E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ylli Manjani: Rama nuk kërkon transparencë

Kërkimi me këmbëngulje një vit rresht nga ana e PS-së për hapjen e kutive të votimit ka qenë një pretekst për të shkaktuar krizë dhe jo një dëshirë e vërtetë e kësaj partie. Nëse ajo do të donte vërtet transparencë të zgjedhjeve, rrugën do ta kishte më të shkurtër nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese. Këtë logjikë përdor juristi i PS-së, anëtari i Asamblesë, Ylli Manjani. Manjani, i cili dha dorëheqjen nga funksionet që mbante në parti, vazhdon të kritikojë mënyrën e të bërit opozitë nga ana e Edi Ramës, duke e cilësuar atë fajtor për pengmarrjen e grupit parlamentar socialist. Manjani komenton deklaratën e bërë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, e cila kërkoi zgjidhje të situatës politike në Shqipëri, duke e cilësuar të drejtë kërkesën e Strasburgut që Gjykata Kushtetuese ti dërgonte pretendimet e opozitës për interpretim në Komisionin e Venecias. Sipas Manjanit, nëse do të ndiqej kjo rrugë e rekomanduar nga ndërkombëtarët, socialistëve u mbeten më pak se tre muaj kohë për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e hetimit të zgjedhjeve dhe më pas kjo e fundit duhet ti drejtohet Komisionit të Venecias për të zbardhur objektivat e komisionit hetimor parlamentar. Sot jemi një vit pas zgjedhjeve dhe nuk mund të mbetemi peng kutish votimi, sepse nuk besoj se është në interesin e shqiptarëve zëvendësimi i disa pykave në pushtet me ca të tjera në opozitë. Rama s'ka dashur të hetohen zgjedhjet, por të krijojë një tymnajë, pasi në Gjykatën Kushtetuese ka çuar me dhjetëra ligje e marrëveshje, por se ka bërë një gjë të tillë dhe nuk do ta bëjë, pasi ai është politikan i imazhit dhe nuk i intereson transparenca, por e gjitha kjo do t'i kthehet në bumerang dhe e gjitha kjo është një sajesë e Ramës që po përdoret për interesin e tij personal, - tha ai duke folur për TV Klan. I pyetur në lidhje me shqetësimin që ka ngritur në deklaratën e saj Asambleja e KiE-së për bojkotin e socialistëve, ish-anëtari i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste thotë: "Rama ka marrë peng grupin parlamentar dhe ky grup po humbet kredibilitet përballë opinionit publik në raport me procesin integrues të vendit. PS sot po mban peng një sërë nismash ligjore, për shembull atë për Gjykatën Administrative, sikundër s'kemi parë asnjë interpelancë të deputetëve të saj në Parlament. Pra, po mbahet peng i politikës bllokuese të Ramës. Këshilli i Evropës ka rekomanduar disa herë që kërkesat e opozitës për zgjedhjet të interpretohen nga Komisioni i Venecias, gjë të cilën selia rozë ka refuzuar ta bëjë, duke parë si alternativë më të volitshme atë të protestave në rrugë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›