E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori çon në gjyq 7 ish- zyrtarët e Hipotekës

DOSJA


TIRANË- Task-forca e prokurorisë së kryeqytetit përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë Gjykatës së Shkallës së Parë dosjen penale në ngarkim të 7 ish-zyrtarëve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, për akuzën e "shpërdorimit të detyrës" dhe "falsifikimit të dokumenteve".


Sipas prokurorisë, të pandehurit: Artan Gjylbegaj, Bega Musta, Genc Uruci, Ilir Skilja, Lirim Troshani, Marjana Hoxha dhe Olsi Komici kanë konsumuar këto dy vepra penale për të cilat do të gjykohen nga treshja gjykuese e kryesuar nga gjyqtari Ilir Çeliku.


Sipas dosjes me nr. 1509 bashkë me këta të pandehur, pranë kësaj gjykate pak muaj më parë ëshët depozituar si e pandehur edhe shtetasja Merita Qato, e cila pas shqyrtimit të dosjes së veçuar nga 7 zyrtarët e tjerë është deklaruar e pafajshëm për akuzë e ngritur ndaj saj.


Sipas akuzës, shtatë ish-zyrtarët me në krye ish-drejtorin e Hipotekës së kryeqytetit Artan Gjylbegu, kanë konsumuar veprat penale gjatë përgatitjes së dokumentacioneve të një tenderi, shpalljen e fituesit të tenderit dhe pranimin e dorëzimit të punimeve pa përfunduar sipas kontratës së tenderit të fituar. Për të gjitha këto, të pandehurit i kanë shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 280 mijë lekë të reja.


Kallëzimi ndaj ish-zyrtarëve të Hipotekës së Tiranës, si juristit, ekonomistëve dhe financiereve të drejtuar nga krye regjistruesi është bërë në prokurori nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pas inspektimeve të punimeve të kryera në vitin 2005.


Ndërkohë, mësohet se gjatë fazës hetimore të shtatë të pandehurit nuk kanë pranuar akuzat, duke ngritur dyshime se institucionin i prokurorisë ka kryer veprime hetimore e procedurale jashtë çdo afati ligjor të parashikuar në Kodin e Procedurës Penale.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›