E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qirjako: Hipoteka në 8 muaj shqyrtoi 380 mijë kërkesa

 

TIRANE - Hipotekat janë institucioni në varësi të Ministrisë së Drejtësisë që ka përballuar fluksin më ta madh të punës gjatë shtatë muajve të këtij viti. Gjatë prezantimit të punës, dje në Ministrinë e Drejtësisë, Arben Qirjako, kreu i këtij institucioni pohoi se, deri më 31 korrik, aplikimet në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme kanë arritur shifrën 330 mijë, ndërsa deri në fund të gushtit ky numër ka arritur në 380 mijë. Sipas tij, mesatarja e trajtimit të aplikimeve në ditë është 7.9 praktika për çdo punonjës të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Duke folur për shifra gjatë prezantimit të vet Qirjako pohoi tashmë se, janë në proces regjistrimi fillestar 10 mijë pasuri dhe është në proces tenderi ndërkombëtar për regjistrimin e 120 mijë pasurive të tjera. Duke shpjeguar procedurat e punës në institucionin e kryesuar prej tij Qirjako shtoi se, tashmë qytetarëve u nevojiten vetëm 15 minuta kohë për të kryer një aplikim për shërbimin e kërkuar. Ndërsa përgjigjja në varësi të llojit të shërbimit jepet nga 24 orë deri në një muaj. Me tej Qirjako vijoi se, sfidë e regjistrimit të pasurive të paluajtshme është eliminimi i mbivendosjeve të pronave, një problem i trashëguar nga vitet e mëparshme dhe që është kthyer në gangrenë. Kryeregjistruesi Qirjako tha se, është përmirësuar kuadri ligjor-rregullator i sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. “Është miratuar VKM-ja, për regjistrimin e pasurive të paluajtshme me sipërfaqe të papërcaktuar. Është hartuar dhe pritet të miratohet një rregullore e re e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, pohoi Qirjako, i cili përfundoi se, tashmë është në proces kompjuterizimi i të gjithë sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.                                                   fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›