E Diel, 1 Nëntor 2026

A mund të zhvlerësohet shteti-komb nga globalizmi dhe integrimi?

Proceset integruese, globalizmi dhe kriza e fundit ekonomike botërore fi nanciare dhe e borxheve i ka dhënë nxitje debatit për problemin e të sotmes dhe të ardhmes së shtetit-komb. Vrulli i proceseve integruese, që u shfaq sidomos pas rrëzimit të komunizmit dhe ecuria e "suksesshme" e deriatëhershme e procesit të formësimit politik dhe juridik të BE-së, e bëri më të mprehtë debatin për fatin e shtetit-komb. Në fillim lindi shqetësimi për çështjen e sovranitetit shtetëror dhe të realizimit të natyrës politike të shtetit, në kushtet e zhvillimeve të reja. Shpejt, shqetësimi i hapi rrugë përdorimit të nocionit "kufizim i sovranitetit", përballë proceseve globale dhe integruese dhe "ndryshim i rolit politik" të shtetit-komb. Kështu mori formë debati për fatin e shtetit-komb, duke folur madje për heqje qafe të tij, apo për mbyllje të tij në muze.
Aktualisht, sidomos nën efektin edhe të krizës së eurozonës, ka rënë intensiteti i debatit dhe janë venitur buzëqeshjet e optimistëve për fundin e shtetit-komb. Megjithatë, zhvillimet globale dhe integruese kanë sjellë ndryshime të rëndësishme, prandaj dhe nevojitet të vazhdojë debati shkencor, me qëllim që të krijohet një koncept i qartë për këto zhvillime. Debati është i nevojshëm gjithashtu për të sqaruar pyetje të tilla si: Në se ka vërtet një nevojë për një koncept apo teori të re për sovranitetin dhe natyrën politike të shtetit-komb. Apo vërtet ka lindur nevoja për një model të ri qeverisjeje që t'i përshtatet këtyre zhvillimeve, sidomos në të ardhmen, të shoqëruar me ndryshime në ushtrimin e sovranitetit dhe të rolit politik të shtetit-komb.
Kërkohet një përgjigje për pyetjen e natyrshme në se po e "hanë" dhe mund ta "hanë" tregjet globale shtetin-komb dhe sovranitetin shtetëror. A është metodologjikisht i drejtë aplikimi i konceptit mekanik në raportin globalizim - shtet-komb, i konceptuar si dy të kundërta që përjashtojnë njëra-tjetrën? A është gjykim shkencor mendimi se globalizmi e mohon shtetin- komb, sepse ai dhe procesi i integrimit krijon identitete të reja? Mendoj se e sotmja dhe e ardhmja e shtetit-komb nuk mund të analizohet drejt dhe shkencërisht, pa vështruar të kaluarën, historinë dhe evolucionin e shtetit dhe të së drejtës, si dhe pse lindi ai, roli i tij i pazëvendësueshëm në zhvillimin e shoqërisë njerëzore, si dhe pa përfshirë në analizë procesin e lindjes dhe të konsolidimit të kombeve dhe shteteve kombe. Kjo histori dëshmon se shteti-komb lindi si nevojë esenciale historike dhe si tregues zhvillimi. Shteti, si element thelbësor i ndërtesës së shoqërisë, u shfaq si një mekanizëm tepër i domosdoshëm administrimi dhe drejtimi të shoqërisë, me funksione të pazëvendësueshme. Në këtë proces historik u formësuan tipa dhe forma të ndryshme shteti, mënyra dhe forma të ndryshme të qeverisjes. U krijuan forma të thjeshta apo të përbëra të organizimit shtetëror, shtete unikale apo perandori që bashkonin territore dhe popuj të ndryshëm, që lulëzuan dhe u rrëzuan njëra pas tjetrës, deri sa filloi epoka e re e krijimit të kombeve dhe të shteteve-kombe. Shteti i ndihmoi konsolidimit dhe zhvillimit të kombeve.
Në këtë proces zhvillimi u vendosën raporte esenciale mes shtetit dhe tregut dhe morën formë teori konkrete për këto marrëdhënie. Në një moment te caktuar historik u shfaq shteti nazist e fashist, që dëshmoi anën më të errët të shtetit. Po kështu, për një periudhë gati shtatëdhjetëvjeçare funksionoi forma socialiste, si diktaturë e proletariatit, apo e demokracisë popullore. Pra, historia e shtetit ka qenë histori e lindjes dhe zhdukjes së tipave dhe formave të ndryshme të shtetit, por që nuk e kanë vënë asnjëherë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit.
Para krijimit të kombeve, perandoritë kanë qenë forma konkrete që bashkonin etni, bashkësi njerëzish, popuj të ndryshëm, që flisnin gjuhë të ndryshme dhe kishin zakone, tradita dhe karakteristika shpirtërore të ndryshme. Koha tregoi se ato nuk mund të qëndronin gjatë. Ato zienin përbrenda nga kontradikta dhe luftëra të brendshme dhe u shpërbënë, duke i hapur rrugë krijimit të kombeve dhe shteteve-kombe. Ky hap u vlerësua si një zhvillim cilësor i njerëzimit, si standardi më i lartë i emancipimit shoqëror dhe politik. Mori udhë periudha e kombeve dhe e shteteve-kombe si një domethënie cilësore se njerëzimi kishte hyrë në një epokë të re.
Shkencat mbi shtetin dhe të drejtën e kanë studiuar thellë përmbajtjen, strukturën, mekanizmin dhe funksionet e shtetit-komb, format e qeverisjes, përmbajtjen demokratike apo diktatoriale, moniste apo pluraliste etj. Janë krijuar teori të plota për formën e federatës dhe të konfederatës, duke evidentuar epërsitë dhe kontradiktat konkrete në funksionimin e tyre.
Krahas formave konkrete dhe jetëgjata federatash dhe konfederatash, interes të veçantë kanë disa forma të krijuara artificialisht apo dhunshëm, që nuk ishin produkt i natyrshëm i zhvillimit. P.sh. RSFJ u sajua si një bashkim që përfshihu popuj, kombe, etni të ndryshme, që kishin dallime thelbësore mes tyre nga pikëpamja e cilësisë së formimit si komb dhe gjendeshin në nivele të ndryshme zhvillimi kombëtar, ekonomik dhe kulturor. Në proces, brenda kësaj krijese artificiale, u krijuan dhe u zhvilluan pabarazi dhe diferenca të thella zhvillimi ekonomik e shoqëror, kontradikta, shtypje e kundërvënie te mprehta, kultivim i shovinizmit të shtetit dhe kombit të madh dhe luftëra të ashpra për epërsi dhe pushtet, prirje asimiluese dhe të zhdukjes kombëtare e deri genocide, siç u aplikua ndaj shqiptarëve. Fundi i kësaj ngrehine ishte katastrofik. Sëmundja e rëndë e shovinizmit serb gjakosi popujt që ishin pjesë e federatës për "fajin" e vetëm se vendosën të jetonin të lirë dhe më vete si shtet-komb.
BRSS ishte një eksperiencë tjetër që rezultoi e dështuar. Ajo u shndërrua në një ngrehinë të sundimit të shtetit-komb më të madh. Shtypja nacionale u bë pjesë e mënyrës së jetesës brenda saj. Rrëzimi i komunizmit u shoqërua me një shkërmoqje të pashmangshme dhe shpërbërje të plotë pa shumë probleme, që i hapi rrugë zhvillimit më vete të shteteve-kombe, që dolën nga federata-burg, që quhej BRSS.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, u krijua ai që quhej kampi socialist, që kryesohej nga BS. Në të u përfshinë vendet që morën rrugën e orientimit socialist. Mënyra si u formua dhe funksionoi i shërbeu si argument atyre që e quajtën atë një perandori sovjetike komuniste. U krijuan struktura mbinacionale, që trajtonin probleme të zhvillimit ekonomik, të mbrojtjes, të financave, tregtisë, etj. Në këtë funksion u krijua Traktati i Varshavës dhe KNER-i, si organizma që përfaqësonin perandorinë. Kjo krijesë e kishte në natyrën e saj të shkonte drejt centralizimit të pushtetit, ku rolin vendimtar e luante fuqia më e madhe ekonomike dhe ushtarake, BRSS. Në krye të organizmave mbinacionale ishin përfaqësues të BRSS-së, që kishin dhe rolin kryesor vendimmarrës. Kjo mund të quhet një formë e parë e krijimit dhe "funksionimit" të organizmave mbinacionale, forma të konceptuara me kufizim apo cungim të sovranitetit, e dështuar nga përmbajtja dhe forma.
Vërtet orkestra komuniste të lejonte të dalloje orkestrantë të veçantë, pra kombe dhe shtete-kombe, por ajo ishte nën pushtetin absolut të dirigjentit të saj. Për funksionimin e legjitimimit të kësaj perandorie u sajuan dy koncepte apo teori, si teoria "mbi sovranitetin e kufizuar", që iu atribua Brezhnjevit dhe teoria "mbi ndarjen ndërkombëtare të punës". Në këtë mënyrë, kjo krijesë mori trajtën e një perandorie të vërtetë. Ashtu si në perandoritë e vjetra, të zhdukura, dhe në perandorinë e re, kishte interesa që i bashkonin shtetet pjesëmarrëse, por edhe diferenca dhe kontradikta të thella, që kishin prirjen e vetme të zhvilloheshin deri në nivelin e konfliktit, që shpejt u shfaqën. Siç pritej, mbi rebelët u ushtrua dhunë, madje deri në dhunë ushtarake, siç dëshmuan zhvillimet ne Poloni, Hungari dhe Çekosllovaki. Ndërhyrja ushtarake sovjetike, edhe pse nën emrin e Traktatit të Varshavës, është dëshmi domethënëse se perandoria sovjetike siguronte "vetëruajtjen" me dhunë dhe armë.
Edhe zhvillimet brenda drejtuesve të perandorisë, që përfaqësonte vetë një bashkim kombesh e popujsh të ndryshëm, dëshmojnë për kontradiktat komplekse që e "hanin" nga brenda ngrehinën. Nga kjo pikëpamje, Hrushovi dhe hrushovjanët nuk dolën rastësisht në skenë dhe lehtësisht. Ata ishin produkt i funksionimit problematik të sistemit ekonomik dhe politik, pasqyrë e deformacionit apo degjenerimit të tij. Reformat e Hrushovit për një "lirim" nga centralizmi i shtrënguar, apo që t'u hapej rruga disa kategorive të ekonomisë së tregut, tregonin se ata donin të shpëtonin ngrehinën, apo perandorinë. Edhe Gorbaçovi me "Perestrojkën" dhe "Gllasnostin" mund të konsiderohet si variant i dytë i hrushovizmit, por që tashmë i kishte ardhur fundi perandorisë. Me sa duket, aplikimi i tezës së doktrinës Regan "Paqe përmes forcës", i kishte dhënë dorën e fundit shkatërrimit përfundimtar të perandorisë sovjetike. Përsëri, rrëzimi i perandorisë më të re, riafirmoi shtetet- kombe.
Pra, mësimi i kësaj përvoje është domethënës. Krijesa jashtë natyrës së evolucionit të natyrshëm, nuk kanë të ardhme. Kjo vlen ndoshta edhe për BE-në. Edhe pse ideja e krijimit të Shteteve të Bashkuara të Evropës është e vjetër, krijimi i BE-së merr udhë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Problematika dhe vështirësitë që kanë shoqëruar procesin dhe situata aktuale, të bën ta mendosh në se edhe ky është realisht një proces i natyrshëm, apo ka përfunduar koha e krijimit të federatave apo të konfederatave të reja. Apo është koha e krijimit të formave të reja të bashkëpunimit mes shteteve-kombe, të modeleve të reja të qytetërimit.
Fundi i shekullit të 20-të dhe periudha pas rrëzimit të komunizmit u shoqërua me zhvillim procesesh globale dhe integruese, që imponuan hapjen e një debati intensiv për sovranitetin e shtetit-komb dhe të realizimit të natyrës politike të shtetit-komb. Debati për të ardhmen e shtetit-komb ushqehet, si nga procesi i formësimit politik dhe juridik i BE, ashtu edhe nga proceset reale të integrimeve dhe ato globale. Brenda këtij ndryshimi të madh, vend tërheqës po zinte integrimi në një shoqëri, që po bëhej gjithnjë dhe më globale. Shpejt filloi të flitej për denacionalizim social, pabarazi të institucionalizuar, për ndryshim të ndjeshëm të natyrës së shtetit-komb, sidomos për sa i përket ushtrimit të sovranitetit të tij. Këto opinione i referoheshin proceseve dhe realiteteve konkrete. Edhe pse proceset integruese dhe globale janë duke u bërë dhe nuk mund të parashikosh të ardhmen dhe drejtimin e tyre, filloi shqetësimi për të ardhmen e shtetit-komb.
Është fakt tashmë, që ka një rritje të ndjeshme të presionit të tregjeve globale mbi shtetin-komb dhe sovranitetin e tij, se ka një shtrirje të rolit dhe peshës së shoqërisë civile, që disa mendojnë se ka uzurpuar gjithnjë dhe më shumë fuqinë e shtetit. Për shkak të nevojës së përballimit të problemeve globale si varfëria, krizat, krimi i organizuar dhe lufta kundër terrorizmit, që kanë rritur rolin e ndjeshëm të disa fuqive të mëdha botërore dhe fushën e veprimit të tyre në një masë të tillë, që kanë ngushtuar sovranitetin e shteteve-kombe të caktuara. Ka realisht një prezencë të shtuar të shoqërisë civile në forma të ndryshme si OJF, madje dhe multinacionale, institucione multinacionale, lëvizje proteste transnacionale, etj. Pra, ka një shoqëri civile të çliruar dukshëm nga dominimi i shteteve-kombe.
Mbështetur në këto zhvillime konkrete, në avancimin e peshës dhe rolit të këtyre faktorëve dhe institucioneve të reja, bëhet e ligjshme pyetja: Mos vallë kemi arritur në stadin kur influenca politike është më mirë e ushtruar përmes tregut, se sa përmes proceseve demokratike? Përmes organizmave mbinacionale, apo përmes forcimit të rolit aktiv dhe në një mënyrë të re nga shteti-komb? Ka shumë pikëpyetje mbi këtë çështje, por kriza e fundit ekonomike dhe financiare botërore dhe ajo e eurozonës, përsëri ka evidentuar rolin e veçantë të shtetit-komb.
Integrimi evropian, formësimi politik dhe juridik i BE-së dhe, si pjesë e këtij procesi, krijimi i organizmave mbikombëtare, i ka shtyrë disa ta mendojnë kufizimin e sovranitetit të shtetit- komb si pasojë të këtij procesi. Për ta, ky proces kufizimi mbetet i hapur, prandaj dhe u bëjnë thirrje shteteve pjesëmarrëse të bëhen gati të lëshojnë më tej nga sovraniteti i tyre. Ndërsa, duke iu referuar procesit të globalizimit mendohet se po sjell erozion të kufijve. Duke i krahasuar, procesi evropian vlerësohet si zhvendosje dhe ndërtim kufijsh, ndërsa globalizmi vlerësohet më tepër si kapërcim kufijsh, shoqëruar me krijim të qendrave të reja globale të qeverisjes. Pra, mendohet se globalizmi është njëherësh erozion i kufijve dhe i sovranitetit. Madje, nisur nga përmasat e procesit të globalizmit, mendohet se ai dhe këto dukuri lidhur me kufijtë e shteteve dhe sovranitetin, janë të pandalshme dhe të pakthyeshme. Në këto kushte, një botë e re me demokraci dhe paqe, lëvizshmëri globale të kapitaleve, njerëzve, informacionit dhe komunikimit, perëndimizimi në vlera i shoqërisë njerëzore, një botë harmonike dhe me zhvillime të sigurta, mendohet se mundësohet vetëm përmes një forme të re të qeverisjes globale. Në fakt, është koha kur procesi i globalizimit është në bërje e sipër, prandaj dhe nuk mund të përcaktosh dot në këtë moment as format që do të bëhen sunduese, as drejtimin e përgjithshëm të tij. Megjithatë, debati shkencor do të zhvillohet, që do të sqarojë më mirë përmbajtjen dhe të ardhmen e procesit.
Ideja apo kërkesa për kufizim të sovranitetit të shtetit-komb, apo që vë në dyshim të ardhmen e shtetit-komb, me sa duket ka mbirë nga trysnia për të formësuar juridikisht dhe politikisht Bashkimin Evropian. Natyrisht, që në këtë krijimtari ndikon edhe raporti entuziast i autorëve për të ardhmen e BE-së, por dhe tërheqja e natyrshme nga zhvillimet globale. Megjithatë, dua të sjell në vëmendje se, vërtet sociologjia nuk është si shkencat ekzakte, por është shkencë dhe si e tillë, ka në themel të analizës së saj objektivitetin shkencor. Pikërisht ky standard të obligon të vëzhgosh thelbin e sovranitetit dhe marrëdhënien organike që ai ka me demokracinë. Nga kjo pikëpamje, ideja apo kërkesa për cungim apo kufizim të sovranitetit, është njëherësh dhe cungim apo kufizim i demokracisë. Nuk besoj se zhvillimet integruese dhe globale kanë evidentuar mospërputhjen mes kapitalizmit dhe demokracisë. Historia e perëndimit kapitalist është histori e marrëdhënies organike mes sovranitetit të shtetit-komb dhe demokracisë.
Në përballjen gati 70-vjeçare mes kapitalizmit dhe komunizmit, lindjes dhe perëndimit, u vërtetua qartë epërsia e perëndimit edhe si zhvillim ekonomik dhe i rendimentit në punë, i nivelit të jetesës, por sidomos edhe si evidentim i vlerave të standarteve demokratike me hapësirë të gjerë të lirive dhe të të drejtave të njeriut. Ndërsa, ashtu si është ndërtuar dhe po funksionon BE-ja dhe qëndrimi më i fundit ndaj krizës greke, dëshmon qartë se jemi në parametra të ngushtimit të demokracisë dhe sovranitetit. Por, as nevoja për ta përballuar krizën aktuale të eurozonës dhe krizën greke, nuk duhet të absolutizohet si fakt dhe sidomos si prirje. Koha do të tregojë në se ky qëndrim është çështje e nevojës për shpejtësi në vendimmarrje, apo është tregues i ruajtjes së pushtetit që kanë siguruar elitat drejtuese të BE-së. Parë nga një kënd tjetër, kjo sjellje e organizmave "mbikombëtare" të BE-së, dëshmon se ekonomia e tregut në këtë hapësirë evropiane është vënë nën kontrollin apo trysninë e politikës. Pra, po konstatohet më shumë shtet, më shumë politikë se sa treg.
Disa ekonomistë absolutizojnë tregun, dhe në këtë mënyrë, e shohin shtetin-komb si pengesë për lëvizjen e lirë të kapitaleve, mallrave dhe njerëzve. Sipas tyre, shtetet-kombe vetëm mund të vendosin barriera për tregjet globale. Ata mbështesin dhe absolutizojnë rolin e teknokracisë dhe thelbin e principit "leissez faire". Nuk mund të mohohet roli i veçantë i teknokracisë, por absolutizimi i saj dëmton direkt demokracinë. Historia e marrëdhënieve ndërkombëtare dëshmon qartë se ka formuar përmbajtjen e saj me mënyra të larmishme të bashkëpunimit dypalësh e shumëpalësh, që kanë zgjeruar dimensionet e tyre. Përmes marrëveshjeve harmonizohen strategjitë kombëtare të zhvillimit me ato rajonale dhe globale. Janë qeveritë kombëtare ato që mbajnë dhe përgjegjësitë përkatëse në përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga këto bashkëpunime. Edhe pse shoqëria e sotme është globalizuar, përsëri lidhja e qytetarit me shtetin-komb mbetet më e qëndrueshmja.
Në raportin qytetar i botës - qytetar i një shteti komb, prevalon kjo e dyta. Kultura, territori dhe mjedisi i përbashkët, lidhjet shpirtërore dhe traditat, gjuha, etj., kanë krijuar cilësi të qëndrueshme të identiteteve kombëtare, të cilat nuk bëhen kurrsesi pengesë për t'u bërë dhe "qytetar i botës". Lëvizshmëria e qytetarëve ndihmon zhvillimin, por territori mbetet përsëri element thelbësor i bashkësisë kombëtare. Është e vërtetë që gjeografia dhe identitetet kombëtare kanë ndryshuar në rrjedhën e historisë dhe vlerat e norma globale janë formësuar, por identitetet kombëtare nuk janë zhbërë. Në këto kushte mund të pohohet një ndërthurje e vetëdijes kombëtare me atë globale. Duhet pranuar se sfidat e globalizmit do të shtohen dhe për rrjedhojë edhe mekanizma dhe forma të reja bashkëpunimi mund të formatohen.
Tani për tani, zgjerimi i bashkëpunimeve globale, brenda vizionit aktual, do të kërkojë edhe "kufizime" në ushtrimin e sovranitetit, për shkak të nevojës së harmonizimit të interesave globale dhe nacionale, por duke ruajtur marrëdhënien organike sovranitet - demokraci. Kjo, për faktin se shtetet-kombe janë mjeti më efektiv që ka krijuar njerëzimi për bashkëpunime dhe kooperime rajonale e globale. Me sa duket, shteti-komb është dhe do të jetë gjatë, institucioni më i rëndësishëm i krijuar në evolucionin e shoqërisë njerëzore.
Në përmbajtjen e sovranitetit nuk ka asnjë element që të jetë shuar në vlerën e tij, nuk asnjë element që të jetë në kontradiktë ekstreme, përjashtuese, që të bëhet pengesë e zhvillimit të marrëdhënieve dy apo shumëpalëshe. Në këto rrethana, nuk shoh arsye të qenësishme, që trajtimi i raportit shtet-komb - globalizëm, të kuptohet sikur globalizmi e mohon shtetin-komb, sikur globalizmi krijon identitete të reja, apo një identitet global. Identitetet kombëtare do të bëjnë pjesë të tyre edhe dimensionin global. Në këtë mënyrë, siç ka treguar edhe përvoja historike, sovraniteti kombëtar nuk do të mund të krijonte ndonjë izolim, qoftë fizik, ekonomik, social, moral, apo kulturor. Pjesëmarrja në jetën kolektive të shteteve-kombe, i krijon mundësitë dhe vendimmarrjet demokratike për të harmonizuar interesat kombëtare me ato globale.
Është e njohur praktika që, në bashkëpunimet shumëpalëshe, shtetet-kombe të shfaqin sensibilitet të natyrshëm për interesat kombëtare. Do të ishte gabim i pafajshëm po të mos e bënin atë, sepse do të vetëpengonin integrimin e interesave nacionale me ato globale. Po kështu, interesat globale kërkojnë edhe kontribute dhe sakrifica nacionale si rrugë e harmonizimit të këtyre tipave të interesave, për të përballuar problemet globale, pra edhe për mbrojtjen e aseteve botërore. Kjo përbën dhe thelbin e bashkëpunimit mes shteteve, kombeve e popujve. Në çdo lloj forme bashkëpunimi, esencial është legjitimiteti dhe reciprociteti, për të shmangur arbitraritetin dhe prepotencën politike të më të fortëve. Dhe sovraniteti kombëtar nuk i pengon këto standarde. E një rëndësie të veçantë në këtë bashkëpunim është komunikimi dhe informimi i qytetarëve për vendimmarrjet, detyrimet dhe të drejtat, përgjegjësitë, rezultatet e pasojat, etj. Në këtë mënyrë qytetarët bëhen pjesë e procesit vendimmarrës dhe monitorues, që nënkupton një bashkësi në bazë rregullash dhe jo të pushtetit. Zhvillimet integruese dhe globale, siç duket, kanë krijuar një kontradiktë mes ndërvarësisë mes shteteve dhe ushtrimit të sovranitetit. Shqyrtimi deri më sot i saj, ka prodhuar ide pro dhe kundra sovranitetit. Ndoshta analiza e kësaj kontradikte nuk duhet bërë me logjikën ose-ose, pra, ose ndërvarësi dhe globalizëm, integrim ose shtet-komb dhe sovranitet kombëtar. Në fakt, idetë e sotme mbi kufizimin e sovranitetit të shtetit- komb, apo për fundin e tij, për një qeverisje globale etj., mund të shihen si pasqyrim i stadit aktual të zhvillimit të proceseve integruese dhe globale. Mund të shihen si refleksione të ngritura mbi vizionet aktuale mbi shtetin, kombin dhe sovranitetin. Zhvillimi i mëtejshëm i procesit do të tregojë në se jemi në një nevojë për një teori të re për sovranitetin dhe shtetin-komb, apo për një qeverisje të një tipi tjetër të ri, apo për një model të ri të qytetërimit njerëzor.
Mendoj se procesi që po zhvillohet nuk ka arritur në një stad të pjekur, prandaj nuk duhet të ngutemi në nxjerrjen e konkluzioneve. Akoma nuk mund të dihet në se do të ketë zigzage e kthime prapa. Po kështu, edhe përmasat dhe gjerësia e shtrirjes së procesit, ka ndikimin e vet. Në këto kushte, vëzhgimi i kujdesshëm do të ishte qëndrimi më realist, derisa pjekja e procesit të konfigurojë një nevojë historike. Vetëm një proces i pjekur formëson nevojën historike, por krijon edhe kushtet për zgjidhjen e saj. Gjendjet e papjekura të procesit përmbajnë mundësinë më të madhe për përfytyrime dhe konkluzione jo të qëndrueshme dhe të argumentuara si duhet. Tashmë është e vërtetuar historikisht, se kushtet e papjekura lindin dhe teori dhe përfytyrime të papjekura.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›