Topi niset drejt Turqisë për të marrë pjesë në Samitin Ekonomik Euro-Aziatik
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar, u nis dje për në Turqi, ku do të marrë pjesë në Samitin XIII Ekonomik Euro-Aziatik që do të zhvillohet në datat 5-7 maj në Stamboll. Në këtë samit të organizuar nga fondacioni “Marmara” do të jenë të pranishëm kryetarë shtetesh, ministra, akademikë dhe drejtues të dhomave të tregtisë dhe ekonomisë së vendeve nga Europa Juglindore, nga rajoni i Detit të Zi dhe i Kaspikut, Kaukazi etj. Politikat euroaziatike për zhvillimin dhe bashkëpunimin ekonomik, çështje të kapërcimit të krizës botërore ekonomike dhe financiare janë disa nga temat kryesore që do të trajtohen nga pjesëmarrësit në këtë samit. Gjatë punimeve të Samitit XIII Ekonomik Euro-Aziatik, presidenti do të mbajë fjalën në seancën plenare të hapjes.
Godo: “Topi të thërrasë urgjent Ramën dhe Berishën”
Politikani Sabri Godo, duke iu referuar përshkallëzimit të krizës politike në vend, i ka bërë thirrje dje presidentit Topi që të ulë në një tryezë bisedimesh Ramën dhe Berishën. Sipas Godos, duhet të vendoset sa më parë dialogu mes dy politikanëve përpara se situata të dalë jashtë kontrollit. “Zgjidhje ka vetëm një, që palët të takohen në mes të rrugës, të ulen në bisedim. Duket sikur s’ka shteg për bisedim, sikur rrugët janë të mbyllura. Unë e kam fjalën te një takim i drejtpërdrejtë i Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Kryetarët ose delegacionet e partive, si ta gjejnë të udhës, por zgjidhja përfundimtare duhet të gjendet aty, duke lëshuar secila nga palët”, - tha Godo. Sipas tij, presidenti Topi duhet të marrë në dorë pozicionin e tij si kryetar shteti. “Presidenca, pa dyshim, duhet të luajë një rol më aktiv. Unë mbeta disi i habitur kur shoh se, i pyetur për këto ngjarje, presidenti nuk gjen gjë tjetër të të thotë veçse ai pozicionohet për demokracinë. Kjo nuk qëndron fare. Është një situatë kritike, mund të dalë nga kontrolli dhe presidenti duhet të bëjë paralajmërimet e veta. Nuk është ai që do ta zgjidhë këtë situatë, por ai duhet ta thotë të tijën”, - tha Godo.
5 Maj 2010