E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bllokohet varreza e makinave të vjedhura

 

KURBIN - Policia e Kurbinit, në bashkëpunim me atë të Tiranës bllokon 15 makina të vjedhura, ndërsa në pranga janë vënë dy persona. Një aksion i përbashkët, zhvilluar mëngjesin e djeshëm, ka zbuluar rrjetin që bënte të mundur grabitjen e makinave në kryeqytet, të cilat përfundonin në pikat e grumbullimit të mjeteve, ku çmontoheshin e shiteshin për pjesë këmbimi. Burime zyrtare të policisë së Kurbinit pohuan dje se është arrestuar Arjan Zefi, banor i lagjes 6 në Sanxhak, bashkë me një banor të Kamzës, Urim Jella. Sipas të njëjtave burimeve, prej kohësh dy personat ndiqeshin nga policia, të dyshuar për veprimet e tyre. Në distancë janë kryer përgjimet e tyre dhe hetimi, për të zbuluar vendin ku përfundonin makinat e grabitura. Pas zbulimit të pikës së grumbullimit të makinave, në Malbardhë të Kurbinit u arrit arrestimi i dy prej autorëve kryesore. Policia bëri të ditur se është shoqëruar në komisariat edhe pronari i varrezave të makinave, B.A., i cili po hetohet nëse ka dijeni që makinat ishin të grabitura në Tiranë. Gjithësi burimet bëjnë të ditur se policia ka arritur të bllokojë 15 makina që po zbërtheheshin pas vjedhjeve në lagjet e kryeqytetit. Mësohet se aksioni për kontrollin e të gjithë varrezave të makinave do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim në rrethin e Kurbinit.            r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›