Prokuroria, 12 celularë të Dokles u përgjuan
Megjithëse ndodhet prej pesë vitesh i arrestuar, pasi akuzohet për disa vrasje në qytetin e Durrësit, Endrit Dokle ka drejtuar grupin kriminal. Sipas burimeve nga akuza qendrore, Dokles i janë përgjuar rreth 12 celularë që ka përdorur në burg nga ku ka rezultuar se ai drejtonte të gjithë “ushtarët” e tij, madje duke u lidhur edhe pika kontakti në shumë vende të rajonit. “Hetimet për këtë grup janë voluminoze dhe është dashur një punë e gjerë për të dokumentuar të gjithë veprimtarinë kriminale. Krahas dy sasive të lëndës narkotike që janë sekuestruar, ky grup dyshohet se ka dërguar tonelata me lëndë narkotike jashtë Shqipërisë”, thanë burime nga akuza qendrore. Sipas tyre, një “peshë” në hetime e kanë pasur edhe përgjimi i telefonatave të Endrit Dokles. Këtij të fundit, hetuesit e çështjes i kanë bërë një vizitë mesditën e djeshme duke i komunikuar edhe akuzat e reja që bëjnë fjalë për trafikimin e narkotikëve në kuadër të grupit kriminal.
#