Prokuroria : Akuzat e Dick Marty, nuk kemi pasur dijeni

Prokuroria e Përgjithshme e Republikës së Shqipërisë ka hedhur poshtë akuzat që ngrihen në raportin e raportuesit të KiE, Dick Marty, mbi transplantimin e organeve në zona të caktuara të Shqipërisë.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme, në një deklaratë për shtyp, ka deklaruar se ky institucion nuk ka pasur asnjë të dhënë për kryerjen e aktiviteteve të tilla, madje as nga institucionet ndërkombëtare.
“Prokuroria e Përgjithshme thekson se pretendimet e paraqitura së fundmi në raportin e anëtarit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Dik Marti, mbi ekzistencën e bazave të tilla ku presupozohet se janë kryer transplante, si në Fushë Krujë a diku gjetkë brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të dhëna për të cilat Prokuroria e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë dijeni dhe për të cilat nuk është njoftuar apo paraqitur kërkesë për hetim nga asnjë organ hetimor ndërkombëtar”.
Njëkohësisht, ai ka hedhur poshtë edhe akuzat e bëra së fundmi nga ish-prokurorja Carla del Ponte, se Shqipëria ka penguar hetimet e Hagës mbi këtë cështje, përgjegjësia e të cilës i atribohet ish-drejtuesve të UCK-së.
“Deklarimeve të ish prokurores Carla del Ponte në librin e saj për një bazë në fshatrat e Burrelit ku pretendohej se kryhej heqja e organeve të ushtarëve serbë për qëllime tregtimi, i ka paraprirë në vitin 2004, një verifikim i një grupi të Prokurorisë së Hagës në bashkëpunim me prokurorë shqiptarë, që ka marrë në evidencë këto të dhëna në shtëpinë e supozuar si bazë për këtë qëllim. Në bazë të verifikimit të përbashkët të ekspertëve të Hagës dhe atyre shqiptarë, nuk ka rezultuar se të dhënat e parashtruara të kenë ndonjë bazë vërtetësie, ndaj Prokuroria e Shqipërisë nuk ka gjetur bazë për nisjen e çështjes penale”.