E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokurori serb: Do ta nxjerr Mlladiç nga vrima ku fshihet

Lajmi u publikua sot nga e përditshmja serbe “Press”. “Do ta nxjerr Mlladiçin nga vrima ku fshihet!”, deklaroi Vukçeviç në një intervistë dhënë gazetës. Mlladiç, për të cilin mendohet se fshihet në Serbi, është akuzuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (TPI) për ish-Jugosllavinë për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për rolin e luajtur në luftën e Bosnjës (1992-1995) dhe veçanërisht në masakrën e rreth 8 mijë myslimanëve të Srebrenicës në korrik 1995.

Vukçeviç, i cili drejton edhe një grup veprimi të ngarkuar me operacionin e ndjekjes së të arratisurve të akuzuar për krime lufte dhe që ka arrestuar në vitin 2008 ish-shefin politik të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, shtoi se nuk do të heqë dorë nga ndjekja e Mlladiçit.

“Do të jem këmbëngulës dhe do ta çoj punën deri në fund”, shtoi ai, duke shprehur kënaqësinë për sigurimin e “dokumenteve shumë të dobishme” gjatë kërkimeve të kryera nga autoritetet në kuadrin e operacionit të kërkimit të Mlladiçit, sidomos të regjistrimeve të bisedave telefonike dhe të blloqeve të tij shënimeve, të gjetura në një shtëpi që i përkiste familjes së të arratisurit në Beograd. “Këto dokumente i janë dorëzuar TPI-së”, vijoi prokurori serb.

Sipas shtypit vendas, disa CD dhe kaseta të sekuestruara përmbajnë biseda të Mlladiçit me Karaxhiçin, me presidentin jugosllav Millosheviç, me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave Momçillo Perisiç dhe me shefin e zbulimit serb Jovica Stanisiç, në kohën kur ata ishin në detyrë. Të gjithë këta persona janë dërguar në TPI për rolin e tyre në luftërat në ish-Jugosllavi, në vitet 1990. Sllobodan Millosheviç vdiq në mars të vitit 2006 në qelinë e tij në burgun e TPI-së në Hagë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›