Kristaq Rama, firmë për ekzekutimin e të riut nga Dibra
Një firmë tjetër për dënim me vdekje, e 6 prillit 1987
Një tjetër nënshkrim i Kristaq Ramës bëhet publik sot. Bëhet fjalë për ekzekutimin e një të riu nga Dibra, i ekzekutuar në vitin 1987, pak javë pasi Kristaq Rama kishte filluar detyrën në organin kolegjial të quajtur Presidiumi i Kuvendit Popullor.
Në zgjedhjet për Kuvendin Popullor të 1 shkurtit 1987, Kristaq Rama, përveçse “u zgjodh” deputet i Rrethit Durrës, kishte nderin që të ishte për herë të fundit në jetën e institucionit, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Këtu zgjidheshin njerëzit më të devotshëm të regjimit. Presidiumi nuk ishte gjë tjetër veçse kopjim i Presidiumit të Sovjetit Suprem të Bashkimit Sovjetik. Në rolin e kryetarit të shtetit, Presidiumi kishte kompetencën të falte ose jo jetën e personave të dënuar me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Kristaq Rama, skulptori i regjimit, i veshur me titullin “Artist i Popullit”, këtë herë për të dënuar “armiq të popullit”, kishte rastin të vinte një firmë të tij në marrje jete të dënuarish. Sigurisht dëshira do ishte e madhe të kishte qenë viti 1946 apo 1947 ku mundësia ishte më e madhe, por ja që kështu vinin punët.
Nuk është vetëm firma për varjen e Havzi Nelës por në të vërtetë Kristaqi e filloi me nënshkrimet e 6 prillit 1987 ku pas Ramiz Alisë dhe të tjerëve ka hedhur firmën për ekzekutimin e dy personave, njëri prej të cilëve ishte vetëm 29 vjeç kur do të ekzekutohej.
Më 6 prill 1987 Presidiumi i Kuvendit Popullor vendoste t’u refuzonte faljen e jetës dy të dënuarve me vendim të formës së prerë, përkatësisht Bujar Jazexhiut dhe Enver Osmanit. 29 vjeçari nga Gjorica e Poshtme e Dibrës Enver Osmani akuzohej për “tradhti ndaj atdheut” që në moshën 17 vjeçare. Gjykata Popullore e Dibrës e kishte dënuar më 14 shkurt 1987 me vdekje, vendim i cili ishte ligjëruar dhe kishte marrë formë të prerë nga Gjykata e Lartë më 28 shkurt 1987. Në Gjykatën e Lartë, seanca ishte drejtuar nga zëvendëskryetarja Eleni Selenica ndërkohë që nuk ka munguar prania e të përhershmit Fehmi Abdiu në gjykimet e këtij lloji. Veç Enver Osmanit ishin dënuar me këtë proces Rifat Marku dhe Besnik Dema.