E Diel, 1 Nëntor 2026

Tenderi, 162 milionë euro energji u blenë pa inventar

EKSKLUZIVE/ Zbardhet Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit për KESH-in. Në vitin 2007, 162 milionë euro janë prokuruar pa procedurë dhe pa inventar, duke e kthyer prokurimin në një skemë të pastër abuzimi. Disa firma kanë lidhur kontratat pasi jan
Habjon Hasani
Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar se rreth 162 milionë euro të akorduara nga qeveria shqiptare për blerjen e energjisë në vitin 2007 janë lëvruar në mënyrë të kundraligjshme dhe krejtësisht të pakontrolluar. “Albania” boton sot për herë të parë pjesët më të rëndësishme të këtij raporti mes rreshtave të të cilit konstatohet se shuma marramendëse prej 162 milionë eurosh është menaxhuar në mungesë të procedurave dhe të inventarëve, duke e kthyer të gjithë operacionin në një “oaz” të qetë për abuzime marramendëse. Kësisoj dhe dëmi është i pallogaritshëm pasi që në zanafillë të prokurimit janë hasur mungesa të dorës së pare, siç janë procedurat dhe inventarët. Më konkretisht, bëhet fjalë për tenderin “Blerje 2.206,3 GWh energji elektrike për periudhën 01.01.2007-31.12.2007”. Pas shqyrtimit të këtij prokurimi të bërë nga KESH-i në fund të vitit 2006, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dalë në konkluzionin se edhe pse bëhet fjalë për një prokurim tejet të rëndësishëm dhe me shifra shumëmiliardëshe (162 milionë euro) për shpenzimin e këtyre lekëve nuk ka ekzistuar as dokumentacioni minimal, siç janë procedurat dhe inventarët.
Abuzimi
“Në këtë tender mungon regjistri i procedurave të prokurimit, veprim ky në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit, i cili ngarkon me përgjegjësi njësinë e prokurimit dhe komisionin e vlerësimit të ofertave”, - konkludon KLSH-ja. Më tej, në raportin special specifikohet se një mungesë tjetër po aq e rëndësishme lidhet edhe me mungesën e inventarëve, të cilët specifikojnë kanalizimin dhe shpërndatrjen e shumës totale, duke e shndërruar në këtë mënyrë të gjithë tenderin në një “transaksion” jashtë çdo lloj kontrolli. “Dosja e tenderit është e painventarizuar, në kundërshtim me udhëzimin e Këshillit të Ministrave Nr.1, datë 01.01.1996, “Për Prokurimin Publik”, veprim që ngarkon me përgjegjësi njësinë e prokurimit”, - shkruhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ky tender, me vlerën prej afro 162 milionë eurosh, ishte tenderi që do të përcaktonte lidhjen e kontratave për blerjen e energjisë përgjatë gjithë vitit 2007, por sikurse dhe dihet viti 2007 rezultoi si një nga vitet me mungesën më të madhe të energjisë elektrike në vend, ndërsa së fundi zbulohet se prokurimi për blerjen e energjisë ka qenë jashtë çdo lloj kontrolli, qoftë ky edhe formal.
Kontratat
Nga Kontrolli i Lartë i Shtetit është vërtetuar se mungesat serioze (procedura dhe inventarë) gjatë prokurimit janë pasuar nga mungesa dhe veprime të ngjashme edhe në lidhjen e kontratave. E tillë është dhe kontrata e lidhur me kompaninë EFT, ku sipas KLSH-së Korporata Elektroenergjetike i ka lëvruar një shumë prej 2.652 milionë eurosh kësaj kompanie në një kohë që kontrata ende nuk ishte nënshkruar. Të paktën ky veprim fakton se sasi të mëdha lekësh janë lëvruar në kundërshtim me të gjitha reregullat, ndërsa janë favorizuar në mënyrën më arbitrare të mundshme kompani të ndryshme. “Sigurimi i kontratës së kompanisë “EFT”, me nr. 13/KGB/2007, ref. nr. SAGT 174-142 1042, në bankën “CREDIT SWISSE, ZYRICH CH”, datë 30.01.2007, në vlerën 2,652,576 milionë euro, është kryer pas nënshkrimit të kontratës nga palët. Përveç kësaj ky dokument nuk është origjinal dhe si i tillë rezulton i pavlefshëm”, - shkruhet në raportin e KLSH-së. Nga sa më sipër nënkuptohet qartë se jo vetëm kontrata është nënshkruar pasi janë kryer veprimet financiare, por duket se dhe vetë kontrata nuk disponon të dhënat e një dokumenti origjinal dhe autentik, çka e kthen të gjithë pagesën në një operacion të paligjshëm, duke u shkaktuar shqiptarëve një dëm prej gati 2.5 milionë eurosh që në marrëveshjen e parë për blerjen e energjisë së vitit 2007. Nga raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit konstatohet se për vite me radhë drejtuesit e KESH-it kanë ndjekur të njëjtat metoda antiligjore për blerjen e energjisë. Gazeta “Albania” do të zbardhë në ditët në vijim dhe të tjera prokurime të bëra në vitet 2005 dhe 2006, ku kontratat janë lidhur në mungesë të plotë të transparencës dhe në kundërshti të plotë me ligjin për prokurimet publike.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›