Prokurori i Antimafies italiane, në Shqipëri
Krimi i organizuar dhe pastrimi i produkteve të veprës penale ka sjellë për të dytën herë në Shqipëri kryeprokurorin e Antimafies italiane, Piero Grasso, i cili do të zhvillojë një takim me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Operacionet e fundit antidrogë në të dyja anët e brigjeve kanë specifikuar bashkëpunimin midis prokurorisë shqiptare dhe asaj italiane. Pas vizitës së Ina Ramës muajin e kaluar në Itali, kryeprokurori i Antimafies, Grasso, i kthen reston, duke përcaktuar edhe bashkëpunimin në të ardhmen, që do të jetë kryesisht në fushën e investimit ekonomik të organizatave kriminale në ekonominë shqiptare. Burime nga akuza qendrore thanë se krahas takimit midis Grassos dhe Ramës struktura të tjera do të bashkëpunojnë për dosje konkrete, duke përcaktuar dhe shkëmbyer informacione nga të dyja prokuroritë për dosje të veçanta. Shpeshherë mediat e vendit fqinj raportojnë se miliona euro të fituara nga trafiku i drogës apo i prostitucionit investohen në Shqipëri dhe përgjatë viteve të fundit, shteti shqiptar e ka pasur të pamundur bllokimin e tyre, për shkak se ligji i mëparshëm “Antimafie” u shfuqizua pas një vendimi unifikues të Gjykatës së Krimeve të Rënda. Pas miratimit të ligjit dhe riorganizimit të strukturave në prokurori dhe polici kanë ardhur sinjalet e para tejet pozitive, duke sjellë edhe bllokime në qindra mijëra euro. Ndërkohë që një ligj tepër drastik për investimet e dyshimta është miratuar nga shteti shqiptar. Ligji “për marrëdhëniet me autoritetet e huaja në çështjet penale”, me kërkesë të vendeve të tjera mund të bllokojë në Shqipëri pasuritë e dyshimta deri në përfundim të procesit. Në prokurorinë shqiptare është riorganizuar zyra për marrëdhëniet me jashtë dhe një detyrë e rëndësishme e saj është marrëdhënia me fqinjin tonë Italinë, pasi shumë grupe të përbashkëta kriminale funksionojnë në rajonin Ballkanit dhe më gjerë. Sipas të dhënave nga akuza qendrore, një temë bisede do të jetë edhe thjeshtëzimi i shkëmbimit të informacioneve në nivel prokurorish të të dyja vendeve, si dhe për përshpejtimin e procedurave të ekzekutimit të letërporosive. Sipas akuzës qendrore, synohet që të vendosen kontaktet e drejtpërdrejta mes institucioneve të prokurorisë shqiptare dhe asaj italiane.
Ndërkohë, sot kryeprokurorja Ina Rama do të takojë homologun e saj spanjoll Cándido Conde-Pompido Tourón. Takimi zhvillohet në kuadër të përfundimit të projektit të binjakëzimit midis prokurorisë shqiptare dhe asaj spanjolle, projekt i cili u prezantua në vitin 2008.