E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilla pronarit të medias

Edison Ypi 

S’ka rëndësi si po e quajnë; krizë, depresion, katastrofë, kancer, zgjebe, murtajë, kolerë. Rëndësi ka kush e ka fajin.
Më pak se të gjithë, ti pronari i Medias.
Më tepër se të gjithë, autorët mediokër, ata që u hedhin shqiptarëve gjellë qensh, produkte mediatike të refuzueshme.
Për autorët shpirt-tharë e tru-kalbur, pa asnjë fije ndjeshmërie, mëshire, dhemshurie, dashurie, nuk kam këshilla. Sepse s’ka kalbje që të ketë çkalbje, s’ka vdekje që të ketë shërim.
Për ty që ke investuar po. Jo video-barrakë apo gazetë-fletushkë. Se as me ata s’merrem. Prandaj, që pjesa e jote e përgjegjësisë të jetë edhe më e vogël, mundësisht zero, po të jap disa këshilla. Disa këshilla që ti me laps në dorë mezi pret t’i lexosh dhe t’i zbatosh.
Media është gradë zhvillimi cilësisht shumë më e lartë se ç’do lloj biznesi. Sepse të ndërtosh piramida është më e vështirë se të ndërtosh diga. Të ndërtosh diga është më e vështirë se të ndërtosh grataçiela. Të ndërtosh grataçiela është më e vështirë se të ndërtosh shtëpi. Të ndërtosh Media është më e vështirë se të gjitha së bashku. Të ndërtosh Media do të thotë të ndërtosh Njeri.
Kij parasysh se në tregun e lirë produkti Mediatik është produkt si të gjitha produktet. Si këpucët për shembull. A mund t’i shiten këpucë numur 41 atij që e ka këmbën 43 ?! Jo. Askush s’i blen. Sepse këmba s’i futet. Po kështu edhe me broçkullat ortografike apo spektaklet e zgjyrta. Sepse truri s’i merr, s’i pranon, i refuzon. Përrallëzat mbi prapambetjen e shqiptarëve, mungesën e dëshirës së tyre për të lexuar e shijuar etj. janë gënjeshtra më e çmendur, fëlliqsia më e ndyrë që shqiptarët më të zinj përhapin lart-e-posht për bashkëkombasit e tyre.
Bëj shumë kujdes kur të zgjedhësh njerëzit e Medias. Artikuj shkruesit, mediatorët, konduktorët, kronistët etj.
Ndaje qartë dhe mos i lejo kurrsesi të ndërhyjnë tek njëra-tjetra strukturën administrative me pjesën tjetër. Mos lejo kurrën e kurrës që administratorët të fusin hundët në çështje që as i njohin as i përkasin. Dhe as profesionistët e Medias të kenë autoritet administrimi mos i lejo kurrë. Këto dy struktura duhet të funksionojnë veç-e-veç në mënyrë komplementare duke i shërbyer të njëjtit qëllim. Përndryshe nuk është Media por pazar.
Mos punëso as frikacakë të mëdhenj as trima të çartun. Janë të dy njëlloj të rrezikshëm. Pas frikacakut fshihet tradhëtari. Pas trimit grindaveci.
Në krye të gazetarëve zgjidh më të talentuarin, më ta aftin. Pa kompromis !  Përndryshe, gjysëm i talentuari që ke vënë në krye, do thërrasë një nga një pranë vetes të ngjajshmit e tij, miq dhe mikesha skutash mediatike. Dhe pak nga pak, kur ti s’do të kesh ç’tu bësh, përmes një solidariteti të hekurt mediokrish do t’i bëjë varrin Medias tënde. Sepse solidariteti i hekurt i mediokërve vetvetiu do pasohet nga solidariteti i pa thyeshëm i shikuesve të televizionit apo blerësve të gazetës të cilët as gazetën do ta blejnë as televizorin do ta shohin. S’ka përjashtim nga ky rregull. Dhe s’ka kancer vdekjeprurës më të rrezikshëm për një Media se sa elementët e ngjajshëm. Janë këta, të ngjajshmit brenda një Medie pra, ata që mbushin lumin e llumrave dhe pellgjet e coftinave dhe pengojnë produktet e shëndetëshme të cilat i shohin gjithmonë me dyshim. Pra vetëm elementë të ndryshëm. Kurrë të ngjajshëm. Madje edhe kur janë të aftë ose të talentuar. Media bëhet vetëm me njerëz sa më të ndryshëm.
Kujdes me fidbekun ! Fidbeku nuk vjen as nga miku as nga kafeja e mëngjezit ku të gjithë me rradhë gudulisin njëri-tjetrin; uaaaaaaaa sa fantastik e kishe bërë atë shkrimiiiiiimin, uauauauaua sa bukur të doli mbrëmë spektakliiiiiii. Fidbeku është një botë e tërë tejet e komplikuar. Kurrë këtu dhe tani. Gjithmonë sa më larg. Në hapësirë dhe kohë. Po deshe ta dish, jo si struci duke fshehur kokën, por tamam si doli spektakli apo si ishte shkrimi, shko pyet në Librazhd, Skrapar, Kukës, Sarandë etj.
Kape për leckash dhe vërvite sa më larg atë me nder gazetarin që nuk sheh asgjë të mirë në vendin e tij, në qytetin e tij, në trullin e tij, por vetëm ankohet, vetëm qan, vetëm grindet. Hidhe mundësisht jashtë gravitacionit të tokës në terrin e kozmosit të tretet atë këllirë.
Bëj kujdes me autoreferencialët. Ata që një e dy e “Unë”. Merr një tekst të tijin. Numuroja sa herë, hapur ose fshehtas, ka shkruar “Unë’. Tregoja dhe thuaji që s’bën për këtë punë. Dhe thuaji të ikë.
Prefero të rinjtë. Por kujdes nga disa syresh që s’dihet nga dhe si kanë marrë huqet e të vjetërve me dredha dhe dinakërira. Po të dolën të tillë, thuaju të shporren.
Ruhu nga ata që nëpër gazeta apo televizione duke llomotitur bëjnë sikur promuovojnë idera, por në fakt s’bëjnë gjë tjetër veçse gjithë kohën me mënyra nga më të përvjellat, për qëllime nga më të ndyrat, promuovojnë vetveten dhe njëri-tjetrin. Duket si pa lidhje, por kjo dukuri e fëlliqët është arësyeja pse Mediat sot në tërësi nuk maten me sa të afta janë të ndërtojnë, por sa shkatërrojnë.
Tregues të vlerës së produktit përdor vetëm këtë; përpiqu të vësh re, mundohu të dallosh, nëse produkti i dikujt është i tillë që, ta zemë, zgjat tre minuta dhe nuk harrohet kurrë, apo zgjat tre orë dhe nuk mbahet mënt as tre minuta. Të parin mbaje. Të dytin degdise.
Mes realitetit dhe produktit gazetaresk duhet të ketë patjetër një filtër përmes të cilit gazetari përcjell domosdoshmërisht qasjen njerëzore dhe profesionale me fenomenin. Përndryshe, nëse, kronika apo shkrimi janë pasqyrime të drejtpërdrejta, kjo quhet analogjizëm. Analogjizmi është niveli më i ulët i komunikimit, faza e tij primitive, arkivol me mesazh të ngordhur brenda, që nuk udhëton, që nuk jeton, pra agoni’ e gazetarisë. Vëre vath në vetull; nëse jo zero, sa më pak produkte analoge.
Ruaju nga gazetarët dhe gazetareshat me qasje perverse ndaj realitetit. Snobat, sterilat, ata të cilët në Shqipërinë e varfër mendjen e kanë vetëm për plazha, bronxatura, nika, klika, laptopa, zyra me mermera, rroga të mira etj.
Mos lejo kurrë që në gazetën apo televizorin tënd të quhen “kollosë”, “yje”, “heronj”, “ikona”, “mite”, “legjenda” etj. etj. soc-aktorët, soc-poetët, soc-shkrimtarët, ata që u a mpinë trurin shqiptarëve për dhjetra vite. Nëse do ta dish paraprakisht çfarë qasje ka me soc-murtajën gazetari kandidat për tu punësuar, bëji këtë test; përmendi shkarazi një batutë nga të soc-filmave. Për ta gjetur batutën pyet me celular ndonjë gërmadhë sahat-mbetur. Nëqoftë s’ke nevojë të pyesesh, pra nëqoftëse ti vet di apo mban mënt të tilla, ky muhabet mbyllet këtu dhe ti Media t’hajrit s’do bësh dot kurrë. Por le të themi se nuk je nga ata. Pas batutës shihja me kujdes fytyrën. Po pe në surratin e tij atë përskuqjen e zgjyrëshme që ndizet në fytyrat e injorantëve në raste të tilla, thuaji menjëherë Ciao dhe lëre në fat të vet.
Mos bjer edhe ti në grackën e disave nga ekranet apo gazetat e të cilëve duket sikur të burgosurit politikë në Shqipëri kanë qënë nja tre a katër, laj-thaj ata të famshmit që ti dhe të gjithë e dinë cilët janë. Kanë qënë mijëra ! Po vazhdove me ata tre-katër mos u habit që audienca do të bieri dhe pas nja tre muajsh do të bëhet sa numuri i klientëve të kafenesë te qoshja e rrugës.
Kam edhe të tjera. Por nis e zbato këto një herë që s’janë pak. Se po s’bëre as kaq, mos u çudit kur pas ca muajsh gazeta të të kthehet në kasolle dhe televizioni në barrakë.
edisonypi@gmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›