Braktiset Enveri, vizitorë të paktë në 27-vjetorin e vdekjes

Dje pranë varrit të Enver Hoxhës, 11 prill 2012. Lule dhe bishta cigaresh
Heshtje për vdekjen e ish-udhëheqësit komunist.
Ska më kurora për komandantin, por vetëm lule fushe dhe bishta cigaresh.
Braktisen homazhet e përvitshme te varri i Enver Hoxhës. Si asnjëherë tjetër, 27-vjetori i vdekjes së ish-udhëheqësit komunist ka kaluar thuajse në heshtje. Si nga familja, ashtu edhe nga pasuesit e Partisë Komuniste. Të vetmit që kanë kaluar për pak minuta dhe kanë nderuar me grusht pranë varrit të Hoxhës ishin disa nostalgjikë, personazhe jo të njohura nga historia komuniste. Ishin me mëngjes rreth 9-10 burra të moshuar, por nuk njihja asnjë prej tyre. Disa ishin me lule në dorë dhe disa të tjerë mblodhën rrugës, anash varrezave dhe i mbështillnin me qese të tejdukshme. Shkuan te varri, nderuan me grusht, pinë nga një cigare dhe pastaj ikën. Ndenjën shumë pak, por mbase kishin dhe frikën e shiut se ia filluan disa pika, thotë Sadetja, shitësja e luleve që rri në krah të djathtë të hyrjes kryesore të varrezave të Sharrës. Siç tregon ajo, i ka lutur të moshuarit që të blejnë nga lulet e saj, por ata e kanë refuzuar. Gruaja rreth të 60-tave thotë që këta kanë qenë vizitorët e vetëm të ditës së djeshme në varrin e Enverit. Të paktën nga mëngjesi i hershëm e deri në orën 18:00. Mos prit kot. Më vonë nuk vjen njeri në varreza, thotë shitësja e luleve teksa shikon orën, ndërkohë që bëhet gati të mbyllë ditën e saj të punës.
Te varri
Pelegrinazhi duket se mori fund në këtë 27-vjetor të vdekjes. Ndryshe nga vitet e tjera, ku mbi varrin e Enver Hoxhës vendoseshin kurora të mëdha me lule, parulla dhe shirita me mbishkrime, dje nuk ka pasur asnjë nga këto elemente. Vetëm pak karafila, si dhe disa lule pranvere, që për nga freskia dukeshin qartë që ishin këputur diku aty pranë Sharrës. Ashtu siç na tregoi shitësja e luleve. Të kuqe, të verdha dhe të bardha, këto lule sikur ndriçonin në gjithë atmosferën gri pranë varrit të Enver Hoxhës, prej mermerit të hirtë e prej kohës me shi. Gjithsej ishin 9 buqeta të vogla me lule natyrale, të mbështjella me qese të tejdukshme dhe sipër tyre, dy trëndafila të mëdhenj artificialë – njëri i verdhë dhe tjetri rozë. Ndërkaq, mbi pllakatën e varrit ku ndodhet e gdhendur një shqiponjë, varej një tjetër lule e kuqe, që siç duket u ka rezistuar disa muajve. Kjo ka qenë që në tetor. Ia vunë kur pati përvjetorin e lindjes, tregojnë dy minorenët M.V dhe M.L, 12-vjeçarët nga Sharra që nxjerrin bukën e gojës duke pastruar varret. Përveç kësaj panorame lulesh, që është krejt e zakonshme nëpër varreza edhe pa pasur përvjetorë, asgjë tjetër nuk të sjell në mendje se në atë varr prehet ish-udhëheqësi komunist i Shqipërisë në katër dekada. Për më tepër, nëpër mermerin që mbështjell eshtrat e tij, ishin lënë bishta cigaresh dhe ca lëvozhga arre. Ishin dhe dy qirinj aromatikë, të padjegur deri në fund. Siç duket, prej shiut…
Nostalgjikët

Nexhmije Hoxha pranë arkivolit të bashkëshortit, 11 prill 1985
Nga viti në vit, duket se ata kanë ardhur duke u tërhequr. Disa nga zhgënjimi e më të shumtët nga shëndeti i dobët, për shkak të moshës së madhe. Në vitet e para të ardhjes së demokracisë, pavarësisht klimës së ashpër antikomuniste, nostalgjikët kanë shkuar vazhdimisht te varri i Enver Hoxhës, pavarësisht debateve apo edhe kërcënimeve. Mbaheshin fjalime dhe bëheshin betime. Të gjitha Made in komunizëm. Vizitat e nostalgjikëve kryesisht nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, por edhe nga vende të tjera, bëheshin me shpallje të madhe dy herë në vit – në tetor për ditëlindjen dhe në prill për vdekjen. Megjithatë, dy vitet e fundit tradita e tyre është zbehur. Hera e fundit që nostalgjikët kanë organizuar homazh masiv me kurora e parulla për nder të Enver Hoxhës, është më 11 prill të vitit 2010, me rastin e 25-vjetorit të vdekjes. Ishte koha kur Presidentit Topi iu kërkua nga ish-të përndjekurit politikë që ti hiqeshin 14 dekoratat Enver Hoxhës, në mes tyre edhe titulli Hero Kombëtar. Vitin e kaluar, homazhet u bënë sërish, por me pak zëra. Historia e dekoratave u harrua. Bashkë me to duket se po harrohen edhe vizitat pranë varrit të tij. Dje, thuajse gjithçka u zhvillua në heshtje. Komandantit nuk ka kush ti çojë më lule…
Rregullimi i varrit
Enver Hoxha nuk është lënë i qetë edhe në varr. Fillimisht iu lëvizën eshtrat nga Varrezat e Dëshmorëve, në varrezat masive në Sharrë. Më pas janë raportuar ndër vite disa raste që i është dëmtuar varri. Megjithatë, duket se tashmë gjithçka është në rregull. Ai prehet në një varr prej mermeri me tri ngjyra, e kuqe, gri e hapur dhe gri e mbyllur. Si epitaf është vetëm emri i tij, Enver Hoxha, dita e lindjes dhe dita e vdekjes. Kujtim nga kush? Nuk është e shënuar…
Homazh martirëve të komunizmit në datëvdekjen e Enverit
U shfaq mbrëmë në akademinë Marubi dokumentari
Pamje filmike dhe fotografi nga gjyqet speciale të viteve të para të diktaturës

Ali Kavaja, një nga anëtarët e Partisë së Legalitetit
Kuriozët varen nga lozhat. Ata që janë nga radhët e fundit, ngrenë veshët… Nuk duhet tu humbë asgjë. Turmat jashtë janë mbledhur rreth autoparlantëve. Ndërsa ata ndiejnë si u gozhdohen mbi trup vështrimet armiqësore. E tmerrshme ajo që po jetojnë, e pamendueshmja po ndodh. Por të paktën të jenë dinjitozë. Xhaketat dopiopetë i kanë mbërthyer për të fshehur trupin, që u është mpakur… tashmë nuk janë më zotërinj e kollarja nuk u lejohet, fytyrat u janë hequr, por shenjë mëshire aty nuk ka… Ata janë martirët e gjyqeve komuniste. Jo rastësisht mbrëmë, në datën që përkon me datëvdekjen e ish-diktatorit Enver Hoxha, regjisori Saimir Kumbaro e historiani Uran Butka, në rolin e skenaristit shfaqën dokumentarin Martirët, kushtuar viktimave të gjyqeve speciale gjatë tri viteve të para të instalimit të diktaturës komuniste. Merrnin pjesë në këtë premierë ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, ministri i Mbrojtjes Arben Imami, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, deputetë, kineastë e të afërm të protagonistëve të dokumentarit.
Gjyqe dhe pushkatime
Përgjatë 45 minutave film u shfaqën pamje filmike e fotografike nga gjyqe të kthyera në show, që jo më kot shfaqeshin
