E Shtunë, 31 Tetor 2026

Projektvendimi i qeverisë për rolin e hartës dixhitale

Qeveria miratoi në mbledhjen e fundit të saj një projektvendim, i cili përcakton të gjithë elementët e administrimit të informacion që është përfituar nga fotografimi ajror i vendit në mënyrë dixhitale. Pika e parë e projektvendimit përcakton që institucionet shtetërore të ruajnë, administrojnë dhe të shpërndajnë informacionin hartografik si dhe të mbajnë përgjegjësinë mbi detyrimet vetëm kur i referohen kësaj harte. Ky produkt nga kjo hartë përbën bazën zyrtare të informacionit hartografik dhe do të shërbejë për funksionimin e sistemit të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, funksionimin e sistemit të adresave, funksionimin e sistemit të regjistrimit të popullsisë, kryerjen e studimeve urbane në të gjithë vendin, zbatimin e projekteve të ndryshme si dhe për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit. Kopjet origjinale të produktit fotogrametrik do të depozitohen në Agjencinë e Legalizimeve si dhe në Arkivën shtetërore të qeverisë. Arkivi Qendror Teknik i Ndërtimit është autoriteti përgjegjës për dublikimin, riprodhimin dhe legalizimin e kopjeve të produktit fotogrametrik në favor të çdo subjekti të interesuar, publik ose privat. Brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij projektvendimi, Arkivi Qendror do të paraqesë për miratim plan-veprimin për plotësimin me burime njerëzore dhe financiare për ofrimin e këtyre shërbimeve. Institucionet shtetërore nuk mund të kryejnë procedura prokurimi me fonde publike apo të donatorëve për krijimin e produkteve hartografike të një standardi më të ulët se produkti fotogrametrik, i cili është përfituar nga fotografimi ajror dhe dixhital që do të bëjë ALUIZNI. Harta dixhitale, krahas krijimit të një standardi me përdorimin dhe menaxhimin e territorit, do të mundësojë një informacion të veçantë për çdo subjekt privat, i cili kërkon të investojë në vend.

15 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›