E Diel, 1 Nëntor 2026

“Projektligji për gjykatat administrative me probleme komplekse”

16/03/2009  Avokati i Popullit analizon raportin e dorëzuar në Kuvend nga Ministria e Drejtësisë

TIRANË- Ngritja e gjykatave administrative është pritur nga të gjithë pozitivisht, por në thelb projektligji, sipas juristëve të Avokatit të Popullit, ka mjaft probleme komplekse që e bëjnë të vështirë mbijetesën e tij. Avokati i Popullit në një raport të përgatitur posaçërisht mbi këtë projektligj të dorëzuar tashmë në Kuvend shtron disa probleme, të cilat duhet të përmirësohen me anë të ndërhyrjes. Sipas Avokatit të Popullit, projektligji i paraqitur ka si qëllim garantimin e të drejtave dhe interesave të ligjshme të personave nëpërmjet shqyrtimit gjyqësor efektiv të akteve dhe veprimeve administrative duke kontribuar në këtë mënyrë edhe në rritjen e përgjegjshmërisë së organeve të administratës publike dhe cilësisë së mirëqeverisjes. Ngritja e gjykatave administrative edhe pse aktualisht paraqitet me disa probleme, vlen të theksohet se do të zgjidhë disa kontradikta që ka midis individit dhe shtetit.

Përballja biznes-shtet

Ministria e Drejtësisë e ka parë të domosdoshëm ngjitjen e këtyre gjykatave për të përballuar të gjitha mosmarrëveshjet që ka midis biznesit dhe shtetit. Avokati i Popullit vëren se këto gjykata do të zgjidhin me profesionalizim dhe shpejtësi këto problematika. Më tej Avokati i Popullit shprehet se për sa i përket frymës dhe parimeve të projektligjit, ato janë në përputhje me standardet evropiane dhe përpjekjet në harmonizimin e parimeve të përgjithshme të kontrollit gjyqësor të veprimtarisë së administratës publike. Konkretisht, vendet evropiane po harmonizojnë këto parime, të cilat lidhen ndër të tjera me shqyrtimin gjyqësor nga një gjykatë e krijuar me ligj, e pavarur dhe e paanshme, një Gjykatë Administrative apo pjesë e juridiksionit të përgjithshëm, parashikimi i ankimimit të vendimit gjyqësor mbi aktin administrative në një Gjykatë Administrative më të lartë brenda një periudhe të arsyeshme.

Sistemi i përzier

Projektligji në fjalë parashikon një sistem të përzier, zakonisht i praktikuar në vende të vogla të Evropës Lindore, nëpërmjet krijimit të Gjykatës Administrative të shkallës së parë (me qendër në Tiranë dhe seksione në rrethe gjyqësore), Gjykatës së Apelit administrativ si dhe Gjykatën e Lartë si shkallën më të lartë gjyqësore për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative. Organizimi specifik i seksioneve administrative në rrethe gjyqësore për sa i përket kompetencës tokësore dhe numrit të gjyqtarëve do të përcaktohet me Dekret të Presidentit. Por Avokati i Popullit thekson se këtij procesi duhet t’i paraprinte një vlerësim mbi problemet e ndeshura nga sistemi aktual i juridiksionit administrativ (17 seksione të gjykatave të rretheve gjyqësore), dhe justifikimi mbi nevojën e ngritjes së gjykatave autonome administrative, për sa i përket ngarkesës së mundshme të çështjeve administrative, specializimin e gjyqtarëve përkatës dhe mbështetjen financiare për krijimin dhe forcimin e tyre. Një tjetër çështje delikate që duhet të ishte reflektuar paraprakisht në projektligj apo relacion është vlerësimi i efektit që mund të ketë në aksesin në drejtësi të qytetarëve përqendrimi i seksioneve administrative, ndryshe nga ai aktual prej 17 seksionesh që ka rezultuar jo efikas deri më tani. Në përcaktimin e një numri të përshtatshëm seksionesh me juridiksion administrativ të shkallës së parë, duhet të ruhet një strukturë transparente dhe funksionale e sistemit gjyqësor në tërësi.

Kërkohet të hiqet fjala mendim në marrëdhëniet ministri-KLD sepse sjell konflikte

Sugjerimet teknike të Avokatit të Popullit

Në sitën e juristëve kalojnë nene të shumta të këtij projektligji

TIRANË- Çështjet e teknikës legjislative, sipas Dobjanit, janë disa dhe duhet të riparohen. Kështu neni 4, paragrafi 3 duhet të ndryshojë dhe në vend të “....Ministri i Drejtësisë bën propozimin pasi të ketë marrë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë” në vend të fjalës mendim të vendoset pëlqim. Ndryshimi i mësipërm do t’i shërbejë pjesëmarrjes në procesin e ngritjes së strukturave përkatëse të institucionit që do të kontrollojë veprimtarinë e zbatimit të ligjshmërisë në dhënien e vendimeve. Gjithsesi fjala mendim në këtë rast ka një kuptim të gjerë, dhe si e tillë në rast mosmarrëveshjesh mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, sidomos për sa i përket kompetencave të palëve duke sjellë pashmangshmërisht konflikte, të cilat mund të reflektohen në kontrollin periodik, ose gjatë shqyrtimit për çështjet e ankimuara pranë KLD-së. Në nenin 5, para 1, fjalia e fundit duhet të redaktohet ose të hiqet fare. Neni 5/2 përcakton si përparësi në emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Apelit administrativ “përvojën në administratën shtetërore”, e cila duhet të hiqet përderisa kriteret e emërimit dhe të karrierës parashikohen në ligjin “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”. Në nenin 6/1 shtron se: “ Gjykata Administrative e Shkallës së Parë gjykon si rregull me trup gjykues të përbërë nga tre gjyqtarë. Në rastet kur çështja nuk ka karakter kompleks, vetë me vendim unanim të të tre gjyqtarëve, çështja gjykohet nga gjyqtari kryesues”. Përcaktimi në fund i këtij neni duket jo i drejtë, pasi për të përcaktuar nëse çështja është me karakter kompleks apo jo, do të thotë që të tre anëtarët e trupi gjykues do t’i futen analizës në themel të çështjes. Lënia në dorë në vijim të kësaj analize, vetëm mbi një nga anëtarët e trupit gjykues nuk ka kuptim, pasi ata kanë kryer gjysmën e punës, kanë krijuar në vetvete një gjykim mbi çështjen konkrete, dhe mund fare mirë të shpallin argumentimin e saj pa qenë e nevojshme t’ia lenë përgjegjësinë vetëm njërit. Neni 11/3, fjalia e dytë, nuk është e qartë. Neni 12 (1/c) duhen parashikuar konkretisht se cilat janë subjektet e tjera që legjitimohen. Neni 14/2 përcakton se: “Padia kundër veprimit administrativ paraqitet në gjykatë brenda 45 ditëve”. Për mendimin tonë ky afat duhet të ketë një shtrirje prej 90 ditëve, pasi shpesh hasim në akte administrative të pabotuara në Fletoren Zyrtare, fakt ky që vështirëson marrjen në dijeni nga personi apo subjekti i interesuar për t’u ankimuar në kohë. Gjithashtu ky afat është më mirë të njehsohet me atë prej 90 ditësh të përcaktuar po në këtë nen në paragrafin 2, pasi ekzistenca e shumë afateve për ushtrimin e padisë thjesht do të konfuzonte personat e interesuar. Neni 16/2 përcakton se: “Paditësi përveç aktit administrativ që kundërshton nuk ka detyrimin t’i bashkëlidhë padisë akte provuese, por nëse i paraqet ato duhet të paraqesë dhe kopje të tyre për të paditurin”. Ky paragraf mendojmë se duhet të hiqet fare, pasi në nenin 23 përcaktohet qartë se mbi cilën palë bie përgjegjësia e barrës së provës. Gjithashtu, mundësia që pala paditëse, kundërshton një akt administrativ që dëmton interesat individuale dhe që nuk përligj interesin publik, ky rast mendojmë se kërkon pjesërisht akte provuese të palës paditëse për këtë qëllim.

Kërkohen më tepër hapësira

Dobjani, gjashtë rekomandime për reformën në drejtësi

Avokati i Popullit ka paraqitur në Kuvendin e Shqipërisë raportin vjetor për vitin 2008. Në këtë raport Dobjani thekson se së bashku me juristët e tij ka bërë përpjekje për t’i shërbyer reformës në drejtësi në kuadër të respektimit të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Kështu në këtë kuadër Dobjani ka kryer gjashtë rekomandime për reformën në drejtësi. Rekomandimi i parë lidhet me disa ndryshime në nenin 58 të Kodit të Procedurës Penale. Ndërsa i dyti lidhet me nevojën për plotësimin e nenit 449 të Kodit të Procedurës Civile. Një tjetër rekomandim ka të bëjë edhe me detyrën e Avokatit të Popullit për të bërë të mundur zbatimin e detyrave të tij pas ankesave që merr nga qytetar të ndryshëm kundër vendimeve të formës së prerë. Edhe nxjerrja e një ligji për hetuesit privat ka qenë një domosdoshmëri dhe për këtë qëllim Avokati i Popullit ka reaguar nëpërmjet rekomandimeve të tij. Ministria e Drejtësisë ka reaguar duke deklaruar se është duke punuar për të gjetur mundësitë e nxjerrjes së një ligji të tillë. Ndërkohë që në vitin 2003, Avokati i Popullit thekson se ka paraqitur rekomandim për funksionimin e gjykatave për Krime të Rënda, një domosdoshmëri kjo e hasur pas ankesave të popullit. Dhe rekomandimi i gjashtë ka lidhje me ngritjen e një institucioni edukimi për rastet e kryerjes së veprave penale nga persona të mitur dhe që në bazë të ligjit nuk mbajnë përgjegjësi penale. Dobjani i bëri këto sugjerime në kuadrin e raportit vjetor që i dërgoi Parlamentit, në të cilin kishte edhe disa problematika të mprehta, ku theksohet rritja e torturës në burgje e paraburgim si dhe kushtet e vështira. Në adresë të Avokatit të Popullit kishin mbërritur me mijëra ankesa ku një pjesë e mirë prej tyre kishin marrë përgjigje. Sa herë janë vërejtur probleme në sistemin e drejtësisë e policisë, Avokati i Popullit nuk ka ngurruar të lëshojë alarmin, duke dalë në mbrojtje të interesave të qytetarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›