E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arbitrazhi Ndërkombëtar 100 mijë euro “gjobë” Shqipërisë

Hapja e procesit në Arbitrazhin Ndërkombëtar ndaj Shqipërisë, nga firma turke “BE-HA-SE”, ka kushtuar 100 mijë euro në buxhetin e shtetit. 

Fatos Mahmutaj

Këto janë shpenzimet gjyqësore që ka paguar qeveria shqiptare, e cila pavarësisht “gjobës” 100 mijë euro, për shkak të fitimit të gjyqit ka shpëtuar plot 199 milionë e 850 mijë euro. Shifrat u bënë publike dje nga Avokati i Shtetit, Eduard Halimi, gjatë prezantimit të analizës 7-mujore në institucionin e tij. Halimi tha se, padia e firmës “BE-HA-SE,” që la përgjysmë autostradën Elbasan–Rrogozhinë, kapte vlerën e 200 milionë eurove, ndërsa shuma prej 100 mijë eurosh e paguar nga shteti shqiptar i përket vetëm shpenzimeve gjyqësore dhe kryerjes së veprimeve procedurale. Duke folur për çështjet e shtetit shqiptar në Arbitrazhin Ndërkombëtar, Halimi pohoi se, tashmë po shqyrtohen 7 çështje, nga të cilat kanë përfunduar dy. Sipas tij, çështja me firmën turke “BE-HA-SE”, kundër Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve është mbartur që nga viti 2002 dhe tashmë është problem i zgjidhur, pasi është fituar nga qeveria shqiptare, e cila si pasojë e përfaqësimit të mirë nga Avokatura e Shtetit ka shpëtuar pagimin e një shume prej 200 milionë eurosh të kërkuara nga turqit.
Të humbura
Ndërkohë Halimi pranoi faktin se institucioni i tij ka humbur gjyqin e përballjes me “Iliria Consortium”, çështje kjo e mbartur që nga viti 2006 dhe që pala kundërshtare është Ministria e Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacioneve. Tashmë kjo çështje sipas Avokatit të Shtetit, ndodhet në IÇ, Paris, për të cilën është aplikuar për korrigjim dhe interpretim nga pala shqiptare. Më tej Avokati i Shtetit gjatë prezantimit të punës pohoi se, institucioni i drejtuar prej tij ka përfaqësuar shtetin në një çështje ndërkombëtare të mbartur që nga viti 1994. Vlera e padisë për këtë çështje ishte 2 milionë euro, nga të cilat qeveria shqiptare ka paguar vetëm 750 mijë euro, duke ekzekutuar përfundimisht detyrimin ndaj kreditorit. Kjo gjë, sipas Halimit, është arritur nëpërmjet negocimit me palën paditëse, çka ka sjellë si rezultat përfitimin e 1.25 miliardë eurove.
Gjyqet
Avokati i Shtetit gjatë prezantimit të punës në institucionin e tij pohoi dje se, në total në Gjykatat e Shkallës së Parë në vend po ndiqen 830 çështje, nga të cilat 260 janë padi kundër shtetit, që i përkasin vitit 2008 dhe 310 janë mbartur nga viti i kaluar. Halimi shtoi se, nga këto çështje janë përfunduar 260, gjysmat e të cilave janë fituar nga shteti, janë humbur 80, ndërsa pushuar apo kthyer për rigjykim 50 dosje. Rezultati, sipas tij, në këtë rast është parandalimi i një dëmi në vlerë 2.5 miliardë lekë dhe 100 mijë euro që mund t’i shkaktoheshin shtetit. Gjithashtu vijon ai, janë përfituar mjaft pasuri të paluajtshme si troje, pyje dhe toka bujqësore, nga anulimi i vendimeve të padrejta të ish-komisioneve apo Agjencive të Kthimit e Kompensimit të Pronave. Po kështu në Gjykatën e Apelit, Avokatura e Shtetit po ndjek 440 çështje, prej të cilave ka fituar 130 dhe ka humbur 120, duke i parandaluar shtetit dëm në vlerën e 1.2 miliard lekëve dhe përfitimin e mjaft pasurive të paluajtshme. Në Gjykatën e Lartë ky institucion po ndjek 32 çështje, nga të cilat ka fituar 18 e ka humbur 8. Ndërsa Kushtetuesja për dy çështje ka vendosur rigjykim në Gjykatën e Lartë.

“Do punojnë ata që kanë dëshirë e nuk sjellin praktika korruptive”

TIRANE – Gjatë prezantimit të analizës shtatëmujore të punës së institucionit të tij, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, përmendi si pjesë të reformës edhe administratën, Policinë e Burgjeve dhe atë të gjyqësorit. I pyetur për transferimet e shumta në Policinë e Burgjeve ai tha se: “Në këtë qeveri do të vazhdojnë të punojnë ata njerëz që kanë dëshirë të punojnë, që dinë të punojnë dhe që nuk sjellin asnjë lloj praktike korruptive, ky është justifikimi i vetëm i të gjitha reformave”. Kurse kreu i Burgjeve, Gazmend Dibra, u shpreh se, gjatë kësaj kohe janë përfunduar dhe kanë nisur të funksionojnë tre burgje të reja: Në Vlorë, Fushë-Krujë dhe Korçë, me financimin e BE-së në shumën e 9.8 milionë eurove. Sipas tij, kjo shoqërohet me rritje të kapacitetit pritës me 8 për qind. Ndërkohë pritet të ndërtohet qendra e rehabilitimit të të miturve në Kavajë, me vlerë 1.7 milionë euro, financuar nga BE-ja dhe që do presë rreth 80 të mitur. Gjithashtu, shtoi ai, edhe përfundimi i burgut të Durrësit, i financuar me 158 milionë lekë nga buxheti i shtetit, do të rrisë kapacitetin pritës me 240 persona. Duke i vlerësuar pozitive këto arritje Dibra nënvizoi se, kjo sjell ulje në 20 për qind të popullimit në qeli, si dhe një rehabilitim të shpejtë të të dënuarve. Duke folur për shifra Dibra përmendi mes politikave rehabilituese për të dënuarit, rritjen e numrit të lejeve shpërblyese dhe të veçanta, nga 47 në vitin e kaluar në 1721 për shtatëmujorin e këtij viti.            fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›