E Diel, 1 Nëntor 2026

Ekzekuton fqinjin në gjendje të dehur



LUSHNJË – Konflikti mes fqinjëve shkakton një tjetër vrasje. Ngjarja ka ndodhur në qytetin e Lushnjës, ku Fehmi Koçi është përballur me Maksim Gjermenin, që ishte i alkoolizuar dhe në gjendje të rënduar psikike. Pasi janë përplasur fqinjët me njëri-tjetrin, Gjermeni ka marrë kallashnikovin dhe ka qëlluar ndaj tij, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ngjarja ndodhi në lagjen “Kadri Qystri” në qytetin e Lushnjës dhe autori është prangosur pak çaste pas krimit.

Ngjarja
Dëshmitarët i treguan policisë se Fehmi Koçi ndërhyri që Gjermeni të mos digjte shtëpinë. Ky veprim nuk i ka pëlqyer Gjermenit, i cili menjëherë ka marrë në dorë kallashnikovin dhe ka ekzekutuar Koçin pa marrë parasysh asgjë. Policia kriminale e Komisariatit të Lushnjës mbërriti menjëherë në vendngjarje, por çdo gjë kishte marrë fund brenda pak minutash. Autori u arrestua pak pasi kreu vrasjen, ndërkohë që ekspertët e policisë thonë se në momentin e prangosjes ishte jashtë realitetit, në gjendje të dehur. Po sipas policisë, vrasësi ka qenë i armatosur. Atij i janë gjendur në xhep edhe dy bomba dore dhe kallashnikovi. Në vendngjarje ka qenë edhe zjarrfikësja, e cila ka bërë të mundur shuarjen e flakëve. Gjatë kontrollit të banesës së vrasësit i janë gjendur edhe armë të tjera.

Krimi
Gjatë muajve të fundit ka pasur një rritje drastike të konflikteve, që kanë përfunduar në vrasje, siç ishte edhe rasti më i fundit në Lushnjë. Duke iu referuar të dhënave, përgjatë 45 ditëve kanë ndodhur të paktën 12 vrasje në kryeqytet dhe në rrethet e vendit (shih të dhënat). Një situatë e tillë ka alarmuar strukturat e rendit. Në analizën vjetore të Policisë së Shtetit, gjatë 11 muajve të këtij viti kanë ndodhur 103 vrasje, duke shënuar numrin më të lartë që nga viti 2005. Edhe gjatë dy javëve të fundit kanë ndodhur disa vrasje, duke e shtuar bilancin e veprës penale të krimit kundër personit. Në 2009-n, policia raportoi 83 vrasje, ndërsa në 2008-n, 88 vrasje. Kryeministri Berisha kritikoi ashpër drejtuesit e strukturave të rendit për situatën e krijuar, si dhe për nivelin e ultë të zbulueshmërisë së krimeve.

20 Dhjetor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›