E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sindikatat kundërshtojnë planin e Albetrol për shkurtimet

Kompania shtetërore e prodhimit të naftës do të nxjerrë pa punë 1200 naftëtarë

“Reforma që po aplikon kompania “Albpetrol” sh.a për shkak të privatizimit të pritshëm është e nxituar”. Kjo deklaratë vjen nga Tafil Gjolena, kryetar i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura për Qarkun e Fierit. Gjolena thotë se reforma më e afërt që do të përfundojë së zbatuari në fund të muajit qershor do të largojë nga puna 1200 naftëtarë dhe për pasojë do të krijojë një problem të madh social për të gjithë zonën e Patosit dhe të Fierit.

“Ne si Konfederatë e Sindikatave të Pavarura shprehemi kundër reformave të deklaruara. Ky qëndrim i yni lidhet me atë që quhet shpejtësi e këtyre reformave. Shpejtësia e reformave ka sjellë probleme të rënda sociale te punëmarrësit e rregullt që në këtë rast janë sektorët e “Albpetrol”. Të gjithë jemi në dijeni se vitin e kaluar u bënë shkurtime masive në emër të reformave dhe së afërmi, në fund të qershorit ne presim një shkurtim tjetër të 1200 naftëtarëve. Në ndryshim me reformën e vitit të shkuar naftëtarët që do të preken nga reforma e radhës nuk do të trajtohen më tepër se dy vjet, dhe ka mundësi që as një vit mos t’u zgjasë trajtimi i tyre me asistencë”, ka thënë Tafil Gjolena, që kryeson Konfederatën e Sindikatave të Pavarura në shkallë qarku. Ai bën apel edhe për sindikatat e naftës që të kundërshtojnë reformën. Madje, Gjolena shprehet për një “kompmomis” të arritur mes sindikatave të naftës dhe vetë drejtuesve të “Albpetrol”. “Kemi të dhëna të sakta që këto sindikata kanë nënshkruar edhe marrëveshje me kompaninë “Albpetrol” për kryerjen e reformave. Do t’u bëja apel kryetarëve të sindikatave që operojnë aktualisht në sektorin e naftës që ta rishikojnë edhe një herë atë marrëdhënie dhe marrëveshje që kanë firmosur”, tha Tafil Gjolena. Numri aktual i punonjësve të kompanisë “Albpetrol” është 4300, ndërsa pritet që vala e parë e shkurtimit të 1200 punonjësve të përfundojë në muajin qershor. Një tjetër numër naftëtarësh pritet të humbasin vendet e punës deri në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011. Reformat janë motivuar me privatizimin e kompanisë, si dhe kalimin e mjaft zonave të shfrytëzueshme për naftë te kompanitë e huaja.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›