Tushemisht, kapen me viza greke false katër dibranë
Katër persona, pjesëtarë të një familjeje, janë arrestuar nga ana e policisë në kushtet e flagrancës me viza greke false. Të katër shtetasit janë kapur ndërsa kanë qenë duke tentuar kalimin drejt shtetit maqedonas nga pika e kalimit kufitar të Tushemishtit, një pikë me lëvizje jo të shumta, përmes së cilës kanë tentuar të kalojnë pa u pikasur nga ana e policisë. Të pajisur me viza pune greke, të cilat sipas policisë kanë qenë të falsifikuara, katër personat nga fshatrat e Dibrës, me lidhje farefisnore mes tyre, do të iknin nga Maqedonia, për të kaluar më pas drejt shtetit grek. Burimet e policisë kanë bërë të ditur se janë arrestuar në kushtet e flagrancës në Doganën e Tushemishtit në Pogradec Fiqiri Gjura 49 vjeç, një grua 51-vjeçare S.Gjura, Hamza Gjura 38 vjeç dhe Dritan Sina 32 vjeç. Sipas policisë së Korçës, ata ishin nisur të katërt nga Dibra, pasi kishin falsifikuar në pasaportat e tyre vizat greke. Nga ana e sektorit të shërbimeve operacionale pranë drejtorisë së policisë, pas verifikimit të pasaportave të tyre në vendkalimin kufitar me shtetin maqedonas është ngritur dyshimi se vizat e punës nuk kanë qenë të rregullta dhe më pas policia ka vendosur arrestimin për falsifikimin e tyre. Ata janë paraqitur në kufi në orën 23:00 dhe gjatë kontrollit të dokumenteve të udhëtarëve në dalje nga Shqipëria u konstatuan se vizat e punës greke ishin të falsifikuara. Ndaj katër të arrestuarve rëndon akuza për falsifikim të pasaportave, letërnjoftimeve dhe vizave.
#