Patozi: “Kushtetuesja dhe Kolegji kanë vendosur kundër hapjes së kutive
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Astrit Patozi, u shpreh dje se ekzistojnë dy vendime gjykatash kundër hapjes së kutive të votimit. Duke iu referuar deklaratës së kreut të PS-së, Rama, Patozi tha se ai duhet të lexojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe atë të Kolegjit Zgjedhor. Sipas Patozit, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar qartë parimin e ndarjes së pushteteve dhe se sipas vendimit të kësaj gjykate, vetëm një autoritet më i lartë gjyqësor mund të ndryshojë vendimet e një gjykate më të ulët. Ndërsa Kolegji Zgjedhor e ka cilësuar të paligjshme kërkesën e dy anëtarëve të KQZ-së për hapjen e kutive. Kjo deklaratë e Patozit vjen pas deklaratave të kreut të PS-së, Rama, sipas të cilit nuk ka asnjë vendim gjykate për moshapjen e kutive të votimit. Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme deputetët demokratë, në kuadër të një vendimi të Grupit Parlamentar, kanë reaguar kundër grevës së PS-së, duke e cilësuar atë si mjet për të bllokuar liberalizimin e vizave për shqiptarët.
Vendimet
Sipas kreut të deputetëve demokratë, Rama gënjen kur thotë se nuk ka asnjë vendim gjykate që nuk lejon hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave. “Në këto rrethana ndjehem i detyruar t’i informoj shqiptarët, se në Vendimin e datës 4.12.2003 të Gjykatës Kushtetuese, shkruhet: ‘Komisionet hetimore parlamentare duhet të respektojnë parimin e ndarjes së pushteteve, parim i cili nënkupton në mënyrë të veçantë përcaktimin e marrëdhënieve ndërmjet autoritetit të gjykatave dhe pushteteve të tjera’. Dhe më poshtë: ‘Element esencial i ndarjes së pushteteve është pavarësia e gjykatave dhe gjyqtarëve. Vendimet gjyqësore mund të ndryshohen vetëm nga një autoritet më i lartë gjyqësor. Këto parime përjashtojnë çdo formë kontrolli parlamentar mbi aktivitetin juridiksional të gjykatave. Artikulimi i vlerësimeve kritike ndaj gjykatave nëpërmjet raporteve të komisioneve parlamentare nuk është në përputhje me parimet kushtetuese’”, - citoi Patozi pjesë nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Më tej, kryetari i Grupit të PD-së tha se përveç vendimit të Gjykatës Kushtetuese, hapjen e kutive dhe rinumërimin e votave e ndalon edhe vendimi i Gjykatës së Apelit, ose, siç quhet ndryshe, Kolegji Zgjedhor.
“Vendimi i Gjykatës së Apelit më datë 27.07.2009 e ndalon hapjen e kutive duke rrëzuar kërkesën e Partisë Socialiste kur gjykon padinë për vendimin e KQZ-së, i cili kishte hedhur poshtë kërkesën e dy komisionerëve socialistë për rinumërim të votave. Kolegji Zgjedhor, hallka fundore që përcakton Kodi Elektoral, i miratuar me konsensus nga palët, shprehet si më poshtë: ‘Mund të rinumërohen vetëm votat e kundërshtuara gjatë numërimit dhe se kategoria e vetme e votave, e cila bart me vete mosmarrëveshje lidhur me vlerësimin e tyre, mbetet të jetë kategoria e votave të kontestuara. Kolegji Zgjedhor, në mungesë të votave kundërshtuara, konkludon se kërkesa e dy anëtarëve të KQZ-së vlerësohet e paligjshme konceptualisht dhe, në mungesë të rrethanave faktike të nevojshme për këto dy kërkesa, Kolegji ka arritur në përfundimin se kur nuk ka mosmarrëveshje, nuk ka gjykat뒔, - ka cituar Patozi vendimin e Kolegjit Zgjedhor.
Reagimet
Ndërkaq, deputeti demokrat, Osman Metalla, e ka cilësuar grevën e PS-së si mjet për të bllokuar liberalizimin e vizave për shqiptarët. “Pas dështimit të protestës së 30 prillit, zoti Rama vendosi të fusë në grevë urie deputetët e PS-së si një mënyrë tjetër kriminale për të penguar heqjen e vizave për shqiptarët që mezi po e presin. Radikalizimi i veprimeve të tyre të marra në dëshpërim janë përpjekje e hapur e bllokmenëve për të bllokuar vizat, për të marrë pushtetin, për të krijuar përplasje dhe për të ardhur në pushtet me çdo mjet, përveç votës”, - është shprehur Metalla. Ndërsa deputetja Rajmonda Bulku i bëri thirrje Ramës që të nxjerrë nga greva deputetet femra. “Zoti Rama, nxirri këto nëna nga greva! Zoti Rama, mos i mbaj si skllave! Ti, në fakt, nuk e kupton se sa sublim është një fëmijë. Po ato zonja janë të frikësuara prej teje”, - është shprehur Bulku.
5 Maj 2010