E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Durrësit, dëshmitarët japin detaje për vrasjen e Marsel Sotirit



Seanca e djeshme në procesin për bandën e Durrësit u shoqërua me debate. Dy dëshmitarët e parë të thirrur nga akuza kanë treguar detaje që kishin lidhje me vrasjen e Marsel Sotirit. Dëshmitari i parë i thirrur nga gjykata ishte Xhemal Ago. Në momentin që 81-vjeçari hyri në sallë, i pandehuri Lulzim Berisha u ngrit duke deklaruar se duhej pyetur a ishte mirë dëshmitari nga gjendja shëndetësore, sepse vuante nga zemra. Ndërkohë, të njëjtin reagim ka bërë edhe mbrojtësi i tij, avokati Ilia Ilia. Avokatët kërkuan që dëshmitari të pyetej në banesë, ndërkohë që gjykata vendosi që ai t’i jepte deklarimet, meqë ishte i pranishëm në sallë. Ago tregoi se kishte lidhje krushqie me të pandehurin Lulzim Berisha, pasi djali i tij ishte martuar me kushërirën e parë të Lulit. Më tej ai shpjegoi se vajza e tij, Xhuljeta, e cila jetonte në plazh me familjen e saj, prej disa kohësh e kishte burrin emigrant në Itali dhe jetonte e vetme në banesë. Për këtë arsye dëshmitari tregoi se i shkonte shpesh për vizitë. Një nga pasditet, sipas tij, kishte ardhur në banesë e motra e Lulzim Berishës, e cila i kishte kërkuar shtëpinë një ditë pasi do t’i vinin disa miq të tyre kosovarë. Të nesërmen, sipas Agos, ai kishte mësuar nga një lajmërim vdekjeje se kishte ndodhur një vrasje prapë banesës së vajzës së tij. Gjatë deklarimeve të dhëna më 21 janar të vitit 2007, Ago kishte shpjeguar: “Gjatë kohës që burri i vajzës sime qe në Itali, shkoja shpeshherë për vizitë. Kam qenë një ditë pasdite kur aty vjen Luljeta, motra e Lulzim Berishës, me gruan e tij me emrin Bona. Kur u futëm brenda më përshëndetën ‘si je gjysh?’. Erdhi dhe djali im, Aureli. Nuk e di erdhi me ato apo vetëm. Luljeta më kërkoi nder që të qëndronte aty, se do të ikte në Itali dhe më pas në Amerikë. Më vonë mora vesh se në shtëpi kishte qenë Lul Berisha me ca shokë dhe as Bona, as Luljeta nuk kishin ikur në Itali. Të nesërmen pas kësaj ngjarjeje kam marrë vesh se kishte ndodhur vrasje pranë banesës së vajzës sime”.
Dëshmitarja e radhës ishte Nafije Domi, e cila ishte banore në lagjen “Iliria”. Gruaja tregoi se kishte pasur një banesë me 6 dhoma e 5 banja, të cilat i jepte me qira në periudhën e plazhit. Ajo tregoi para gjykatës se një pasdite (kishte qenë muaji gusht), prapë shinave të trenit që ishin përballë banesës së saj, kishte ndodhur një vrasje, por kjo e fundit nuk kishte qenë në shtëpi. E kishte mësuar këtë fakt nga banorët që thoshin: “U vra njëri”. Në momentin që dëshmitarja ishte duke u larguar, i pandehuri Endrit Dokle u shpreh se “do të të prishin shpinë meqë të morën gjeneralitetet”. Kryegjyqtari, gjatë seancës së sotme i bëri me dije avokatit Vangjel Muzi se nëse bënte pyetje si ato që ka bërë më parë, do t’ia dërgonte ministrit të Drejtësisë dhe Dhomës së Avokatisë për masë disiplinore. Madje në paralajmërim e sipër, gjyqtari, duke përdorur edhe doza humori, u shpreh: “Do të të heq bukën e fëmijës”. Por avokati reagoi duke i thënë: “ǒke me fëmijët e mi? Janë në Amerikë”.
Procesi vijoi më tej me dëshmitë e dy dëshmitarëve. Njëri prej tyre, ish-inspektor policie në Durrës. Albert Strati, gjatë seancës ka dëshmuar se rreth 2001-shit ka kontaktuar me një vajzë me emrin Genta Jaho, e cila kërkonte të bënte kallëzim penal ndaj dy shtetasve, Klodian Saliu, i vrarë në 2005-n si kapo i bandës së Durrësit dhe ndaj Indrid Taullahut, i cili aktualisht është i pandehur në këtë proces. Vajza, sipas inspektorit, dyshonte se motra e saj ishte marrë peng nga anëtarë të bandës. Por më vonë, sipas inspektorit, vajza është tërhequr dhe nuk ka bërë denoncim. Inspektori kishte thënë në prokurori pak kohë më parë se vajza me emrin Genta Jaho i kishte thënë këtij të fundit se dyshonte se e motra e saj ishte vrarë nga grupi i Spitallës, dyshime që nuk u vërtetuan kurrë. Sipas dëshmisë paraardhëse, e motra e Genta Jahos ishte vrarë pasi kishte nxjerrë në pritë Marsel Sotirin.
Mbi të pandehurit e së ashtuquajturës banda e Durrësit rëndojnë akuzat për 8 vrasje të kryera në kuadër të organizatës kriminale dhe disa tentativa vrasjeje apo atentate.

7 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›