E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokurimi i energjisë, e njëjta kompani cakton dy çmime të ndryshme

Në dhjetor të vitit 2006, qeveria prokuroi në mënyrë të drejtpërdrejtë blerjen e energjisë për muajt dhjetor 2006 - janar 2007, kontratat me kompanitë kanë pësuar rritje të çmimit në kundërshtim me ligjin
Habjon Hasani
E njëjta kompani ka ofruar dhe fituar prokurimin me dy çmime të ndryshme. Ky është konkluzioni i KLSH-së për blerjet me prokurim të drejtpërdrejtë në fillim të vitit të kaluar. Gjithçka filloi më 11 dhjetor të vitit 2006, kur qeveria shqiptare mori vendimin për “Lejimin e KESH-it të përdorë procedurën “Prokurim i drejtpërdrejtë” për blerjen e energjisë elektrike në periudhën dhjetor 2006 - janar 2007”. Ky prokurim u fokusua te gjashtë kompani gjithsej, ndërsa vlera totale e prokurimit arrinte diku tek 17 milionë euro. Inspektimi dhe vlerësimi i lidhjes së kontratave mes qeverisë dhe këtyre firmave ka nxjerrë në pah “akrobaci” të ndryshme, të cilat konsistojnë në rritjen fiktive të çmimit apo dhe në shkeljen e procedurave standarde. “Çmimi i blerjes së energjisë në tenderin me prokurim të drejtpërdrejtë është më i lartë se çmimi i ofruar nga e njëjta kompani në tenderin e hapur ndërkombëtar të zhvilluar më datë 06.11.2006 për të njëjtën periudhë të lëvrimit të energjisë elektrike”, - konstaton KLSH-ja, duke nxjerrë zbuluar abuzimin me rritjen fiktive të çmimit të energjisë së importuar.
EGL
Një tjetër aspekt i kontrollit të këtij prokurimi lidhet me kontratën që KESH sha ka lidhur me kompaninë EG, totali i së cilës shkon te 4.5 milionë euro. Sipas KLSH-së, lëvrimi i energjisë ka filluar në datën 1 janar 2007, ndërsa kontrata me shoqërinë EGL është nënshkruar në datën 16 janar, pra 15 ditë para nënshkrimit të kontratës. Më tej, ekspertët kontabël të KLSH-së kanë arsyetuar se të dhënat e kontratës nuk janë bazuar mbi të dhënat e ofertës mbi sasinë e kontaktuar apo me orarin e transmetimit. ”Ky është një veprim që ngarkon me përgjegjësi komisionin e negociimit të kontratës, i përbërë nga ”Eldar Kazo, Luan Aranitasi, Ylli Demiraj, Aida Gjymyshka, Evis Sopi, Sokol Spahiu, Halit Velaj, si dhe kryetarin e entit prokurues Andi Beli”, - shkruhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Një tjetër aspekt i mangësive të kontratës së lidhur me firmën EGL ka lidhje me ngritjen arbitrare të çmimit me kompaninë EGL, e cila, duke mos firmosur kontratën në kohë, ka caktuar në një kohë të dytë një çmim më të lartë për të njëjtën sasi dhe lloj malli të porositur nga KESH sh.a. ”Shoqëria EGL, Zvicër, nuk ka nënshkruar kontratën për lëvrimin e 108 GËh energji elektrike për periudhën 01.01.2007 - 31.03.2007 me çmim 61.9 euro/MËh, e cila është shpallur fituese në tenderin e zhvilluar në datën 06.11.2006, megjithatë enti prokurues ka nënshkruar kontratën me prokurim të drejtpërdrejtë me këtë kompani me çmim 75 euro/MËh me një diferencë +13.1 euro më shumë se çmimi i ofruar në tenderin e hapur ndërkombëtar”, - shkruhet në raportin e KLSH-së, i cili bën përgjegjës për këtë shkelje komisionin e vlerësimit me kryesues ish-drejtorin e KESH-it, Andi Beli.
Energjia
Në inspektimin e KLSH-së është zbuluar edhe një tjetër mënyrë abuzimi, e cila nuk lidhet me rritjen e çmimit, por me uljen e sasisë së energjisë së importuar, duke sjellë sërish dëm financiar. ”Sasia e lëvruar e energjisë elektrike nga kompania “Montmontaza” nuk është sipas kontratës, por me diferencë në më pak se 6.720 MËh. Enti prokurues nuk ka konfiskuar sigurimin e kontratës duke shkaktuar efekt financiar negativ me dëm ekonomik në vlerën 74.880 euro, veprim në kundërshtim me kushtet e përgjithshme dhe kushtet e veçanta të kontratës dhe që ngarkon me përgjegjësi drejtorin e Prokurimeve Sokol Spahiu, drejtorin e Drejtorisë Ekonomike Eldar Kazo, administratorin e kontratës Luan Aranitasi dhe kryetarin e Entit Prokurues Andi Beli”, - nënvizon raporti i KLSH-së.

KLSH: Audituesit kanë ”amnistuar” abuzimet e drejtorëve

Duke patur parasysh praktikën klasike të ndërhyrjes së ekspertëve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, këta të fundit njihen dhe me auditimet e bëra nga ekspertët e Ministrisë së Financave, por duket se njohja me këto audite ka nxjerrë në pah një të vërtetë të hidhur. Audituesit e ”qeverisë” duket se kanë ”amnistuar” shumë drejtues të KESH-it që kanë kryer shkelje flagrante, duke kërkuar masa tepër të buta disiplinore në drejtim të tyre. Kaq arbitrare është mbrojtja që Auditi u ka bërë këtyre drejtuesve, saqë hartuesit e KLSH-së kanë vendosur të tërheqin vëmendjen duke bërë një paragraf special vetëm për këtë problem. ”Në përfundim duhet të theksojmë se me gjithë punën e Departamentit të Auditimit konstatohen përpjekje për identifikimin dhe trajtimin e risqeve më të larta në veprimtarinë ekonomiko-financiare të KESH sh.a, por rezultatet në parandalimin dhe eliminimin e faktorëve që ndikojnë në veprimin e këtyre risqeve janë në nivele të ulëta. Kjo ka ardhur edhe për faktin se nuk ka përputhje ndërmjet shkallës së zbulimeve nga auditimet dhe dhënies së rekomandimeve, masave disiplinore, administrative e penale sipas përgjegjësive”, - shkruhet në raportin e KLSH-së.

Skandali, korporata e miliardave pa rregullore të brendshme

Ndërsa shkeljet dhe dëmet financiare kanë qenë të qarta në KESH, duket se gjetja e përgjegjësve për KLSH-në nuk ka qenë edhe aq e lehtë pasi ky institucion nuk ka një rregullore të brendshme, e cila do të strukturonte përgjegjësit dhe kufijtë e secilit drejtues apo punonjës. Kjo ka qenë edhe arsyeja që në listën e rekomandimeve të KLSH-së pika e parë ishte pikërisht rekomandimi se KESH duhej sa më shpejt të hartonte një rregullore të brendshme. “Të hartohet dhe miratohet rregullorja e brendshme e funksionimit të shoqërisë duke pasqyruar ndryshimet e bëra në strukturën e KESH-it”, - shkruhet në raportin e KLSH-së. Ndërkohë që pika e dytë e rekomandimeve ka lidhje me prokurimet. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe kur ky kontroll i KLSH-së ka vërtetuar se prokurimet për blerjen e energjisë, dhe jo vetëm, kryhen jashtë çdo lloj standardi dhe kontrolli. “Të ngrihet njësia e prokurimit në strukturat e zonave të shpërndarjes elektrike“, - shkruan raporti i KLSH-së. Gjithashtu, KLSH-ja ka kërkuar që “të merret në analizë realizimi i investimeve të akorduara në vite nga fondet e donatorëve të huaj, të evidentohet problematika dhe të përcaktohen masat konkrete për plotësimin e të gjitha kushteve të përcaktuara në kontratat përkatëse”.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›