E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Njohje nga Serbia pas zgjedhjeve të 11 majit

• Autoritetet e Kosovës kanë në plan të kërkojnë njohjen e pavarësisë nga Serbia, vendi numër një që po lufton me të gjithë forcat për ta mbajtur Republikën e re përsëri brenda territorit të vet.

Ndërsa liderët serbë thërresin në fushatat elektorale se, “Kosova është Serbi” dhe i bëjnë thirrje Bashkimit Evropian të tërheqë deklaratat e tij për njohjen e Kosovës, apo se do të nënshkruajnë MSA-në vetëm në rast se, në dokument shtohet aneksi që Kosova do të jetë pjesë e Serbisë, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, fare i qetë tha se po përgatitet të diskutojë me autoritet serbe njohjen e pavarësisë së Kosovës, nga vetë Beogradi pas zgjedhjeve të 11 majit. “Ne jemi të vetëdijshëm që çështja e Kosovës është bërë pjesë e fushatës zgjedhore serbe. Por ne do të nisim bisedimet mbi mundësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës edhe nga Serbia, vetëm pas zgjedhjeve, sepse ky është kushti për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Unë jam gati të punoj me autoritetet serbe për një të ardhme më të mirë për të dyja vendet tona”, tha kryeministri i Kosovës në gazetën e përditshme hungareze, “Nepszabadsag”. Thaçi shtoi se, nuk kishte asnjë mundësi që procesi i pajtimit mes Prishtinës dhe Beogradit, të niste me një kërkesë për falje nga luftëtarët e Kosovës për serbët mbi “krimet e kryera” kundër tyre. “E gjithë bota e di se kush ishte përgjegjës për krimet e kryera në Kosovë dhe për luftën e Kosovës”, tha Thaçi, duke deklaruar se asnjë nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mund të akuzohet se ka kryer krime lufte, as Ramush Haradinaj, i cili së fundmi u njoh si i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, pasi lufta e tyre ishte e drejtë dhe një luftë vetëmbrojtjeje nga pastrimi etnik dhe represioni serb. Kryeministri i Kosovës theksoi se “pavarësia e Kosovës tashmë është një realitet”, por pranoi gjithashtu se situata ishte ende e “komplikuar”. “UNMIK ndodhet ende në Kosovë, po ashtu edhe shefi i EULEX, Pieter Feith. Kombet e Bashkuara e bënë mirë punën e tyre dhe ne do të dimë se si të procedojmë më 15 qershor, kur Kushtetuta e miratuar e Kosovës të kthehet në ligj”, shpjegoi Thaçi. Kryeministri kosovar tha se Kosova ishte “e bashkuar”, por pranoi gjithashtu se pjesa veriore e vendit ishte problematike. “Me bashkëpunimin e NATO-s dhe të komunitetit ndërkombëtar, ne do të gjejmë zgjedhjen më të mirë për të integruar Mitrovicën dhe banorët e saj më sistemin e vendit”, tha kryeministri i Kosovës. “Eshtë e rëndësishme që minoritetet, mbi të gjitha minoriteti serb, të integrohen në shoqëri dhe në institucionet kosovare. Dua të sqaroj se në kabinetin tim ka dy përfaqësues serbë dhe një turk”, theksoi Kryeministri i Kosovës. Thaçi ka shtuar se, dëshiron që Kosova të njihet nga sa më shumë vende të botës dhe të nisë sa më shpejt procesin e integrimeve Euro-Atlantike. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›