Projektligji shtupë i informacionit në Itali
Projektligji nr. 1611 mbi Survejimet, ose siç njihet në zhargon i ashtuquajturi “ligji shtupë i informacionit”, është duke bërë bujë të madhe aktualisht në Itali, pasi bie ndesh me lirinë e shtypit dhe sidomos me vetë procedurat gjyqësore. I propozuar nga qeveria aktuale dhe i aprovuar me 164 vota në favor e 25 kundër nga Senati italian më 10 qershor 2010, amendamenti duhet të miratohet nga Parlamenti dhe të nënshkruhet nga Presidenti i Italisë për t'u bërë ligj. Amendamenti ka të bëjë në linja të përgjithshme me dy aspekte themelore: me atë të respektimit të jetës private dhe me atë të së drejtës së qytetarit për t’u informuar. Duke imponuar një kufizim jo vetëm të survejimeve pa dijeninë e personave të dyshuar, por edhe duke penguar gazetarët dhe publicistët që t’i botojnë ato përpara seancave paraprake procesuale, pengon gjithashtu bërjen publike të këtyre fakteve për 2-3 vjet. Me fjalë të tjera kemi të bëjmë me një censurë mbi faktet. Pra kufizimet e reja të këtij ligji nuk kanë të bëjnë në mënyrë direkte me lirinë e mendimit dhe të shprehjes, por më shumë me njohjen dhe bërjen publike të fakteve. Por pa njohjen e fakteve nuk mund të krijohen mendime dhe opinione mbi një argument, mbi një ngjarje të caktuar ose personazh publik e si rrjedhojë nuk do të ekzistojë mundësia për të pasur një opinion dhe për ta shprehur atë lirisht!
Kufizimet mbi survejimetItalia, deri më sot, ka pasur një legjislacion shumë progresiv në lidhje me survejimet, por kufizimet e këtij ligji kanë për të krijuar vështirësi për hetimet, duke i krijuar jo pak probleme strukturave shtetërore hetimore. Aktualisht për të vendosur nën survejim numrin e telefonit të një individi (ose grupi individësh) të dyshimtë, autorizimi merret nga një gjykatës. Sipas rregullave të reja mund të survejohen vetëm ata individë, mbi të cilët rëndojnë fakte të rëndësishme faji dhe vetëm për vepra të caktuara kriminale: mafie, terrorizëm, rrëmbim personi, stalking, si dhe ato që janë të dënueshme me më shumë se pesë vjet heqje lirie.
Legjislacioni i sotëm mundëson, për arsye hetimore, vendosjen e mikrofonave përgjues në ambiente publike dhe private, deri në mbarim të hetimeve paraprake, të cilat mund të zgjasin edhe me vite. Sipas projektligjit të ri, vendosja e mikrofonave përgjues në shtëpitë apo makinat e të dyshuarve – të cilët ndërkohë mund të jenë duke kryer akte të ndryshme kriminale - do të lejohen maksimalisht vetëm tri ditë me mundësi rinovimi edhe për tri ditë të tjera.
Për sa i përket kohëzgjatjes së survejimeve, legjislacioni aktual mundëson vendosjen nën kontroll të telefonave gjatë gjithë periudhës së nevojshme të hetimeve paraprake. Normativa e re parashikon një kohëzgjatje për 75 ditë dhe vetëm nëse prokurori ka arsye të motivuara mund t’i kërkojë gjykatësit për hetimet paraprake një zgjatje çdo tri ditë. Në rastin e shkeljeve më të rënda penale, që kanë të bëjnë me organizatat mafioze dhe terrorizmin, mund të bëhet një rinovim 40-ditor, plus një tjetër shtyrje 20-ditore. Sipas Alberto Cisterna, zëvendësprokurori i Drejtorisë Kombëtare të Antimafies, ligji i ri do vërë në pikëpyetje serioze marrëveshjet ndërkombëtare që Italia ka nënshkruar në vitin 1991 në Palermo, kundër kriminalitetit transkombëtar. Në një intervistë të dhënë për gazetën e pavarur italiane “Fakti i Përditshëm”, më 18 qershor 2010, ai shprehet: “Projektligji i miratuar nga Senati ka fshirë konceptin e krimit të organizuar. Ne po përballemi me sulmin më të fortë që kjo reformë po i bën hetimeve kundër bizneseve te pista dhe klientelizmit të politikës së keqe, pasi trajton në të njëjtën mënyre qoftë zyrtarin shtetëror të korruptuar, ashtu edhe bandat e kriminelëve që realizojnë sinergji të sofistikuara dhe të thella me politikën. Në të dyja rastet, do të nevojiten prova të rënda kriminale për të kryer survejimet ose për të përftuar prospektet”.
Aktualisht, kushdo mund të incizojë një bisedë në mënyrë të fshehtë, ashtu siç edhe bëjnë shpesh emisionet investiguese italiane si “Striscia la notizia” dhe “Le Iene”, me qëllim demaskimin e dallavereve dhe mashtrimeve, për të informuar publikun e gjerë. Me projektligjin e ri këto incizime mund t’i kryejnë vetëm gazetarët profesionistë dhe publicistë. Për ata që nuk hyjnë në kategoritë e lartpërmendura, dënimi është burgosja nga 6 muaj deri në 4 vjet. Por pyetja që i lind natyrshëm qytetarit të thjeshtë italian është: Ku do kërkojë drejtësi nëse nuk mund të incizojë një nëpunës publik shtetëror kur ky i fundit, duke abuzuar me vendin e tij të punës, më kërkon në këmbim ryshfete? Pamundësia për qytetarin e zakonshëm që të regjistrojë biseda të tilla shkurajon në këtë mënyrë përgjegjësinë qytetare për një shoqëri civile të përgjegjshme të bazuar në të drejtat e lirisë dhe barazisë; koncepte këto që në rast të aprovimit të këtij ligji, do të funksionojnë vetëm në letër.
SanksionetProjektligji mbart në vetvete kufizime për gazetarët italianë, duke mos lejuar publikimin e akteve hetimore, në të kundërt, gazetarët rrezikojnë përveç gjobës prej 20 mijë eurosh, edhe një dënim me burgim deri në 30 ditë. Ligji parashikon që botimi i këtyre akteve mund të kryhet vetëm pas mbarimit të hetimeve, të cilat, nëse konsiderojmë burokracinë e gjatë dhe paradoksale që mbretëron në Itali, mund të zgjasin edhe vite me radhë. As botuesit e mediave nuk i shpëtojnë këtyre sanksioneve. Konkretisht nëse një gazetë publikon akte që janë të ndaluara, sidomos nëse janë survejime, botuesi dënohet me një gjobë deri në 450.000 euro. Kjo do t’i detyrojë botuesit të kontrollojnë drejtpërsëdrejti dhe tërthorazi përmbajtjen e materialeve të botuara në gazetat e tyre, duke ushtruar kështu edhe një presion mbi gazetarët - gjë që bie ndesh me etikën deontologjike profesionale.
ReagimetProjektligji ka krijuar shumë indinjatë në popull dhe ka ngritur një valë protestash të ashpra nga gazetarët, redaktorët, botuesit, gjykatësit dhe ekspertët ligjorë, të cilët vënë në dukje se ky ligj do të vështirësojë shumë hetimet mbi kriminalitetin e organizuar dhe mbi korrupsionin dhe praktikisht do pamundësojë publikimin e lajmeve mbi këto argumente. Kritika të forta nuk kanë munguar edhe nga Shoqata Kombëtare e Magjistraturës (ita. Associazione Nazionale Magistrati) dhe nga Presidenti i saj, Luca Palamara. "Projektligji mbi survejimet do të gjunjëzojë aktivitetin e hetimeve të Prokurorisë së Shtetit dhe të policisë, përveçse do të kufizojë lirinë e informacionit; shfuqizimi i këtij mjeti hetues do të thotë, në mënyrë të pashmangshme, garanci për mosndëshkimin e kriminelëve”, shprehet Palamara.
Reagimet e Federatës Kombëtare të Shtypit Italian (F.K.Sh.I.) e gjykojnë këtë ligj si një agresion të papranueshëm, duke mobilizuar jo vetëm në Itali, por edhe jashtë saj gazetarë, shoqata, sindikata dhe lëvizje të ndryshme të shoqërisë civile, me qëllim sensibilizimin ndërkombëtar.
Gjatë manifestimit të zhvilluar më 1 korrik në sheshin “Navona” në Romë, sekretari i F.K.Sh.I., Franco Siddi, u shpreh për një rezistencë qytetare të shekullit të 21: “… mosbindje qytetare, pasi ligjet e gabuara nuk duhen respektuar. Në të kundërt dhunohen ligjet mbi shtypin e lirë dhe mbi Kushtetutën”.
Presidenti i F.K.Sh.I., Roberto Natale, do të deklarojë në uebsitin e federatës: “Ne nuk jemi korporativë dhe e kemi sqaruar me fakte negativitetin e këtij projektligji. Nëse ky projektligj aprovohet, atëherë ne si Federatë do të apelojmë në Gjykatën Europiane. […] Një ditë në heshtje, vazhdon Natale, për të dëshmuar dhe denoncuar situatën e rëndë që po krijohet në vend nga ky projektligj. Një heshtje kjo, që do të kthehet në heshtje absolute për shumë lajme, nëse ky ligj aprovohet”. Në këtë mënyrë, presidenti i F.K.Sh.I. ka konfirmuar grevën e përgjithshme të gazetarëve dhe të botuesve italianë, që u zhvillua më 9 korrik, për të protestuar kundër ligjit famëkeq.
Reagimet e ashpra kanë kaluar kufijtë e Italisë e kanë mbërritur edhe nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, nga OSBE (Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë) dhe nga Këshilli i Europës.
Konkretisht Departamenti Amerikan i Drejtësisë është shprehur me anë të zëdhënësit të tij, Lanny Bauer, i cili, gjatë një vizite në Itali, për të përkujtuar vrasjet e gjykatësve Borsellino e Falcone nga ana e mafies, do të vinte theksin te rëndësia esenciale që kanë përgjimet gjatë hetimeve.
Ndërsa OSBE, duke e ftuar klasën politike italiane të heqë dorë nga aprovimi i këtij projektligji ose ta modifikojë atë sipas standardeve europiane, shprehej më 15 qershor me anë të përfaqësueses për Lirinë e Mediave, znj. Dunja Mijatovic: “Jam e shqetësuar që Senati miratoi një projektligj që mund të pengojë seriozisht gazetarinë investiguese në Itali, duke shënuar një trend drejt kriminalizimit të punës gazetareske. Gazetarët duhet të jenë të lirë të publikojnë të gjitha rastet që janë të interesit publik, duke u vënë në një pozitë të atillë që të kryejnë punën e tyre investiguese me përgjegjshmëri”. E menjëhershme kundërpërgjigjja e Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane, me anë të zëdhënësit të saj, Maurizio Massari, duke e gjykuar “të papërshtatshme” deklaratën e OSBE-së në lidhje me këtë masë legjislative, ndërkohë kur procesi parlamentar ndodhet në zhvillim e sipër.
Pozicioni i Këshillit Europian dhe i Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (ang. GRECO: Group of States against Corruption), në të cilën Italia ka aderuar më 30 qershor 2007, është po aq kritikues. Slloveni Drago Kos, i cili është president i GRECO që nga viti 2002, në një intervistë të dhënë më 30 qershor 2010 për gazetën italiane “Fakti i Përditshëm”, do të vinte theksin te balancimi i principeve themelore të cilat janë të vlefshme për të gjithë. “Ky projektligj do të krijojë vështirësi të rënda për luftën kundër krimit të organizuar, do të shprehej Kos. Në njërën anë, ekziston e drejta e mbrojtjes së privatësisë dhe nga ana tjetër, ekziston e drejta themelore e shtetasve italianë për të jetuar në një realitet të sigurt dhe të informuar. Këto parime duhet të jenë të balancuara. Nuk mund të mbrohet një e drejtë themelore, duke shkelur një tjetër të drejtë themelore e ndonjëherë edhe më të rëndësishme, të tilla siç janë liria e kronikës gazetareske dhe e shprehjes. Jam i sigurt se nëse ligji do të aprovohet, dikush në Itali ka për të ngritur çështjen e kushtetutshmërisë së tij dhe gjykatësit tuaj kushtetues, do të përballojnë një detyrë shumë të vështirë”.
E drejta për t’u informuarNdalimi që u bëhet mediave për të botuar survejimet që i përkasin interesit publik shkel nenin 21 të Kushtetutës italiane, që mbron të drejtën dhe detyrën e kronikës gazetareske, gjithashtu shkel edhe ligjin ndërkombëtar. Që të kuptojmë rëndësinë e madhe të gazetarisë investiguese, le të kujtojmë këtu dy raste: atë të ish-presidentit të ShBA, Nikson, i cili për skandalin “Watergate” u detyrua të japë dorëheqjen falë botimit të fakteve nga ana e shtypit të lirë amerikan; dhe vendimin gjyqësor “Sunday Times” kundër Britanisë së Madhe (26 prill 1979) ku Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut njohu rolin themelor të mediave të komunikimit lidhur me të drejtën për të informuar publikun mbi procedimet gjyqësore, kundër eksponentëve të rëndësishëm të politikës.
Shumë eksponentë me peshë të Italisë janë të pakënaqur nga publikimet që dalin nëpër faqet e para të gazetave, që hedhin dritë mbi çështjet dhe bizneset e tyre, shpesh të dyshimta dhe ilegale. Kush merret me politikë dhe nuk ka asgjë për të fshehur, gjithashtu nuk ka frikë as nga verifikimet e vazhdueshme të medias, pasi në demokraci është themelore sistemi i kontrollit dhe balancimi i ushtrimit të pushtetit. Sjelljet skandaloze dhe penalisht të dënueshme të shumë figurave publike, vetëm një shtyp i lirë mund t’i zbulojë, t’i thellojç dhe t’i përhapë për publikun e gjerë që ky i fundit të mund të ushtrojë të drejtën legjitime për t’u informuar dhe për të njohur të vërtetën ashtu siç është.
#