Abuzimi, 15 mijë subjekte biznesi pa matës të energjisë
Enti Rregullator i Energjisë Elektrike ka publikuar një shifër tronditëse, e mbajtur e fshehtë për publikun deri tani, që pritet të rikthejë edhe një herë debatin mbi mënyrën se si është administruar dhe vazhdon të administrohet Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, tashmë në prag privatizimi. Në raportin vjetor të vitit 2007, ERE zbulon se në Shqipëri ekzistojnë rreth 14 mijë e 600 biznese ose më shumë se 13.2 për qind e totalit të bizneseve, që janë të papajisur me matësit e energjisë dhe që e paguajnë energjinë elektrike aforfe. "ERE e gjykon alarmante situatën e pajisjes me matës të abonentëve, veçanërisht atyre të biznesit, duke qenë se ligji e lejon faturimin aforfe vetëm për konsumatorët familjarë dhe nuk e njeh këtë lloj faturimi për abonentët privatë dhe ata shtetërorë", - thotë ERE në raportin vjetor të vitit 2007, që i ka nisur zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë. Më tej, Enti vijon: "KESH-i, duke respektuar legjislacionin në fuqi, duhet të kishte gjetur rrugët dhe mundësitë për t‘i instaluar ata".
Rriten humbjet, subjekteve private nuk u faturohet energjia
"Duke qenë se ligji lejon faturimin aforfe vetëm për konsumatorët familjarë dhe nuk e njeh atë për subjektet private dhe ato shtetërore, mungesa e matjes në këto subjekte përkthehet në rritje të humbjeve teknike, të cilat u ngarkohen qytetarëve në mënyrë të padrejtë", - vëren raporti i ERE-s. Kjo skemë, për të cilën është folur pak në publik, është një vatër e madhe potenciale për korrupsion. Ekspertët thonë se ajo nxit marrëveshjet dhe aferat mes faturistëve dhe elektricistëve të KESH-it e bizneseve për të faturuar sasira më të vogla. Përderisa nuk ka asnjë ligj apo urdhër, që përcakton sasitë aforfe të biznesit, atëherë energjia që ata konsumojnë vendoset ose në bazë të sasive që Enti ka përcaktuar për familjarët, ose në bazë të marrëveshjeve të çastit mes faturistëve të KESH-it dhe bizneseve. E gjithë barra e këtij skandali bie mbi konsumatorët korrektë, ata që e paguajnë energjinë elektrike në bazë të rregullave në fuqi.
20 Mars 2008