E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët: Zona ku humbi Mata s’është krehur siç duhet

29/06/2010 Asnjë e re nga zhdukja e vogëlushes në Zapod të Kukësit, mister fati i 6-vjeçares

TIRANE- Zhdukja e 6-vjeçares Bleona Mata vazhdon të mbetet mister për hetuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët për rreth një muaj po kryejnë veprime hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes. Dëshmitarë okularë, familjarë dhe banorë të zonës janë marrë në pyetje, por asnjëri prej tyre nuk ka treguar se çfarë ka ndodhur mbrëmjen e 21 majit në malet e fshatit Zapod të Kukësit. Ajo që aktualisht hetuesit kanë shpresa është gjetja e ndonjë gjurme si: rroba, sandale, apo diçka tjetër në terrenin malor të fshatit Zapod. Kjo pasi sipas tyre zona nuk është krehur mirë nga banorët e zonës dhe policitë e dy vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës. Ky problem është kthyer në një pretekst për grupin hetimor, të cilët vazhdojnë të mendojnë se në pyllin e dendur që ndodhet mbi fshatin Zapod, duhet të ekzistojnë gjurmë të vogëlushes. Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, organi i akuzës ka mundur të zbardhë dhe identitetin e mashkullit misterioz të vënë re nga gjyshja e 6-vjeçares Bleona Mata. Sipas Prokurorisë, djali që është parë të ngjitet në mal në drejtim të vajzave, është banor i një fshati, që ndodhet shumë afër me Zapodin. Ai është marrë në pyetje nga hetuesit, por për disa orë shpjegimi është vërtetuar se djaloshi nuk ka lidhje me këtë ngjarje. Nisur nga kjo situatë organi i akuzës ka vendosur të lërë të lirë djaloshin, duke ju rikthyer kështu hamendësimeve mbi zhdukjen misterioze të 6-vjeçares Bleona Mata. Një nga këto hamëndësime është se vogëlushja Mata mund të ketë lëvizur nga vendi ku është lënë e vetme nga pesë vajzat më të rritura. Hetuesit mendojnë se 6-vjeçarja ka shumë mundësi që të ketë braktisur pozicionin e saj dhe të jetë futur e vetme në pyll. Këtë hipotezë hetuesit e mbështesin mbi faktin, se Bleona Mata ka kërkuar të ndjekë më tej vajzat e rritura dhe në pamundësi për të gjetur ato, ajo ka humbur në pyll. Burimet shtojnë se gjatë natës ajo mund edhe të jetë sulmuar nga ndonjë kafshë e egër, pistë kjo që nuk ka mbështetjen maksimale nga anëtarët e grupit hetimor. Nisur nga kjo situatë e mjegullt, hetuesit kanë vendosur të intensifikojnë hetimet tek vajzat që shoqëronin Bleona Matën. Kjo pasi, sipas tyre, është tepër e pamundur që në një rrafsh kohor fare të shkurtër, të kryhet një zhdukje e tillë pa u vënë re nga 5 vajzat që e rrethonin 6-vjeçaren Mata, duke mos lënë as edhe një gjurmë në terrenin malor. Aktualisht hetuesit vazhdojnë hetimet dhe pritet që gjatë ditëve në vazhdim të ngrenë dhe pista të tjera.

Halla në Prokurori

Lidhur me ngjarjen e rëndë dy javë më parë prokurori Anton Martini ka urdhëruar shoqërimin e hallës së vogëlushes Alketa Mata dhe shoqes së saj Gentjana Maringa në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku në prani edhe të një oficeri të Policisë Gjyqësore ato kanë dhënë sqarime. Përkundër siç ishte menduar nga hetuesit, asnjëra nga vajzat nuk ka pranuar të tregojë më tepër nga dëshmitë e dhëna më parë. Ato kanë pohuar se nuk dinin asnjë gjë mbi fatin e vogëlushes, dhe se kjo e fundit ishte zhdukur fare papritur nga vendi ku ato e kishin lënë të hante bukën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›