E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori: Kam përgjime se Ina Rama komandon këshillin

07/11/2011  Dedaj: Do filloj punë në Laç shkarkimi im, i padrejtë. Vendimi nga Gjykata e Lartë

TIRANE- Pas dy vitesh “betejë” ligjore me ish-kolegët e tij, prokurori Tom Dedaj ka mundur të fitojë sërish të drejtën e kthimin në detyrën që kryente si prokuror në rrethin e Laçit. Vendimi për rikthimin në punë të Dedaj është marrë unanimisht nga pesë anëtarët e kolegjit civil të Gjykatës së Lartë, të cilët rrëzuan urdhrat e Kryeprokurores Ina Rama si dhe dekretin nr. 6227 të Presidentit Bamir Topi, ku nëpërmjet tyre ishte shkarkuar prokurori Tom Dedaj. Mirëpo sipas vendimit të gjykatës supreme, kreu i shtetit Bamir Topi, por dhe Kryeprokurorja Ina Rama, nuk i kanë motivuar saktë vendimet e tyre për shkarkimin e prokurorit Dedaj dhe nisur nga këto rrethana gjykata ka urdhëruar kthimin në detyrën e mëparshme të Tom Dedaj, si dhe dëmshpërblimin e tij me të gjitha pagesat, për muajt e larguar nga puna. I kontaktuar nga gazeta “Metropol”, prokurori Dedaj është shprehur se sapo të ketë në dispozicion vendimin e zbardhur të Gjykatës së Lartë që e riktheu në punë, ai do shkojë në Prokurorinë e Kurbinit, për të rifilluar punën e prokurorit, pikërisht në zyrën që e kishte lënë pas shkarkimit. Më tej prokurori Dedaj shtoi se shkarkimi i tij ka qenë i padrejtë dhe se përgjatë karrierës së tij nuk ka kryer asnjë shkelje ligjore në dosjet që ka hetuar. “E kam thënë dhe më parë se shkarkimi im ishte motivuar nga Kryeprokurorja Ina Rama, e cila për qëllime personale të saj, mundi të kthejë kokën time, në kokë turku. Ju garantoj se asnjëri nga shtatë anëtarët e Këshillit të Prokurorisë së Përgjithshme s’ka dashur të firmosë shkarkimin tim nga detyra, por nën presionin e Kryeprokurores Ina Rama, anëtarët kanë pranuar në mënyrë antiligjore të urdhërojnë shkarkimin tim. Kontrolli i akt-inspektimit nuk ka pasur asnjë shkelje, por disa anëtarë këshilli kuisling (Kukulla), të komanduar dhe drejtuar nga Ina Rama, pranuan të bëjnë rolin e shurdhit dhe të qorrit”,- shprehet prokurori Tom Dedaj. Më tej ky i fundit shton se implikimin e drejtpërdrejtë të Ina Ramës në shkarkimin e tij të padrejtë, e ka provuar gjatë bisedave me disa anëtarë të këshillit, ku sipas Dedaj ai ka mundur t’i përgjojë. “Këto përgjime do më duhet t’i nxjerr në një moment të dytë, por mund t’ju them me bindje të plotë se ato tregojnë qartë se si Ina Rama komandon votat në Këshillin e Prokurorisë, vota këto që shkarkojnë dhe emërojnë atë prokuror që dëshiron Kryeprokurorja Rama, dhe që s´merren fare parasysh kriteret profesionale të tij. Unë që prej pesë ditësh, me ligj dhe Kushtetutë kam statusin e prokurorit dhe se ditët në vijim do shkoj në Prokurorinë e Kurbinit, për të rifilluar punë”,-thotë Dedaj. Ndërkohë veç kësaj, Tom Dedaj do i kërkojë Prokurorisë dhe shumën prej 30 milionë lekë, shumë kjo që sipas tij rrjedh nga mbledhja e pagave mujore, për periudhën që ai ka qenë i shkarkuar.

Topit i dërgova dosjen 1.3 kg, por se përfilli fare

“Sot jam prokuror, ngujohem në zyrë

po s´më rikthyen në detyrën që kam”

Pas dhënies së vendimit nga pesëshja e Kolegjit Civil të Gjykatës së Lartë prokurori Tom Dedaj pohon se tashmë ai do përdorë të gjitha mjetet demokratike për t’u rikthyer në punë. Ai shton se në rast se kërkesat e tij nuk merren parasysh, atëherë Dedaj paralajmëron se do përdorë mjete të tjera ekstreme, deri në ngujim në zyrën e tij, që ndodhet në prokurorinë e Laçit. “Ligji dhe Kushtetuta, sot më njohin prokuror dhe nëse do nevojitet unë do ngujohem në zyrën, ku gjykata supreme më ka urdhëruar të kryej detyrën time atë të prokurorit”,-shprehet Tom Dedaj. Ndërsa për sa i përket dhe vendimit të Gjykatës së Lartë për rrëzimin e dekretit nr. 6227 të marrë në 2 shtator 2009 nga Presidenti Bamir Topi, Dedaj shprehet se kreu i shtetit ka firmosur dekretin duke mos u bazuar në prova dhe fakte, e për rrjedhojë gjykata e ka nxjerrë të paligjshëm. Dedaj tregon se gjatë kohës kur Presidenti shqyrtonte çështjen e tij, ai i ka dërguar një dosje me peshë 1.3 kg ku i vinte në dispozicion prova dhe fakte, dosje kjo që sipas tij duket që nuk është marrë parasysh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›