E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shanset e Shqipërisë për në NATO

Fron Nahzi 

Javët e fundit mediat shqiptare kanë informuar  ...se pranimi i Shqipërisë në NATO është në rrezik. Këto lajme bazohen tek disa biseda me përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare në Tiranë. Ndryshe nga ç’pretendojnë këto lajme, Shqipëria është në rrugë të mbarë drejt pranimit në NATO. Nuk është e qartë nëse këto lajme burojnë nga keqinterpretimi i fjalëve apo nga raportimi i pasaktë, por kjo vë në dukje mungesën e vetëbesimit kombëtar në Shqipëri. Ky është një shembull tjetër, kur një citim i gabuar i ndonjë zyrtari ndërkombëtar që njihet më shumë për ofiqet që mban se sa për aftësitë politike, vazhdon të shkundë strukturat politike në Shqipëri. Në vend që të merret me çështjet reale që lidhen me kohën e pranimit zyrtar në NATO dhe çfarë duhet bërë në kontekstin e klimës globale politike që po ndryshon, fatkeqësisht Tirana duket se po kthehet në ditët e vjetra kur gjëmonte thashethemet. Prandaj le të shohim pse është vonuar pranimi në NATO i Shqipërisë dhe Kroacisë.
Lufta mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, si dhe një garë presidenciale në SHBA, në të cilën çdo çështje kombëtare ose ndërkombëtare mund të vendosë rezultatin, po i detyron kandidatët për presidentë të veprojnë ngadalë dhe me kujdes lidhur me përgjegjësitë e tyre legjislative. Kjo qasje po ndikon në procedura legjislative rutinë, siç është, p.sh., pranimi i Kroacisë dhe Shqipërisë në NATO, deri në gjëra më komplekse si zhvillimi i një politike të re në raport me Rusinë. Edhe pse qeveria amerikane do ta aprovojë pranimin e Shqipërisë në NATO, Tirana nuk duhet të rrijë e të presë. Qeveria shqiptare duhet të ndërmarrë një strategji proaktive, duke promovuar kontributin e saj për stabilitetin në rajon, duke matur ndërkohë vazhdimisht pulsin e politikës ndërkombëtare.
“Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet presidenciale në SHBA”, konfirmoi dje një zyrtar i lartë i Agjencisë Kombëtare të Sigurisë në SHBA. Senati amerikan pritej ta aprovonte anëtarësimin e Kroacisë dhe Shqipërisë në NATO në nëntor. Por gjatë garës presidenciale në SHBA, detyrimet legjislative dalin në rend të dytë (kandidatët aktualë për presidentë shpenzojnë afërsisht vetëm tri javë në seancat legjislative).
Në kushte ‘normale’ pranimi i Shqipërisë në NATO do të kishte qenë një formalitet ekzekutiv në senatin amerikan. Nënkomiteti i senatit për Marrëdhëniet me Jashtë për Çështjet Evropiane, i kryesuar nga kandidati për president, senatori Barack Obama (demokrat) dhe Komiteti i senatit amerikan për Çështjet me Jashtë, i kryesuar nga Joseph Biden, kandidati për zëvendëspresident me Obamën, janë përgjegjës për aprovimin e zgjerimit të NATO-s dhe për të gjitha çështjet e marrëdhënieve me jashtë. Pas aprovimit nga Komiteti për Marrëdhëniet me Jashtë, rezoluta për zgjerimin e NATO-s dërgohet për aprovim në senat, i cili pritet ta aprovojë me lehtësi. Së fundmi, kjo rezolutë dërgohet për ratifikim final nga presidenti amerikan. Ky është një proces i hapur dhe transparent, i cili në një vit pa garë presidenciale, do të kishte kaluar pa fanfarë. Pra, ky është problemi dhe çdo studiues i çështjeve politike në Tiranë, madje dhe në Pukë, i njeh çështjet që u përshkruan më lart, si dhe procesin se si një rezolutë kthehet në ligj në SHBA. Po, ka akoma.
Me sulmin e Rusisë mbi Gjeorgjinë dhe me kërcënimin e Moskës për ta shtrirë ndikimin e vet në republika e tjera ish-sovjetike, kërkesa e Shqipërisë për të hyrë në NATO dhe raporti i saj me aleatët e SHBA-së është forcuar. Kthimi prapa në zgjerimin e NATO-s do të perceptohej si dorëzim i SHBA-së para kërcënimit të Rusisë. Por siç e di gjithkush, ne në SHBA jemi më të shqetësuar për ekonominë se sa SHBA-ja të luajë përsëri rolin e paqeruajtësit. Ndaj vonimi i sesioneve në Senat dhe shmangia e diskutimeve për çështje të reja që mund të ndikojnë në zgjedhjet presidenciale, është një lëvizje e zgjuar nga ana e të dy kandidatëve për president. Fatkeqësisht, kërkesa e Shqipërisë për të hyrë në NATO dhe mungesa e vetëbesimit kombëtar janë një nga viktimat e kësaj situate në SHBA.
Siç do t’ju thoshte çdo këshilltar politik, gjatë këtyre kohëve të tensionuara, është e rëndësishme që Shqipëria të jetë e pranishme në skenën ndërkombëtare dhe të jetë e ndërgjegjshme për situatat aktuale. Si fillim, Tirana duhet të bëjë një punë më të mirë për t’u dëshmuar aleatëve të NATO-s dhe bashkësisë ndërkombëtare përpjekjet e veta për të plotësuar standardet e NATO-s dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal. Po ashtu, Tirana duhet të forcojë lidhjet me politikanët në Uashington dhe Bruksel. Kjo jo vetëm do ta ndihmonte për të promovuar politikat e saj, por edhe do ta ndihmonte Tiranën në zhvillimin e një politike të jashtme të bazuar në fakte dhe jo në thashetheme. Por, nëse Shqipëria nuk fillon të promovojë dhe të zbatojë një strategji të rrënjosur në vetëbesim kombëtar dhe nuk e promovon veten si partner dhe jo si viktimë të së kaluarës, ajo do të vazhdojë të shikohet si një projekt organizatash joqeveritare për çdo vizitor ndërkombëtar me ofiq të lartë. Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s. Tani duhet të fillojë të sillet si e tillë.
*Fron Nahzi është
shqiptaro-amerikan që ka punuar në Ballkan që prej vitit 1991. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›