E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-zv/ministri përgënjeshtron përgjimin e tenderit

TIRANE - Nikolin Jaka, ish-zëvendësministri i Transporteve dhe gjashtë të arrestuarit me të Arjan Sheti, Bashkim Kamberi, Ilirjan Berzani, Isuf Ukperaj, Skënder Bokçiu dhe Xhevahir Muçogllava kërkuan dje pafajësi në Gjykatën e Tiranës.

 Seancën e djeshme, që zgjati plot tre orë, mbrojtësit dhe të pandehurit paraqitën para trupit gjykues konkluzionet e tyre. I pari e mori fjalën avokati mbrojtës i zëvendësministrit Nikolin Jaka, i cili argumentoi juridikisht pafajësinë e pretenduar të klientit të tij, ndërsa më pas vetë ish-zëvendësministri i Transporteve analizoi para gjykatës provat e Prokurorisë kundër të tij. Sipas Jakës, Prokuroria ishte mbështetur në përgjimet telefonike, materiale shkresore dhe dëshmitarë. Është një bisedë telefonike e datës një gusht të vitit të kaluar midis Berzanit dhe ish-zëvendës-ministrit Jaka, e cila sipas Prokurorisë vërteton përfshirjen e këtij të fundit në veprimtari të jashtëligjshme. Berzani e njofton për mosmarrëveshjen midis firmave, kërkesat e tyre dhe merr si përgjigje: "Dëgjo, po më acaron kjo toleranca jote e famshme. O zotërinj thoj, kjo është skema, është e bërë, është e mbaruar, në qoftë se e do këtë. Mirë, po se deshe këtë thuj nuk bëhet. Kaq". Jaka pohoi dje se, fjala "skemë" e përdorur në këtë bisedë, nuk është asgjë tjetër veçse ligji. Pra, sipas tij, i kishte thënë Berzanit se përfaqësuesit e firmave duhet të konkurronin në bazë të ligjeve dhe aspak në shkelje të tyre. Më tej Jaka sqaroi se, Berzani kishte marrë pjesë në një takim midis përfaqësuesve të firmave që do konkurronin për rrugën Has-Qafë-Prush. Sipas tij, gjithçka ishte organizuar nga vetë firmat dhe se Berzanin e kishin thirrur si specialist. Ndërsa duke argumentuar pretendimin e Prokurorisë se Jaka kishte kërkuar të përfitonte nëpërmjet Berzanit ryshfet, kjo ishte e pamundur pasi ata ishin takuar bashkë, kishin qëndruar pak kohë dhe se nuk kishte marrë asgjë prej ish-kreut të Rrugëve. Kështu që sipas Jakës, nuk qëndronte aspak pretendimi i Prokurorisë. Më tej Jaka shtoi se, Berzani nuk kishte asnjë varësi prej tij në ministri, kështu që nuk mund të ndikonte aspak në mënyrë të paligjshme tek ai për të ndikuar në rezultatet e tenderit. Në fund Jaka pohoi se, dosja e tejfryrë nga publiciteti në media, në fund të hetimeve përfundoi me dy të pandehur më pak, pasi ishin pushuar akuzat për dy prej të arrestuarve. Pas Jakës e morën fjalën mbrojtja dhe të pandehurit e pranishëm, të cilët kërkuan gjithashtu pafajësi. Për të arrestuarit në operacionin "Duar të pastra" Prokuroria kërkoi dy javë më parë 19 vjet burg. Për Jakën, i akuzuar për "ushtrim ndikimi të paligjshëm", u kërkuan 3 vjet burg e 2 milionë lekë gjobë si dhe t'i hiqet e drejta për ushtrimin e funksioneve shtetërore për një periudhë 5-vjeçare. Për ish-drejtorin e Rrugëve, Berzani u kërkuan 6 vjet burg e 4 milionë lekë gjobë, për "shpërdorim detyre në bashkëpunim" dhe "korrupsion pasiv". Për Shetin, ish-kreu juridik i Rrugëve u kërkuan 2 vjet burg e 600 mijë lekë gjobë për "shkelje të barazisë në tenderë" e "korrupsion aktiv"; për Kamberin, ish-kreu i prokurimeve te Rrugët, u kërkuan 21 muaj burg për "shpërdorim detyre"; ndërsa për Muçogllavën, drejtor i Koordinimit 2 vjet burg për "shkelje të barazisë në tenderë". Për biznesmenët Ukperaj e Bokçiu u kërkuan nga 2 vjet burg e një milion lekë gjobë për "korrupsion aktiv".                                       fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›