E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtarakët: Gërdeci ishte paracaktuar

Ndërtimi i fabrikës filloi më 28 prill, disa javë para se të dilte urdhri nga Ministria e Mbrojtjes

Ndërtimi i fabrikës në Gërdec ka filluar më datë 28 prill 2007 pa asnjë vendim apo urdhër të shkruar, por me një urdhër verbal, disa javë para se qeveria shqiptare të shpallte fituesin e tenderit dhe vendit ku do të kryhej demontimi i municioneve. Dy ish-ushtarakë që kishin si detyrë ruajtjen e ish-repartit të Gërdecit deklaruan në seancën e djeshme se kishin marrë kontakte me Deliorgjin, prej të cilit mësuan se vendi që ata ruanin do të kthehej në një punishte për demontimin e municioneve. Ish-komandanti i batalionit që kishte për detyrë të ruante repartin e Gërdecit, Hasim Selmani, dhe një nga rojat ushtarake Paulin Lleshi, dhanë detaje se morën urdhër nga Komanda e Bashkuar për të lejuar civilët për të ndërtuar fabrikën, megjithëse nuk kishin urdhër. Dje në Gjykatën e Tiranës është zhvilluar seanca e radhës e çështjes Gërdeci. Në këtë seancë kanë dëshmuar 4 dëshmitarë, të cilët kanë hedhur dritë mbi kohën se kur ka filluar ndërtimi i fabrikës së demontimit në Gërdec.

Ndërtimi i fabrikës

Sipas Hasan Selmanit, në datën 28 prill 2007 në fabrikë kanë ardhur dy persona që kanë pikëtuar disa pika. Paulin Lleshi, roja që ka qenë në atë turn, i ka pyetur dhe ata i janë përgjigjur se kanë ardhur për të piketuar vendin se ku do të ndërtonin diçka për interes të një firme private. “Pasi u lajmërova nga Paulin Lleshi shkova menjëherë në repart dhe i ndërpreva punimet. Komunikova me shefin tim Mehmet Melko në telefon, i cili më tha prit të kthej përgjigje. Pas rreth 40 minutash më mori në telefon dhe më tha ‘lëri të punojnë’, sepse të hënën vjen urdhri me shkrim. Gjatë bisedës që bëra me këta dy persona më thanë që varemi nga Mihal Deliorgji dhe kemi ardhur për një firmë demontimi. Ndërkohë që të nesërmen më lajmëron Agron Brako dhe më tha që kanë ardhur disa persona që po punojnë. Shkova atje dhe u takova me Delijorgjin, i cili më tha që kam një urdhër për 200 metra katrorë për të ndërtuar. Deri në fund të muajit maj 2007, kohë gjatë të cilës unë kam qenë në punë, nuk më ka ardhur asnjë urdhër me shkrim për nisjen e punimeve, kontratë qiraje apo leje ndërtimi për fabrikën që po ndërtohej. Sipërfaqja që m’u tha fillimisht që do të merrej ishte 200 metra katrorë, por realisht u piketuan dhe u morën 500 metra katrorë. çdo veprim që është bërë është shënuar në procesverbalin e vendrojes me urdhrin tim”, tha Selmanaj. Dëshmitari tjetër i seancës ishte Paulin Lleshi, roja që ishte në turn ditën që erdhën dy personat për të parë fabrikën. “Një ditë, rreth orës 8 e 30, para derës së hyrjes erdhi një fuoristradë me dy persona, njëri nga ata zbriti e u afrua pranë derës dhe më tha jam Mihal Deliorgji”, tha Lleshi, duke vazhduar se “unë i thashë që nuk lejohet hyrja në fabrikë dhe kontaktova me komandantin Hasim Selmanin, i cili erdhi në repart. Pas disa komunikimeve që ai pati, më tha që t’i lejoj të hyjnë, por duke shkruar gjithçka në procesverbal. çdo person, çdo veprim është shkruar në procesverbal. Nga komunikimi me komandant Hasim Selmanin m’u tha që urdhri kishte ardhur nga Komanda e Forcës së Bashkuar, por nuk jam shumë i sigurt”. Në këtë moment prokurori Altin Dumani i kërkoi trupit gjykues që për të rifreskuar memorien e dëshmitarit të shfaqej me anë të një monitori procesverbali i fotografuar.

Procesverbali

Kërkesa e organit të akuzës u pranua nga trupi gjykues dhe procesverbali u shfaq në seancë. Në të shkruhej “Procesverbal, datë 28 prill 2007, në orën 08.30. Në hyrjen e fabrikës është paraqitur një firmë private për të kryer punime me urdhër të komandantit të Komandës së Forcës së Bashkuar, gjeneral Shpëtim Spahiu”. Firma filloi të kryente piketime në zonën e ambientit sportiv. I pyetur nga prokurorët, Paulin Lleshi tha se ky procesverbal ishte shkruar mbi urdhrin e dhënë nga komandanti Hasim Selmani. Gjatë zbardhjes së procesverbalit, i pranishëm në seancë ishte edhe ish-komandanti i Forcës së Bashkuar, gjeneral Shpëtim Spahiu.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›