Në ekskursion me armë, vritet aksidentalisht i mituri
Një i ri humbi jetën në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pasi u qëllua aksidentalisht me armë nga një shoku i tij. Policia njoftoi se një grup të rinjsh nga Komuna Melam e Dibrës ishin nisur në orët e para të mëngjesit për një ekskursion në Bjeshkët e Ilnicës, në afërsi të kufirit të Shqipërisë me Maqedoninë. Të rinjtë, shumë prej të cilëve nën 18 vjeç, kishin me vete edhe armë zjarri dhe gjatë lojës me to, i mituri Altin Stërmilla është plagosur rëndë. Shokët e kanë transportuar menjëherë drejt spitalit të Peshkopisë, por i plagosuri ka mbërritur pa jetë në këtë spital. Policia e Dibrës ka nisur menjëherë hetimet për ngjarjen dhe ka shoqëruar të gjithë të rinjtë e përfshirë në këtë ngjarje. Njëri prej tyre, me inicialet A.Gj., u arrestua me akuzën për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje.
#