E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shitësi" i tezës së juridikut Sporea, nuk paguan gjobën e gjykatës

Ferdinand SPOREA


TIRANË- Ish-kreu i Qeverisë Studentore që u deklarua fajtor për shitjen e tezës së provimit të Juridikut në mars të 2007 duke u dënuar edhe me 18 muaj burg dhe 7 milion lekë gjobë, Ferdinand Sporea nuk paguan gjobën e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit.


Kështu, edhe pse kanë kaluar tre vite që nga dita e deklarimit fajtor të tij, i dënuari Sporea nuk ka preferuar të paguaj gjobën, duke pritur gjykimin e çështjes së tij pranë Gjykatës së Lartë, ku dosja pritet të gjykohet.


Por, për institucionin e akuzës pritja e vendimit të Gjykatës së Lartë është e tepërt dhe ka vendosur t'i kërkoi po Gjykatës së Shkallës së Parë t'ia konvertoi gjobën e dhënë nga togat e zeza në ditë burgu. Sipas kërkesë padisë që mban nr. 1107 prokuroria e kryeqytetit kërkon nga Gjykata që gjoba e pa paguar e të dënuarit Ferdinand Sporea të konvertohet në ditë burgu.


Me dorëzimin e kësaj kërkese, kancelaria e gjykatës ka hedhur në short dosjen duke caktuar gjyqtarin Arben Micko si krysuesin e togave të zeza që do të shqyrtoi këtë kërkesë. Sipas vendimit të gjykatës, i dënuari Sporea në shtator të 2005 vetëm pak orë para fillimit të provimit pranues në Fakultetin e Juridikut e ka shitur tezën kundrejt një shume të caktuar.


Ky skandal u publikua në media, që bëri që prokuroria të filloi hetimet, ku u provua se i dënuari Sporea me ndihmën e një pedagogeje kishte siguruar tezën e provimit pranues dhe më pas e kishte shitur.


Për këto fakte, gjykata në mars 2007 e deklaroi fajtor për veprën penale të "ushtrim ndikimi të paligjshëm te personat që ushtrojnë funksione publike" dhe u dënua me 18 muaj burg dhe 7 milion lekë gjobë në mungesë.


Po ky vendim mori formën e prerë edhe në Gjykatën e Apelit, po në mungesë. Në dhjetor të 2008 policia arrestoi Sporean që me vendim të Gjykatës së Apelit i dënuari është liruar deri në përfundim të gjykimit pranë Gjykatës së Lartë.


Pak ditë më parë, Sporea ka kërkuar mos ekzekutimin e vendimit për shlyerjen e borxhit derisa çështja të Gjykohet pranë institucionit më të lartë të drejtësisë, kërkesë kjo që nuk u pranua.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›