E Diel, 1 Nëntor 2026

Projektligji për faljen, Qeveria i rrëmben Topit një tjetër të drejtë kushtetuese



Laureta Rryçi

Drafti më i fundit i hartuar nga Ministria e Drejtësisë duket se sërish do të sjellë përplasje institucionesh. Qeveria, me anë të projektligjit “Për faljen”, që tashmë ka marrë miratimin e Këshillit të Ministrave, tenton të rrëmbejë një tjetër të drejtë Kushtetuese të presidentit Bamir Topi. Ndërsa ende nuk ka një reagim nga zyra e Presidencës, kryeministri Berisha është i mendimit se ky projektligj përforcon të drejtën kushtetuese të kryetarit të shtetit. Në mbledhjen e dy ditëve më parë, Berisha u shpreh se “Kushtetuta i njeh Presidentit të drejtën e faljes dhe Parlamentit të drejtën e amnistisë. Por, në çdo vend ka një procedurë ligjore për procesin e faljes”. Ndërsa dje reagoi dhe ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani. Ky i fundit shpjegoi për mediat se ndryshimi i procedurës për hartimin e dosjes për të dënuarin, që të përfitojë nga falja, nuk kishte të bënte me një kompetencë ekstra që i atribuohej ministrit të Drejtësisë.
Rrëmbimi
Deri tani institucioni i Presidentit të Republikës kishte të drejtë ekskluzive të merrej me procedurën dhe faljen e të dënuarve. Drafti i përgatitur nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë janë marrë kryesisht me përcaktimin e procedurës së re për grumbullimin e informacionit mbi të dënuarit që duan të përfitojnë nga falja. Dosja që do të përgatitet nga specialistët e Ministrisë së Drejtësisë fillimisht do të marrë miratimin e ministrit dhe më pas do t’i dërgohet e plotë Presidentit. Ky i fundit, ndërsa deri dje ngarkonte me përgjegjësi një grup juristësh për verifikimin e dokumenteve, tani nuk do t’i duhet të shqyrtojë alternativat që mbërrijnë nga Ministria e Drejtësisë.
Qëndrimi
Mbi projektligjin për faljen, reagimin e parë e pati kryeministri Sali Berisha. Sipas tij, ky projektligj, i hartuar dy-tre vjet më parë, përcakton kushtet dhe kriteret ligjore që duhen aplikuar në procesin e faljes, e cila është një dhunti, sepse shteti dënon, por edhe fal. “Pavarësisht se ndonjëherë ngjall sentimente shqetësuese për raste të caktuara, sërish shteti nuk tërhiqet kurrë nga ky virtyt, që është falja. Dhe këtë, në tërësi, kushtetutat ia atribuojnë kryetarit të shtetit”, - u shpreh Berisha.
Ndërsa dje, ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, sqaroi se ligji i ri qartëson procedurat që duhet të ndiqen duke shmangur parregullsitë e deritanishme. “Nuk ka asnjë kompetencë ekstra që i jepet ministrit të Drejtësisë, por ministri i Drejtësisë, duke pasur në dorë instrumentet, vendimet e gjykatave, përmes arkivit, depozitohen të gjitha vendimet e gjykatave dhe, për më tepër, ndjekjen e dinamikës së vuajtjes së dënimit në institucionet e vuajtjes së dënimit, është ministri i Drejtësisë ai që, për shkak të vartësisë që ka në këto institucione, mund të marrë një informacion të saktë dhe vlerësues në mënyrë të tillë që për çdo propozim t’i sjellë një material referues sa më të plotë dhe më të saktë Presidentit të Republikës. Ky ligj qartëson akoma më shumë bazën ligjore dhe natyrisht i jep më shumë informacion vendimmarrësit të vetëm, që është Presidenti i Republikës”, - tha Nishani.

7 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›