E Diel, 1 Nëntor 2026

Sarandë, zhduken 43 hektarë troje

Hipoteka ia regjistron një ish-pronari parcelat që bashkia ua kishte shitur të pastrehëve

Ndërsa mendohej se cikli i kompensimit të ish-pronarëve ishte mbyllur vite më parë, në Sarandë është rihapur ky proces, duke kënaqur pretendimet “e vjetra” në muajt e parë të vitit 2010. Këshilltari bashkiak, Astrit Llanaj, në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak, ka përcjellë shqetësimin e qindra qytetarëve sarandjotë, pas hipotekimit që një shtetas i ka bërë një sipërfaqeje prej 43 hektarësh tokë, me pretendimin si ish-pronar.

Të viktimizuar nga ky veprim e kanë parë veten të gjithë ata që janë “zhveshur” nga pronësia e tyre mbi trojet e ndërtimit, që ka shitur Bashkia e qytetit të Sarandës me vendime të vitit 1999, të cilat tashmë janë njohur ligjërisht. Sipas një masterplani të miratuar për zhvillimin e urbanizimin e shpejtë të Sarandës, qeverisjes vendore iu dha e drejta e vendimmarrjes për të pajisur qytetarët e saj me troje ndërtimi. Në zbatim të tij u ndanë rreth 2500 sheshe ndërtimi me vetëdijen se kështu do të jepej një mundësi për të zgjidhur vetë problemin e strehimit apo të vetëpunësimit.

Nuk vonoi të shihej në realitet se sa sociale dhe se si ndihmonte në zhvillimin e qytetit dhënia e kësaj mundësie. Pavarësisht nga shfaqja e tregut të zi të trojeve nga ata që i kishin atëherë në dorë, qytetit dhe qytetarëve iu bë mirë. Brenda viteve të para pas vitit 2000, tri kurorat e Sarandës dhe zona deri atëherë e pazhvilluar që shtrihet prej hotelit “Butrinti” në Kanalin e çukës, u mbush me shpejtësi me ndërtime banesash apo objekte të destinuara për biznes turistik, si hotele etj., të cilat kategorizohen nga më bashkëkohoret për projektet dhe kushtet që ofrojnë. Sipas fuqisë financiare të çdo pronari trualli, mbushja me ndërtime e këtyre zonave vazhdon nga viti në vit.

Në këtë “qiell të pastër” për 400 pronarë të këtyre trojeve, këto ditë “shkrep një rrufe” që ka shkrumbuar çdo plan investimi e çdo ëndërr të tyre për ta kthyer truallin në objekt. Këshilltari socialist, Astrit Llanaj, e ka përcjellë deri në këshillin bashkiak ndjenjën e alarmit që, sipas tij, ka ngjallur lajmi se një ish-pronar, në muajt e parë të këtij viti, ia ka dalë të hipotekojë në Sarandë 43 hektarë tokë si kompensim prone. Ai tha se zona ku gjendet kjo sipërfaqe ka qenë studiuar para se ajo t’u jepej qytetarëve me vendim të rregullt bashkiak në vitin 1999 dhe se 170 ish-pronarë që kishin pretendime pronësie u trajtuan para asaj ndarjeje.

“Nga na del tani ky ish-pronar apo një UFO-pronar, që kompensohet në vitin 2010?”, ka shtruar pyetjen retorike opozitari Llanaj. Ai e ka shtruar këtë pyetje në Parlamentin lokal të Sarandës, duke kërkuar më shumë transparencë. Drejtori i Drejtorisë së Urbanistikës në bashki, Panajot Gunari, tha se shqetësimi i qytetarëve është i njohur dhe i vlerësuar dhe se kjo drejtori është duke e verifikuar bazën dokumentare dhe atë ligjore mbi të cilën Zyra e Regjistrimit të Pasurive në Sarandë ka kryer procedurat hipotekuese mbi këtë sipërfaqe në dëm të qytetarëve, të cilët gjithashtu kanë nevojë të kompensohen në të drejtën e tyre pronësore.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›