E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokuroria, 16 vite burg për pronarin që u kap me 11 kile heroinë

10/02/2005  TIRANË - Edvin Balliu, në 26 prill 2004, u kap me 11 kile heroinë në serbatorin e makinës tip "Nisan", në pritje për të kaluar portin e Durrësit, që do ta çonte drejt Italisë. Pasi u vërtetua se lënda që u kap ishte heroinë e pastër, Prokuroria vendosi t'i kërkojë gjykatës dënimin e të pandehurit me 16 vjet heqje lirie. Konkluzionet e prokurorit u lexuan në prani të të pandehurit, pasi avokati i tij, edhe pse ishte lajmëruar, nuk u paraqit në seancë gjyqësore. Trafikim i lëndëve narkotike në bashkëpunim. Kjo është akuza me të cilën i pandehuri Edvin Balliu erdhi për t'u gjykuar para Krimeve të Rënda. Në 26 prill 2004, i pandehuri, sipas akuzës ishte me makinën e tij gati për të kaluar kufirin drejt Italisë. Gjatë kontrollit rutinë të policisë, në serbatorin e makinës, Balliut iu gjet sasia prej 11 kile heroinë e sistemuar në 16 pako. Ndërkohë që nga verifikimet e bëra rezultoi se Edvin Balliun e priste në Itali vëllai i tij, Andi Balliu. I implikuar ishte edhe vëllai i tretë i të pandehurit me banim në Durrës, por që nuk është bërë i mundur zbulimi i plotë i skicës së bashkëpunimit. Vetë i pandehuri nuk pranoi të jepte shpjegime. Ai kërkoi kohë nga gjykata për të lajmëruar avokatin e tij mbrojtës. Gjatë gjithë fazës së hetimit dhe të shqyrtimit gjyqësor, i pandehuri nuk e ka pranuar akuzën. Ai është mbrojtur me faktin se, nuk e dinte që në makinën e drejtuar prej tij ishte futur një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›