OSBE-ODIHR kritikon zgjedhjet në BE
OSBE/ODIHR ka publikuar raportin përfundimtar mbi zgjedhjet evropiane, që u zhvilluan në 27 vende anëtare të BE-së nga data 4 deri më 7 qershor 2009. Në raport vlerësohet se në tërësi, në vendet e Bashkimit Evropian ka mungesë të harmonizimit të kritereve për kandidatët. Disa shtete evropiane, nga ana tjetër, kanë mangësi për masat që lejojnë pjesëmarrjen e kandidatëve të veçantë në zgjedhjet evropiane. Raporti tregon se nuk është respektuar e drejta për të votuar nga të burgosurit dhe rezidentet e BE-së që nuk kanë shtetësi të ndonjë vendi anëtar. Angazhimet e OSBE-së nuk janë përmbushur për sa u takon masave për garantimin e aksesit të duhur e bashkëpunues për vëzhguesit e huaj apo vendas. Në raportin për zgjedhjet evropianë shprehet shqetësimi dhe për mungesën e mundësisë për të apeluar në një gjykatë vendimin që lidhet me rezultatin zgjedhor në disa prej shteteve anëtare. Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian, në emër të 27 vendeve anëtare, ka përshëndetur raportin e vëzhguesve dhe angazhohet për përmirësime të nevojshme, në përputhje me rekomandimet e bëra në raport nga OSBE/ODIHR.