E Hënë, 2 Nëntor 2026

Paraburgimi, 13 shkeljet e konstatuara në 2004

10/02/2005  Komiteti Shqiptar i Helsinkit mbledh në një tryezë përfaqësues të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Ministrisë së Drejtësisë e Policisë së Shtetit dhe u bën të njohur shkeljet e të drejtave të të paraburgosurve. Nga KSHH-ja për një periudhë tre mujore, vitin e kaluar janë bërë vëzhgime në 16 komisariate policie me dhoma paraburgimi, përkatësisht në rrethet Berat, Elbasan, Vlorë, Tepelenë, Korçë, Pogradec, Krujë, Kukës, Lezhë, Shkodër, Fier, Gjirokastër dhe Mat si dhe institucionin e paraburgimit 313 në Tiranë. Gjithashtu u bënë vëzhgime edhe në burgjet 302 e 325 në Tiranë, Krujë, Tepelenë, Peqin, Rrogozhinë, Vaqarr dhe Spitalin e Burgut. Në të gjitha komisariatet dhe burgjet janë konstatuar shkelje të rënda. Përfaqësuesit e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Policisë së Shtetit, pranuan faktin se shkeljet kanë qenë evidente dhe mundësia e shmangies së tyre ka qenë shumë e vogël. Kjo, sipas tyre, për shkaqe objektive. Drejtuesit e Policisë së Shtetit u shprehën në takim se, të paraburgosurit në komisariate nuk mund të shoqërohen në burg brenda një afati të shkurtër, për shkak të mungesës së certifikatave, pra identifikimit të plotë të tyre. Shumica e të ndaluarve në Tiranë vijnë nga rrethet dhe, kjo është pika kyçe e vështirësisë. Ndër shkeljet e rreshtuara nga KSHH, veçojmë kuadri ligjor dhe nënligjor. Nga takimi doli se shkeljet vijnë jo si pasojë e boshllëqeve në ligj, por në komisariate zbatohet ende ligji i vitit 1999, ndërkohë që vetëm në Vlorë e Tiranë zbatohet rregullorja e dalë në 23 korrik 20o3 për "organizimin dhe funksionimin e sistemit të paraburgimit". Varësia e vendeve të paraburgimit dhe transferimi i personave të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, janë dy pika të tjera ku vërehen shkelje të rënda. Ndërkohë që infrastruktura e vendeve të paraburgimit, kushtet higjieno-sanitare dhe higjiena vetiake, vlejnë shumë për të dëshiruar. Fondet për këtë qëllim janë tepër të vogla. Tri pika të tjera shqetësuese, për të cilat është bërë disa herë debat, janë mbipopullimi, ushqimi dhe shërbimi shëndetësor. Trajtimi i të sëmurëve mendorë, dhuna në vendet e paraburgimit dhe njohja nga personat e paraburgosur me të drejtat e tyre, nuk janë më pak shqetësuese. Të sëmurët mendorë dhe të sëmurët kronikë, sipas vëzhgimit, mbahen në të njëjtin ambient. Të miturit, gratë dhe personeli në paraburgim janë pikat e fundit për të cilat është kërkuar zgjidhje sa më e shpejtë e problemeve. KSHH-ja për të gjitha pikat në takimin e djeshëm u përpoq t'i tërheqë vëmendjen shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›