“Italia, aleatja jonë e përhershme strategjike në Europë
Ish-ambasadori i Shqipërisë në Itali, Prof. Pëllumb Xhufi, flet mbi punën e bërë në dy vjet e gjysmë në shërbim të përmirësimit të imazhit të emigrantëve shqiptarë dhe Shqipërisë në Itali. Ai kujton se si u përmirësua hap pas hapi imazhi i një vendi që ndryshe nga vitet e para ’90-s, tani është ndryshuar rrënjësisht. Prof. Xhufi, në rolin e ish-ambasadorit, por dhe të politikanit, i bën thirrje edhe qeverisë dhe shtetit shqiptar edhe për përafrimin dhe krijimin e kushteve optimale për sipërmarrjet dhe bizneset italiane dhe shqiptare në Itali, me qëllim investimet në Shqipëri.
Shumë shqiptarë dhe italianë në Itali kujtojnë dhe flasin edhe sot mjaft mirë për punën dhe aktivitetin tuaj si ambasador i Shqipërisë në atë vend. Pse e gjitha kjo dhe ç’mund të na tregoni diçka më shumë nga ajo kohë?
Funksioni im aty ka qenë si përfaqësues i shtetit shqiptar në Itali, dhe kjo ishte ajo çka nënkuptonte se ishte detyra ime që të kujdesesha i pari për mirëfunksionimin e të gjitha marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Për këtë gjë, për mua marrëdhëniet e mira dhe të forta me Italinë mike ishin qëllimi parësor. Ishte një nga kushtet tona intensifikimi i marrëdhënieve të mira, për më tepër me një shtet që kemi edhe shumë momente historike të përbashkëta, por edhe si një vend që është në rendin e parë të shteteve me të cilat ne duhet të mbajmë marrëdhënie edhe për shkak të qëllimeve tona, që janë integrimi në BE dhe në NATO. Italia është, natyrisht, një aleat i përhershëm dhe strategjik i yni dhe tepër i rëndësishëm. Por, nga ana tjetër, si ambasador i Shqipërisë në këtë vend, mua më duhej që në radhë të parë të kujdesesha edhe për emigracionin tonë në atë vend, i cili duhet thënë se është i shtresëzuar.
Çfarë doni të nënkuptoni kur thoni “emigracion i shtresëzuar”?
Them i shtresëzuar pasi kam parasysh emigracionin tonë në hershëm të para 500 viteve në atë vend. Pra një komunitet i madh arbëreshësh, të cilët ruajnë më së miri gjuhën, kulturën, fenë dhe zakonet e të parëve tanë. Pastaj kemi dhe emigracionin e 17 viteve të fundit, i cili përfaqëson atë ekonomik dhe që zë një shifër impresionuese, që shkon afro 500 mijë emigrantë, nga të cilët rreth 400 mijë të legalizuar. Në këtë kuadër kam pasur të gjithë kujdesin, duke qenë i shtyrë edhe prej qeverisë së Tiranës, konkretisht nga ministri i Jashtëm i asaj kohe, Ilir Meta, i cili më kërkonte që të mbaja një raport mjaft të ngushtë me komunitetet e emigrantëve në atë vend. Për këtë kam qenë prezent në aktivitetet e ndryshme që grupet apo shoqatat e emigrantëve shqiptarë organizonin, p.sh. në Torino, në Piemonte, ku kam shkuar për të tilla aktivitete disa herë. Kam ndjekur me vëmendje edhe konferencat, simpoziumet, seminaret apo dhe takimet që autoritet italiane, kryesisht ato të emigracionit organizonin dhe jam përpjekur që bashkë me bashkëpunëtorët e mi të tjerë të ambasadës tonë në Romë, të paraqesim në linja të drejta figurën e emigrantit shqiptar në përgjithësi. Këtë e bëja edhe për t’iu kundërvënë shembujve apo stereotipave të këqij, që për fat të keq ishin krijuar në atë kohë nga individë të ndryshëm.
Cilat kanë qenë raportet tuaja me autoritetet italiane në kohën kur ishit përfaqësuesi i shtetit tonë në Itali?
Jam përpjekur që me autoritetet italiane, si ato qendrore, ashtu dhe ato lokale, si bashkitë apo komunat në Itali, të promovojmë dhe interesat e emigrantëve shqiptarë duke ndihmuar në zgjedhjen e tyre në forume të veçanta në bashki të veçanta si në Romë, Ankona, Bolonja, Firence etj., duke përzgjedhur emigrantë shqiptarë që të përfaqësonin interesat e të gjithë emigrantëve të tjerë aty. Bashkë me këtë unë përzgjodha dhe caktova edhe mbi 10 konsuj nderi në rajonet kryesore të Italisë, siç ishte p.sh. Konsulli i Nderit në Piemonte, Dr. Giovanni Firera, apo Prof. Cardinale, në Sicili, të cilët, edhe pse italianë, ishin miq të Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe u bënë një ndihmë dhe një mbështetje mjaft e madhe në punën time aty. Bashkë me këto kemi promovuar me konsujt edhe spektakle, apo aktivitete të tjera kulturore të shqiptarëve në zona të ndryshme të Italisë, ku bashkë me traditën kemi pasqyruar edhe traditën e gastronomisë shqiptare. Përveç kësaj, kam promovuar edhe figura të njohura të artit dhe kulturës shqiptare në Itali, si p.sh. Klejdi Kadiu, Ilir Shaqiri, Elsa Lila, Ambeta Toromani, apo dhe futbollistë të shquar si Igli Tare apo Erjon Bogdani, me të cilët kam zhvilluar mjaft takime. Kjo e gjitha në synim të përmirësimit të imazhit të shqiptarëve dhe Shqipërisë në Itali, si dhe duke u përpjekur që të sfumojmë të gjitha ngjarjet e dhimbshme dhe negative që ndodhnin e të cilat përthitheshin shumë shpejt nga opinioni publik italian.
Tani kemi një tjetër realitet. Mjaft prej shqiptarëve, tashmë rezidentë në Itali, kanë krijuar mirëqenie dhe aktivitete të mirëfillta biznesi në zona të ndryshme të Italisë. A tregon kjo dhe frytet e punës tuaj të bërë në kohë?
Unë ndjehem shumë i kënaqur kur dëgjoj fjalë të mira, pasi kjo është dhe kënaqësia e një ambasadori në vendin ku ka punuar. Në dy vjet e gjysmë që unë kam qenë si ambasador në Itali, jam përpjekur bashkë me stafin tim që të ndihmojmë dhe t’u krijojmë shanse shqiptarëve. Kjo jo vetëm në vendet e punës, por edhe në burgje, ku shumë prej tyre vuanin dënime të ndryshme, në një kohë që ne përpiqeshim që me vizitat dhe punë tonë t’u lehtësonim dënimin dhe vuajtjet. Kjo gjë në mjaft raste i ngrohte dhe i motivonte për të bërë përpara emigrantët shqiptarë në Itali, sa herë që ndjenin që kishin edhe mbështetjen e shtetit të tyre. Përveç shoqatave që janë krijuar tashmë, ne hodhëm edhe idenë e krijimit të shkollave shqipe për fëmijët e emigrantëve në Itali. Po kështu, kërkuam që të ngrinin edhe një institut për kulturën shqiptare në Itali, që do të ngrihej në Romë, që do të kishte për qëllim që të mblidhte të gjithë intelektualët shqiptarë në Itali. Kjo do të shërbente edhe si një “celulë” kulturore që do të gjallëronte jetën kulturore të shqiptarëve në Itali dhe kryesisht në Romë. Gjykoj që përsa i përket Italisë apo Greqisë, ku kemi dhe përqendrim të madh të shqiptarëve, shteti ynë duhet të investojë dhe të përqendrohet në krijimin e instituteve të tilla. Shtete të tjera e kanë bërë me kohë një gjë të tillë. Po kështu edhe ne kemi konstatuar se tashmë janë kapërcyer edhe fazat e emigracionit të turmave dhe të pakontrolluar. Janë kapërcyer edhe problemet që lidheshin me rendin dhe që implikonin aty shumë emigrantë shqiptarë. Ata që tashmë janë vendosur në tokën italiane, janë legalizuar, janë sistemuar me punë dhe me jetesë, duke u kthyer në rezidentë të përhershëm në këtë vend. Kjo gjë ka ç’tensionuar edhe situatën në këtë vend, ku po fiton peshë specifike përherë e më tepër emigranti shqiptar i ndershëm dhe punëtor, por që dhe ka nisur të prodhojë vende pune edhe për italianët. Për këtë kemi ndërmarrje prodhuese dhe kompani që drejtohen sot nga shqiptarët, si në Milano, ku që në vitin 2003, në Dhomën e Tregtisë së Milanos ishin regjistruar rreth 600 sipërmarrje shqiptare. Këto shifra sot janë shtuar dhe përbëjnë një gjë pozitive, e cila duhet që edhe shteti ynë t’i tërheqë këto biznese edhe në Shqipëri, me qëllim që të spostojnë një pjesë të aktivitet të tyre këtu. Tani kemi dhe një moment tjetër historik, që është pranimi ynë në NATO, që përbën një element më tepër sigurie edhe për investitorët italianë. Po kështu edhe Shqipëria përbën një vend ideal edhe për ekonominë italiane, e cila po e shikon me interes tani më shumë se kurë këtë ofertë.
7 Prill 2008