LSI: Arsyet pse ligji cenon rëndë pavarësinë e organit të akuzës
Partia e dytë e opozitës konstatoi dje se "reformimi i institucionit të organit të akuzës" po vjen në një kohë kur ai po heton dhe ka dërguar për gjykim disa procedime penale për funksionarë të lartë publikë. "Si ajo e Gërdecit, e rrugës Durrës-Kukës, e Fazlliç, zhdukjes së biznesmenit Remzi Hoxha dhe dhjetëra procese të tjera", theksoi Nasip Naço, anëtari i KDK-së. Në vlerësimin e tij në projektin e Ministrisë së Drejtësisë, në disa nene cenohet rëndë puna dhe pavarësia e organit të akuzës. "Është shfuqizuar neni 36 i ligjit 8737 i vitit 2001 i ndryshuar për mbrojtjen nga procesi penal i prokurorëve", tha Naço. Teksa insistoi se shfuqizimi i kësaj dispozite të mësipërme i përball prokurorët me abuzivitetin e mundshëm në rrugë nga shërbimet e policisë, kur ata janë në krye të ushtrimit të funksioneve të tyre kushtetuese a të ndjekjes penale. "Shfuqizimi i këtij neni pa dyshim do të krijojë pasiguri në punën e prokurorëve, kur ata çdo ditë, po përballen me abuzimet e kësaj mazhorance", vijoi ai. LSI vlerëson se heqja e këtij neni, do t‘i mbajë nën presion të vazhdueshëm, të gjithë ata prokurorë, të cilët në punën e tyre, do të përballen me çështje penale në ngarkim të kësaj mazhorance. "Në vazhdën e ‘kontrollit‘ dhe jo të reformimit të institucionit të akuzës për të cilin pretendohet nga mazhoranca është ndryshuar edhe neni 56 i këtij ligji duke u shtuar me dy paragrafë të tjerë", theksoi Naço. Në to thuhet se ministri i Drejtësisë kontrollon në mënyrë të planifikuar ose në bazë të informacioneve të dhëna nga organe, institucione ose persona të interesuar, ligjshmërinë e veprimtarisë së prokurorëve. Ndërsa objekti i kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë në organin e prokurorisë është: ndjekja e ecurisë së çështjeve që përmbahen në rekomandimet vjetore të dhëna nga Këshilli i Ministrave për luftën kundër kriminalitetit; respektimi i afateve të hetimit; respektimi i afateve të paraburgimit etj. "Në gjendjen që ishte neni 56 i pandryshuar kontrollohej ligjshmëria e punës së prokurorëve dhe realizohej edhe ajo pjesë e kontrollit nga jashtë sistemit, nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë. Ligjshmëria e punës së prokurorëve, çdo ditë kontrollohet nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm", vlerëson LSI. Ky ndryshim, mendohet se bën të mundur që ministri i Drejtësisë, të raportojë në Kuvend për inspektimet në organin e akuzës dhe padyshim që do të shndërrohet në një debat politik në Parlament. "Do të cenojë rëndë punën e prokurorëve dhe të Prokurorit të Përgjithshëm, do të cenojë rëndë interesat e ligjshme të shtetasve, do të cenojë rëndë forcimin e rendit juridik dhe zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjeve të tjera të shtetit", u shpreh Naço. LSI argumenton se me ndryshimet e bëra kërkohet që të mos kemi një Prokuror të Përgjithshëm, të fortë e të pavarur, që zbaton ligjet pa pasur parasysh qëndrimet politike apo ndikime të tjera për zhvillimin e vazhdueshëm demokratik të Shqipërisë.