E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori i Durrësit denoncohet për evazion fiskal

26/04/2009  Arjan Ndoja i shkaktoi 19 milionë dëm shtetit kur ishte i punësuar si avokat

Drejtoria e Tatimeve e gjobit me të njëjtën shumë të dëmit që i shkaktoi shtetit

TIRANE- Kryeprokurori i qytetit të Durrësit, Arjan Ndoja, gjatë kohës ku ka ushtruar profesionin e tij si avokat, ka kryer evazion fiskal duke mos paguar në Drejtorinë e përgjithshme të Tatim-Taksave mbi 19 milionë lekë të reja. Për vite me radhë prokurori i Durrësit, edhe pse ushtronte aktivitetin e tij privat, nuk është paraqitur asnjëherë në drejtorinë e Tatim-Taksave për të shlyer detyrimet fiskale ndaj shtetit. Mirëpo një denoncim që ka shkuar më 10 nëntor të vitit 2008 nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë në drejtorinë e Tatim-Taksave, ka vënë në lëvizje këta të fundit. Për gati 5 muaj specialistët e Tatim-Taksave kanë kryer grumbullimin e një sërë provash, të cilat pas argumentimit janë përmbledhur në një raport konkret. Në bazën e këtij materiali Drejtoria e përgjithshme e Tatim-Taksave ka vënë re se në periudhën 2004-2008, kur prokurori i Durrësit Arjan Ndoja ka punuar si avokat, ka kryer evazion fiskal. Lidhur me këtë kontestim specialistët e kanë gjobitur Ndojën me shumën 19.489.025 lekë. Aktualisht nuk dihet me saktësi nëse prokurori do të derdhë apo jo shumën financiare në buxhetin e shtetit, por burime pranë drejtorisë së Tatim-Taksave thanë se në qoftë se kjo gjë nuk ndodh brenda këtij muaji, atëherë për çdo muaj shuma financiare do të ritet me 2 për qind. Sipas tyre, kjo është vetëm njëra formë, pasi në rast mospagimi drejtoria e Tatim-Taksave i kërkon autoriteteve edhe heqjen e licencës së avokatit.

Hetimet për Ndojën

Për Arjan Ndojën, para disa muajsh ILDKP bëri kallëzim penal për “Fshehje pasurie dhe deklarim të rremë”, pasi pasuria e tij, në total ishte rreth 750 mijë euro dhe se kjo shumë financiare nuk justifikohej me dokumente ligjore. Ndoja shpjegoi se pasurinë e ka krijuar nga puna si avokat gjatë viteve 2004-‘08, por deri në shtator 2007 nuk ka qenë i regjistruar si i tillë në drejtorinë e Tatim-Taksave. Nga këto veprime të paligjshme të prokurorit Ndoja, ILDKP-ja e kaloi çështjen përveçse në Prokurori edhe në Drejtorinë e përgjithshme të Tatimeve, si rast “evazioni fiskal”. Pas kontrollit që ka bërë Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve, rezulton se Ndoja ka kryer evazion fiskal dhe për këtë arsye i detyrohet shtetit shumën e mbi 19 milionëve lekëve të reja. Ndërkohë për sa i përket burimit të pasurisë, Ndoja i ka paraqitur inspektorëve të ILDKP 18 copë fatura me anë të cilave ka dokumentuar marrjen e të hollave nga disa klientë, të cilët ai i ka mbrojtur juridikisht në seancat e ndryshme gjyqësore. Mirëpo nga mbledhja e këtyre faturave është konstatuar se shuma financiare në total e tyre, kap shifrën e 657.000 euro. Nisur nga kjo shifër, por edhe duke marrë shkas nga shifra e deklaruar prej 743 mijë euro, konstatohet e pa mbuluar me fatura justifikuese, shuma prej 86.000 euro. Për të sqaruar rrethanat mbi bazën e të cilave Arian Ndoja ka përfituar pasurinë e sipërpërmendur, ILDKP i ka kërkuar njësisë së përbashkët hetimore Task-Forcë, kryerjen e një sërë veprimesh hetimore. Pas disa muajsh hetimesh prokurorët e kësaj njësie kanë urdhëruar mbylljen e hetimeve pasi gjatë procesit nuk është konstatuar asnjë shkelje ligjore e kolegut të tyre.

Nga emërimi tek konfliktet

Hetimet e herëpashershme ndaj Ndojës

TIRANE- Prokurori i shkarkuar nga Theodhori Sollaku, ish-kreu i organit qendror të akuzës, dy vjet me parë, ka arritur të ngjitet në postin e kryeprokurorit të Durrësit me firmën e Ina Ramës dhe Presidentit të Republikës në muajin janar të vitit 2008. Menjëherë pas emërimit ai ka bërë edhe deklarimin zyrtar të pasurisë për ILDKP-në, ku figurojnë të ardhura mujore të konsiderueshme dhe një gjendje llogarie shumë herë më e madhe se ajo e vitit 2004, kur ishte bërë deklarimi i mëparshëm. Në deklaratë Ndoja thotë se këto të ardhura i përkasin periudhës 2004-2008, kohë gjatë të cilës ka qenë avokat në Tiranë. Sipas dokumentacioneve të dorëzuara në këtë inspektorat, Ndoja nuk figuron që të ketë kryer më shumë se tre muaj profesionin e avokatit, pasi licenca e tij ka dalë pak javë para se të riemërohej prokuror. Ndërkohë që mësohet se Drejtoria e përgjithshme e Tatimeve ka evidentuar se Arian Ndoja figuron i regjistruar me NIPT si avokat që nga data 2 tetor 2007. Kurse më 28 janar 2008, pra rreth katër muaj më pas, Ndoja është emëruar kryeprokuror i Durrësi post të cilin e mban aktualisht. Ai ka punuar edhe më parë aty si prokuror në kohën kur hetoi skandalin e “Bisht-Pallës” dhe u shkarkua pasi pjesa më e madhe e të arrestuarve nga ai për këtë çështje u lanë të lirë nga gjykata për mungesë provash.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›