U bënin presion nxënësve, ndëshkohen 30 mësues në Fier
Drejtoria Arsiomore e Fierit ka paralajmëruar për pushim nga puna 30 mësues të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme të qytetit. Motivi që ka çuar në këtë masë të parë të këtij lloji ka qenë presioni që këta mësues u bëjnë nxënësve për përfshirjen e tyre në kurse private.
Ka qenë një anketë, e cila ka zgjatur disa muaj në pothuajse të gjitha shkollat e mesme dhe nëntëvjeçare të Fierit ajo që ka sjellë këtë përfundim. Sipas drejtueses së Drejtorisë Arsimore në Fier, Suzana Numani, mësohet se nxënësit kanë shfaqur hapur shqetësimin e tyre në këto anketa për presion në forma të ndryshme deri te mosdhënia e notës së merituar, për t’i detyruar nxënësit të marrin pjesë në kurset private që zhvillojnë mësuesit e tyre. Një tjetër formë e ankesave, përveç anketave, sipas drejtueses së arsimit në Fier kanë qenë dhe sms–të e dërguara nga nxënësit, ku përmenden edhe emra konkretë të mësuesve që abuzojnë me detyrën.
“Ne kemi pasur si qëllim eleminimin e kurseve private të mësuesve dhe duke qenë se nuk është një fenomen i ri, por i mbartur prej vitesh, krijuam një plan pune dhe menduam të nismin anketat nëpër shkolla. Këto anketa të përforcuara dhe nga sms-të në celular që kanë ardhur me emra konkretë për mësuesit që përdorin forma të ndryshme presioni, sollën edhe masën e parë ndëshkimore të këtij lloji. Janë më shumë se 30 mësues të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në Fier që kanë tashmë një masë paralajmërimi për përjashtim nga puna të regjistruar në dosjet e tyre personale me motivacionin e ushtrimit të presionit ndaj nxënësve me qëllim përfshirjen e tyre nëpër kurse private”, ka deklaruar drejtuesja e DAR-it Fier, Suzana Numani.
Sipas Numanit, këta mësues, emrat e të cilëve nuk bëhen publikë, janë thirrur dhe u është bërë e ditur masa adminstrative me motivacionin dhe arsyet si nga drejtori i shkollës ashtu dhe nga vetë ajo, duke u shprehur gjithashtu se në rast përsëritje do të largohen përfundimisht nga puna.
Suzana Numani ka theksuar së fundmi se ky është vetëm hapi i parë që do të vijojë me të tjera masa ndëshkiimore deri në eleminimin e plotë të këtij fenomeni për të gjithë.