E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si regjistrohen shtesat e legalizuara

26/04/2009  Për të marrë në emrin e vet shtesën duhet që blerësi të bjerë dakord me shitësin

ALUIZNI dërgon dosjen për regjistrim të shtesës, pasi të dorëzoni një akt noterial

Brikena Demiras

Në rast se ju keni blerë një shtëpi, por jo shtesën që ka qenë në proces legalizimi, duhet të ndiqi një tjetër procedurë. Burime zyrtare nga Agjencia e Legalizimeve bëjnë të ditur se është e nevojshme që me anën e një akti noterial të lidhur pranë një noteri me shitësin e shtëpisë dhe shtesën, blerësi të paraqitet te zyrat e ALUIZNI-t për të deklaruar pronësinë mbi shtesën e pallatin. Vetëm në këtë moment, ekspertët e agjencisë së Legalizimeve mund të marrin të mirëqenë faktin e shitjes së shtesës. Pra, nëse shitësi dhe blerësi i shtesës kanë rënë dakord mes tyre për këtë transaksion, atëherë kësaj agjencie i lind e drejta që dosjen, të cilën do ta dërgojë në zyrat e hipotekës ta bëjë në emër të pronarit të ri të shtesës, i cili e ka blerë më herët edhe shtëpinë.

Pagesa

Edhe pse shtëpia mund të jetë ende në emër të shitësit, i cili e ka futur në proces legalizimi shtesën e shtëpisë që tashmë e ka shitur, fatura e Agjencisë së Legalizimit vjen në emër të shitësi. Pak rëndësi ka se kush do të paguajë paratë për faturën. Kjo pagesë është e detyrueshme për të përfituar lejen e legalizimit. Procedura ligjore është e tillë, që detyron shitësin ose blerësin, të cilët e kanë rregulluar marrëdhënien e tyre me anën e një akti noterial, të paguajnë tarifën e legalizimit. Në momentin që një prej tyre paraqet në agjencinë e legalizimit me faturën e paguar, atëherë kjo agjenci nis procedurat për përgatitjen e dhënies së lejes së legalizimit. Me të mbaruar verifikimin në terren dhe kontrollin e faturës, atëherë qytetari mund të pajiset me lejen e legalizimit. Meqenëse nëpërmjet aktit noterial shitësi dhe blerësi kanë rregulluar kalimin e shtesës së pallatit nga njëra palë te tjetra, atëherë Agjencisë së Legalizimeve i lind e drejta që të përgatisin dosjen për regjistrimin e kësaj shtese të pallatit në emër të blerësit të ri, pra të pronarit të ri.

Regjistrimi

Hipoteka do të marrë në shqyrtim dokumentacionin përkatës që është përcjellë prej zyrave vendore të Agjencisë së Legalizimit në të gjitha rrethet e vendit. Sipas procedurës, kjo zyrë nis procesin e regjistrimit të pronës brenda 15 ditëve. Udhëzimi më i fundit i zyrës qendrore i hapi rrugë pikërisht kësaj procedure të unifikuar për të gjitha zyrat vendore të hipotekës që të nisin veprimet për regjistrimin e ndërtesave në proces legalizimi, si dhe shtesave të legalizuara. “Qytetari, i cili ka marrë një leje legalizimi nga Agjencia rajonale e Legalizimit do të informohet nga kjo e fundit për përcjelljen e dokumentacionit nga ana e saj pranë ZVRPP-së përkatëse. Qytetari në këtë moment duhet të paraqitet pranë ZVRPP-së përkatëse me njoftimin e ALUIZNI-t dhe të bëjë pagesën e tarifës së shërbimit pranë sporteleve të ZVRPP-së. Zyrat vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke filluar që nga ky moment, duhet ta shqyrtojnë kërkesën brenda 15 ditëve”, - thanë burimet zyrtare të ZRPP-së.

Afati

Udhëzimi i miratuar nga ana e zyrës qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme parashikon në detaje edhe të gjitha problematikat e tjera që mund të shfaqen përgjatë regjistrimit të lejeve të legalizimit, si në rastet kur parcela ndërtimore është më e vogël se pasuria e regjistruar apo e anasjella. Për çdo leje legalizimi do të dorëzohet një dosje e veçantë me inventarin e dosjes dhe dokumentacionin tekniko-ligjor. Kërkesa e aplikuesit duhet të shqyrtohet brenda 15 ditësh, në të kundërt përgjegjësia është e regjistruesit të ZVRPP-së. Udhëzimi është një lehtësi për të gjithë punonjësit e ZVRPP-ve. Ai do të shkurtojë kohën e pritjes së qytetarëve për t’u pajisur me dokumentin e pronësisë dhe nuk detyron qytetarin të paraqitet në zyrat e hipotekës. “Zyra qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u bënë thirrje qytetarëve që të paraqiten në sportelet e ZVRPP-ve pasi të kenë marrë njoftimin nga drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t, për aplikim për regjistrimin e lejeve të legalizimit”, - theksuan burimet zyrtare. Pagesa pranë zyrës së hipotekës është vetëm tarifë për shërbimin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›