërijnë sot), ka pasur bashkëpunëtorë “120 leksh”, bashkëpunëtorë “të zanatit” që e bëjnë këtë punë në çdo sistem, ka pasur bashkëpunëtorë idealistë që mendonin se kështu mbronin pushtetin e fituar me gjak, ka pasur të infiltruar në burgje e fshatra internimi, bashkëpunëtorë jashtë shtetit, ashtu si ka pasur edhe agjentë të mirëfilltë të zbulimit dhe kundërzbulimit (shumë nga këta të djegur në kohën e demokracisë, sipas mediave). Pra, në këtë mori bashkëpunëtorësh duhet të “përzgjidhen” dosjet e atyre që vërtetë kanë shkaktuar fatkeqësi ndaj familjeve shqiptare, apo vendit të tyre, duke bërë reale frikën “se vëllai spiunon vëllanë”. Ndoshta hapi i parë duhet të jetë kundrejt atyre, që bashkëpunimin e kanë parë si një dritë jeshile për karrierën e tyre, si marrje me sy të mirë nga sistemi, apo ata që i kanë përdorur “grupet armiqësore” si dhuratë nga shteti, për të larë hesapet me kundërshtarët. Dosjet e atyre që kanë çuar njerëz drejt pushkatimit, burgut apo internimit duhet të jenë të parat që duhen studiuar për t’u hapur.
Një tjetër pikë e paprekur fare nga i gjithë debati i dosjeve, është se ç’do të bëhet me emrat e atyre që figurojnë si të besuar të pushtetit, që i kanë dhënë ndihmë falas sigurimit, që kanë përgatitur fashikuj, duke vërtetuar pretendimet ndaj “armiqve të popullit”. Këta nuk kanë dosje, por ndoshta kanë shkaktuar shumë më shumë dëme se sa “kapelet”. Sigurisht, që askush nuk mund t’u kërkojë sot këtyre njerëzve pse nuk sakrifikuan veten dhe familjen për një të panjohur në atë kohë kur s’të bëhej e gjatë, por gjithsesi gatishmëria për të nxirë akoma më shumë, gatishmëria për të fundosur sa më thellë, gatishmëria për të dhënë vendime e gjykime, gatishmëria për të qenë i gatshëm, janë për t’u marrë parasysh, sepse pikërisht prej kësaj gatishmërie varej fati i mijëra njerëzve.
Ne, publiku, nuk dimë asgjë se kush janë njerëzit që do të merren me dosjet. Sipas të dhënave, në SHBA, ata që zgjidhen senatorë, kontrollohen deri në 50 vjet. Pra, të gjitha lidhjet e tyre familjare e shoqërore, pikërisht se mos diku, ka ndonjë “devijim”. Në Shqipëri, nuk duket se ka ndonjë kontroll të tillë. Ose edhe në ka, ai është i fshehtë dhe përdoret për të tjera arsye. Nuk mund të besohet se disa prej zhvillimeve të çuditshme në Shqipëri, nuk kanë pasur edhe dorën e ndonjë agjenture të huaj. Kjo do të ishte puna e parë për ekspertët shqiptarë, dhe më pas qetësimi i shpirtrave dhe trupave të vuajtur nga diktatura.