E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektplan i veprimit kombetar per reagimin ndaj ndotjeve aksidentale detare

Hartimi i një projektplani të veprimit kombëtar për reagimin ndaj ndotjeve aksidentale detare ka mbledhur në Durrës një takim 3-ditor, specialistë të mjedisit nga i gjithë vendi, me mbështetjen e Programit të Mjedisit të Kombeve të Bashkuara (UNEP) dhe Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO).

"Në këtë takim të organizuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit rreth 40 specialistë nga kjo ministri dhe Ministria e Energjetikës, përfaqësues nga portet detare të vendit, kapiteneria dhe ndërmarrjet e fuqishme si “Romano port”, “Petrolifera” apo TEC-i i Vlorës do të sjellin përvojat e tyre lidhur me reagimin e shpejtë dhe efektiv ndaj derdhjeve të naftës dhe lëndëve të tjera të rrezikshme në det", tha drejtori i Politikave të Transportit Detar pranë kësaj ministrie, Shkëlqim Xhaxhiu.

Sipas tij, plani që po hartojmë synon të krijojë kushte për bashkëpunimin kombëtar dhe ndërkombëtar në detin Adriatik, Jon dhe në detin Mesdhe.

Ky plan bëhet operativ atëherë kur ndotja tejkalon kapacitetin e reagimit individual tё anijeve, porteve, të terminaleve tё naftës, kantiereve detare, platformave detare dhe tё autoriteteve lokale ose rajonale.

"Për këtë arsye përveç bazës ligjore dhe përgjegjësive ne kërkojmë të krijojmë një organizim operativ dhe të zbatueshëm nga të gjitha institucionet publike dhe private", theksoi më tej Xhaxhiu.

Gjatë këtyre ditëve në mjediset e portit detar do të zhvillohen edhe ushtrime konkrete lidhur me përballimin e ndotjeve dhe reagimin e përbashkët të njësive të ngarkuara për mbrojtjen e mjedisit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›