Xhelozia, dyshonte për të fejuarën, vret veten 23-vjeçari
ELBASAN/ Kastriot Meçi i ka dhënë fund jetës me pistoletë vetëm pak ditë pasi ishte kthyer nga Greqia
ELBASAN - Dyshimi se vajza me të cilën ishte fejuar e tradhtonte e kishte bërë që të kalonte në depresion, madje në një shkallë të tillë sa ka vendosur t'i japë fund jetës.
Kastriot Meçi, 23 vjeç, është vetëvrarë dje me pistoletë pasi është mbyllur në një nga dhomat e shtëpisë së tij. Të mbërritur në vendngjarje, burime nga policia bëjnë të ditur se shkak për vetëvrasjen ka qenë pikërisht gjendja në të cilën ndodhej ajo që e ka çuar të riun në aktin vetëflijues.
Kastriot Meçi kishte pak ditë që ishte kthyer në shtëpinë e tij në fshatin Komunash të komunës Mollas në Elbasan. Prej kohësh ai jetonte dhe punonte në Greqi. Po gjatë kohës që ka qenë emigrant, 23-vjeçari ishte fejuar. Burime bëjnë të ditur se i riu ishte tip shumë xheloz. Një gjë e tillë ka bërë që të fillojë të dyshojë për vajzën me të cilën kishte lidhje se ajo mund ta tradhtonte.
Edhe pa pasur ndonjë fakt, por thjesht duke e menduar një gjë të tillë ka bërë që i riu të kalonte në depresion. 23-vjeçari duket se e kishte paramenduar aktin ekstrem pasi më parë ka siguruar një pistoletë dhe pasi iu është fshehur familjarëve, është veçuar duke u mbyllur në një dhomë ku dhe ka qëlluar mbi veten.
Krisma ka tërhequr vëmendjen e familjarëve dhe të afërmve të tjerë, të cilët kanë nxituar për tek dhoma dhe pasi kanë çelur derën me forcë e kanë gjetur të vrarë e me pistoletë në dorë 23-vjeçarin. Për Kastriot Meçin nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi. Vdekja ka qenë e menjëhershme. Më pas është lajmëruar policia.
Një grup i përbërë nga ekspertë ka shkuar në fshatin e thellë. Hetuesit kanë marrë në pyetje familjarët për të mësuar arsyet e vetëvrasjes së të riut. Sipas të dhënave të para, rezulton se Kastriot Meçi ishte i fejuar dhe xheloz.
Një gjë e tillë kishte bërë që të fillonte të dyshonte për të fejuarën e tij, por që sipas dëshmive, nuk ka pasur shkak për këtë. Si rrjedhojë, ka kaluar në depresion. Ditët pasi është kthyer nga emigracioni ai nuk është bërë më mirë por ka vijuar të ndihet keq, çka sipas familjarëve mund ta ketë shtyrë që të kryejë edhe veprimin vetëvrasës.