E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurorët, takime për ndryshimin e kodeve

07/11/2011  Mbledhje në disa prokurori, përfaqësuesit e akuzës i japin rekomandime Ina Ramës për ndryshimet

Kërkohen ndryshime në 16 nene, avokatët dhe masat e dënimit për disa kategori më të këshillueshmet

TIRANE-Debati lidhur me ndryshimet në disa nene të Kodit Penal dhe atij të Procedurës Penale, ka “pushtuar” dhe Prokurorinë, përfaqësues të së cilës çdo ditë përballen me ngërçet dhe papajtueshmërinë ligjore në sallat gjyqësore. Ky debat që momentalisht zhvillohet thuajse nga të gjitha institucionet e drejtësisë, është bërë të enjten e javës së kaluar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, ku çdo prokuror ka dhënë rekomandimet e tij, lidhur me nenet se ku është e nevojshme të ndërhyhet për të kryer ndryshimet në Kodin Penal dhe atë Procedural. Kjo iniciativë është marrë nga Kryeprokurorja Ina Rama, e cila në bashkëpunim edhe me faktorë të tjerë ndërkombëtare që shërbejnë për integrimin e dispozitave ligjore të vendit tonë në ato të vendeve të BE, kërkojnë të njihet me mendimet dhe sugjerimet e vetë prokurorëve. Gazeta “Metropol” mëson se diskutime të këtij karakteri janë bërë dhe në disa prokurori të rretheve, ku prokurorët kanë depozituar me shkrim rekomandimet e tyre. Nga sa mësohet këto rekomandime fillimisht janë administruar nga titullari i Prokurorisë dhe më pas ky i fundit, ia referon për studime të mëtejshme Prokurores së Përgjithshme Ina Rama. Siç mësohet pjesa më e madhe e rekomandimeve janë bërë për nevojën e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, ku në rreth 8 nene të tij, duket që ka ngërç ligjor dhe që tregojnë pazbatueshmëri në jetën e përditshme. Ndërkohë që neni më i sugjeruar për të ndryshuar është ai që flet për rolin e avokatit, ku thuajse nga të gjithë prokurorët janë dhënë mendime të ndryshme lidhur me format që duhet të përdoren, për ndëshkimin e tyre në rast se shkelin ligjin. Në këtë pikë, rekomandimet e dhëna ndahen në dy grupe, ku disa mendojnë se në rast mungese apo largim të qëllimshëm nga salla e gjyqit, avokati të gjobit në vend nga trupi gjykues. Interesi ekonomik është primar për një avokat dhe nisur nga kjo, ky grup prokurorësh kërkon gjobitjen e avokatëve mbrojtës menjëherë sapo ata të largohen nga salla e gjyqit. Ndërkohë që një grup tjetër, e shmang këtë masë në rekomandimet e tyre, dhe sugjeron që mbrojtësi i një të pandehuri të zëvendësohet me një mbrojtës tjetër, dhe që avokati që mungonte të përjashtohet ligjërisht nga procesi i gjykimit. Mirëpo pikërisht këto, duket se shkelen të drejtat e të pandehurit, i cili mund të mos pranojë zhvillimin e gjykimit me avokatin e caktuar nga gjykata. Veç kësaj shumë nene të tjera, që flasin për armëmbajtjen pa leje dhe vepra të tjera penale, janë rekomanduar të ndryshohen. Në mbledhjet e zhvilluara në Prokurori ndryshime kërkohen të bëhen dhe në Kodin Penal, ku për disa krime janë sugjeruar masa më të rënda dënimi, si dhe praktika të tjera të dënimit me kusht.

Raporti do i dorëzohet Ministrisë së Drejtësisë

Rama, këshilla me të huajt për

raportin e ndryshimeve në kode

Rekomandimet e marra nga prokurorët për nevojën e ndryshimit të kodeve penale, do shërbejnë për hartimin e një raporti, i cili do përmbajë në mënyrë të hollësishme, problematikën që po haset, si dhe efektet që pritet të jepen pas ndryshimeve. Ky raport momentalisht është duke u përpiluar nga Kryeprokurorja Ina Rama, e cila duke u konsultuar dhe me punonjës të huaj të asistencës ligjore, pritet ta përfundojë në ditët në vijim. Nga sa mësohet raporti me rekomandime dhe sugjerimet e nevojshme do i referohet Ministrisë së Drejtësisë, por dhe Kuvendit, me qëllim verifikimin e të gjitha mendimeve që shërbejnë për ndryshimet në Kodin Penal dhe atë Procedural. Nevoja për ndryshime në kodet penale, vjen në një kohë kur shumë procese të bujshme që janë gjykuar nga drejtësia shqiptare kanë dështuar, duke sjellë dhe lirimin e të akuzuarve për vrasje, por dhe vepra të tjera penale. Rasti më flagrant është ai i tragjedisë “Gërdeci” ku katër të arrestuarit fituan lirinë si rezultat i shfrytëzimit për një kohe të gjatë të hapësirave ligjore të Kodit Procedural. Ky nuk është rasti i vetëm, pasi gjatë gjykimeve janë hasur dhe vështirësi të tjera për sa i përket mosputhshmërisë së disa neneve me jetën e përditshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›